Politike

Vota e emigrantëve, gjithçka duhet ditur deri tani. Kryetari i KQZ, Celibashi: Ose më shumë para, ose ndryshim i Kodit

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryefjala e zgjedhjeve të ardhshme do të jëtë vota e emigrantëve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në rrugën e duhur për ta realizuar këtë proces të paprovuar asnjëherë më parë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, garantoi sigurinë e kryerjes së procesit. “Deri në këtë moment, vota e qytetarëve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë është e garantuar që do të kryhet si proces aty ku ata kanë vendbanimin.”- tha zoti Celibashi në një intervistë për Gazetasi.al, ku ai vuri në dukje se koha është sfida kryesore. Vështirësia ka të bëjë me afatet postare për të çuar dhe për të marrë mbrapsht fletën e votimit, pasi koha ne dispozicion është 30 ditë nga rregjistrimi i kandidatëve, ndërsa procesi normal kërkon 40-60 ditë.

“Jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe operatorët përkatës që, ndoshta, të gjejmë një mënyrë tjetër, por mënyra tjetër do të thotë të paguash më shumë para për të paguar një postë më të shpejtë, që koha e dërgimit dhe e kthimit mbrapsht të fletës të mos shkojë përtej afatit 30 ditor.”

Por a do të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor për të kursyer paratë? Po votimi elektronik? Dhe çfarë standardi mund t’u sjellë zgjedhjeve qeveria teknike? Kryetari i KQZ-së flet për disa nga pikat e nxehta të zgjedhjeve. 

Gazeta Si: Pse ekziston akoma një perceptim sikur vota e emigrantëve është në rrezik, pavarësisht se të gjitha kushtet ligjore janë plotësuar? Është proces i vështirë?

Ilirjan Celibashi: E kam parë në disa deklarime publike që ka nje shqetësim në lidhje me votimin nga jashtë, por duhet ta konfirmoj, që, të paktën, deri në këtë moment,  vota e qytetarëve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë është e garantuar që do të kryhet si proces aty ku ata kanë vendbanimin. Është një proces me mjaft vështirësi në kuptimin e përgatitjes së tij, por deri tani, kemi përfunduar të gjithë kuadrin rregullator për të realizuar votimin nga jashtë. Jemi duke punuar për të gjithë infrastrukturën dhe logjistikën e këtij procesi dhe, deri tani, nuk kemi asnjë të dhënë që të na tregojë se ky proces mund të jetë në rrezik. Sfida më e madhe e jona është koha që kemi në dispozicion, e cila është e kufizuar. Nëse për një aspekt të procesit brenda vendit, e kemi komoditetin ta bëjmë nesër apo pasnesër, për këtë proces, një punë që duhet ta bësh sot, duhet ta kishe bërë dje. Koha sjell vështirësi në finalizimin e Platformës së Rregjistrimit të Votuesve nga jashtë. Në rast se data e zgjedhjeve vendoset në 4 ose 11 maj, do të duhet që KQZ të ketë gati këtë platformën në 1 janar. Prandaj theksoj se kemi shumë pak kohë në dispozicion, por procesini përgatitjes teknike per te bere gati platformën dhe mbetet vetëm prokurimi për platformën.

Gazeta Si: Ju keni folur më herët me shqetësim për afatet e shkurtra të Kodit Zgjedhor në lidhje me kohën për dërgimin dhe marrjen e fletëve të votimit nga jashtë. Si do të zgjidhet ky problem?

Ilirjan Celibashi: Sfida e dytë kryesore pas ngritjes së Platformës së Rregjistrimit të Votuese nga Jashtë është dërgimi i fletëve të votimit dhe dokumentacionit zgjedhor jashtë vendit në adresat e votuesve përkatës, ku ata do të rregjistrohen në platformën që përmenda dhe ku bëjnë deklarimin e adresës. Koha që i mbetet në dispozicion KQZ-së për të përgatitur këtë dokumentacion, fletën e votimit me zarfin që do t’i shkojë votuesit, koha që i duhet postës për ta dërguar, koha që do t’i duhet votuesit për procesin, nga 1-4 ditë, si dhe koha për ta kthyer fetën mbrapsht në KQZ, duket se shkon më shumë sesa koha që, realisht kemi në dispozicion. Koha që kemi në dispozicion është koha nga momenti që miratohet lista finale e kandidatëve. Pra, ngelen rreth 30 ditë, ndërkohë që gjithë ky operacion kërkon më shumë sesa 30 ditë. Nga procesi i konsultimit që kemi patur me operatorët postarë ata thonë se nga eksperienca që kanë patur me vendet e tjera, koha që u lihet në dispozicion për dërgimin e fletëve të votimit dhe kthimin e tyre mbrapsht, shkon tek 40 deri në 60 ditë. Jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe operatorët përkatës që, ndoshta, të gjejmë një mënyrë tjetër, por mënyra tjetër do të thotë të paguash më shumë para për të paguar një postë më të shpejtë, që koha e dërgimit dhe e kthimit mbrapsht të fletës të mos shkojë përtej afatit 30 ditor. Kjo është sfida më e rëndësishme. 

Gazeta Si: A u keni kërkuar partive politike që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të kursehen para, duke afruar afatet për rregjistrimin e kandidatëve?

Ilirjan Celibashi: Ne e kemi prezantuar si fakt këtë shqetësim që është ngritur pas konsultave me operatorët postarë, pra që koha që duhet shkon nga 40 deri në 60 ditë. Tani, të gjithë dinë t’i bëjnë llogaritë dhe nëse partitë politike dhe Kuvendi konsiderojnë se është i domosdoshëm ndryshimi i afateve per rregjistrimin e kandidatëve, mendoj që do të duhet ta bëjnë, por  ne nuk ua kemi kërkuar zyrtarisht. E kemi lënë në vlerësimin e tyre dhe  jo për të thënë se ua kemi ngecur partive politike dhe Kuvendit. Por e kemi sjellë si shqetësim, sepse jemi duke parë të gjitha mundësitë e tjera, nëse është rasti që edhe pa ndryshuar Kodin Zgjedhor, ne të kemi mundësinë që të nisim fletën e votimit dhe të na vijë mbrapsht. Nëse do të shikojmë që kjo është e pamundur dhe do të na mungojnë paratë dhe rezulton që nuk ka asnjë mundësi të bëhet, atëherë do t’u themi partive politike që ne mendojmë se ju duhet ta ndryshoni Kodin. Pra mundësitë që po eksplorojmë janë ose do të paguajmë më shumë para dhe nuk do të ndryshojmë Kodin, ose do të duhet ndryshojmë Kodin dhe të kursejmë disa buxhete. Ne kemi prezantuar faktet tek të gjithë aktorët dhe të gjithë e kanë maturinë për t’i analizuar këto fakte.

Gazeta Si: Zoti Celibashi, a do të ketë votim elektronik në zgjedhjet e Majit 2025  dhe nëse po, ku? 

Ilirjan Celibashi: Ne po përpiqemi t’i sjellim të gjitha palët në idenë që votimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës, për të gjitha karakteristikat që ka. Kishim preferuar që të zhvillohej në 4-5 qarqe të tjera, por për kohën që ka mbetur në dispozicion nuk kemi më mundësi dhe kemi menduar që të jetë qarku i Tiranës, qarku ku mund të zhvillohet votimi elektronik. Përpara marrjes së këtij vendimi menduam Durrësin dhe Elbasanin, pastaj, bazuar edhe në arsyetimet e disa partive politike, jo vetëm të PS, pamë që qarku i Tiranës ka të dyja karakteristikat që kanë secili më vete qarku i Durrësit dhe qarku i  Elbasanit, ku votuesit e kanë eksperiencën e votimit elektronik, ndërsa Durrësi, duke qenë afër, krijon edhe mundësi më të mira për administrimin, mbikqyrjen e procesit nga ana e KQZ-së. administrimin e zgjedhjeve. Nderkohë, edhe qarku i Tiranës ka një numër zgjedhësish jo të vogël em eksperiencë në votimin elektronik, Kamza, Vora, njësia 10. Duhet përmendur edhe fakti që qarku i Tiranëë ka kryeqytetin, ka numrin më të madh të mandateve dhe ka një lloj lehtësimi për ne për ta administruar më mirë procesin. Prandaj, kemi konsideruar që, për kohën që kemi në dispozicion, të jetë vetëm qarku i Tiranës. 

Gazeta Si: Për sa kohë pas mbylljes së votimeve merret vesh rezultati për Tiranën?

Ilirjan Celibashi: Përmes votimit elektronik, rezultati do të shpallet për gati 1 orë ose 1 orë e gjysëm, pasi të mbyllet procesi i votimit.

Gazeta Si: Partia Demokratike është kundër votimit elektronik në çdo qark. Keni një koment për këtë, duke qenë se partia kryesore e opozitës nuk ka besim tek procesi?

Ilirjan Celibashi: Në fakt, ata kanë qenë nxitësit dhe promotorët e futjes së teknologjisë në zgjedhje.tani, nuk kanë konsiderata negative në vetëvete për votimin elektronik, por për atë çfarë ata konstatuan gjatë zbatimit të votimit elektronik në zgjedhjet e kaluara, në Kamëz, Vorë dhe Elbasan, besimi i tyre është lëkundur. Disa pretendime të tyre qëndrojnë, përsa i përket sjelljes së disa operatorëve që kanë asistuar disa votues në qendrat e votimit. PD pretendon se mund të ndikuar votën, por përsa i përket integritetit të sistemit në vetëvete dhe të pajisjes elektronike të votimit dhe numërimit, garancia është 100%. Në buxhetin e zgjedhjeve të ardhshme kemi parashikuar një auditim të pajisjeve para dhe pas procesit të votimit nga një palë e tretë e pavarur. Nëse partitë janë të interesuara, mund të jenë të pranishme gjatë procesit të auditimit pët ta mbikqyrur  atë. Kjo palë e tretë është jashtë konfilktit të interesit politik, ekonomik, tregtar etj për të bërë ekzaminim të të gjithë sistemit. 

Gazeta Si: Si funksionari më i lartë përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, a i shërbën standardit të zgjedhjeve propozimi i Partisë Demokratike për një qeveri teknike 100 ditë para ditës së votimeve?

Ilirjan Celibashi: Natyrisht, që unë e kam një opinion për këtë çështje, por nuk mendoj se kontribuoj pozitivisht, nëse e shpreh ketë mendim. Do të ishte një përgjigje për debate për konsum publik dhe rezervohem të shprehem, duke qenë se jemi edhe shumë afër periudhës zgjedhore. Mendoj se përgjigja ime nuk prodhon ndonjë dobi, për shkak se unë përfaqësoj një funksion të caktuar publik.

Gazeta Si: Ka një qendrim KQZ për takimet e kryeministrit me emigrantët, duke qenë se ka patur debate se po shfrytëzohen burimet shtetërore për të bërë fushatë për PS? 

Ilirjan Celibashi: Institucioni i KQZ-së ka përgjegjësinë të monitorojë veprimtarinë dhe sjelljen e partive politike në një periudhë të caktuar. Periudha për të cilën flasim nuk është ajo që KQZ duhet të ushtrojë mbikqyrjen dhe të bëjë vlerësimin për aktivitetin e partive politike, të drejtuesve të partive, të funksionarëve publikë, perfshirë ketu edhe kryeministrin. Periudha e monitorimit shkon nga 4 muaj deri në krijimin e qeverisë së re dhe për partitë politikë, më ngushtë akoma, gjatë fushatës elektorale. Çfarë ndodh gjatë kësaj periudhe ka institucione të tjera që japin vlerësime, gjykime mbi sjelljen e partive dhe për administratën publike. Ajo që ne po bëjmë për t’u përballur me këtë problem, kur të vijë koha, është gjetja e makinizmave që të jemi efektivë, të vërtetë, reale. Po shikojmë mundësinë e ndryshimit të aktit kryesor të KQZ-së që rregullon veprimtarinë e partive politike, qeverisë dhe administratës në periudhën zgjedhore. Qëllimi është për ta bërë më të plotë, më të qartë, për të mos patur përkufizime të përgjithshme dhe evazive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë