Gazeta Si - Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka thënë se SPAK është funksional, mirëpo pavarësisht kësaj, ka ende disa sfida me të cilat ky institucion po përballet.
Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe te statusi i prokurorit, duke e ngritur si një shqetësim, pasi përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani u shpreh se propozon që këtyre prokurorëve t’u jepet mundësia që të rikandidojnë sërish për të qenë pjesë e kësaj strukture, dhe jo t’i zgjatet mandati.
"Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Një tjetër shqetësim, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Të rishikohet dhënia e mundësisë së prokurorit të posaçëm që të rikandidojë për të vazhduar të jenë pjesë e SPAK".
Ai theksoi se "mandati është 9 vite dhe pas 9 vitesh Prokurorët e SPAK kthehen në vendin ku kanë qenë më parë. Ne kemi propozuar ndryshimet e nevojshme për të rishikuar dhënien e mundësisë që të rikandidojnë për të vazhduar të jenë prokurorë të SPAK dhe jo zgjatje automatike të mandatit”, tha ai.
Dumani shtoi se "duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 eurosh me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar".
Këto dellarata Dumani i bëri në në Kuvendin e Shqipërisë, ku u zhvillua takimi i Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Europës. Në këtë seminar publik me temë “Veprimet gjithëpërfshirëse në luftën ndaj korrupsioni”, mori pjesë edhe kryeprokurori Olsian Çela dhe ministri i Drejtësis, Ulsi Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.