Gazeta Si- Që kur Sali Berisha u arrestua në 30 dhjetor 2023, i akuzuar nga SPAK për korrupsion për aferën e klubit sportiv “Partizani” dhe deri në vendimin e lirimit të tij nga masa e “arrestit shtëpiak” (27 nëntor 2024), kanë kaluar 333 ditë, ose thuajse 11 muaj.
Edhe pse i izoluar në shtëpi, ai vijoi betejën ligjore me avokatët e tij dhe bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale apo edhe nga ballkoni i shtëpisë me simpartizantët e PD, duke pretenduar se në dosjen hetimore të SPAK, nuk ka asnjë provë për të ngritur akuza penale ndaj tij.
LEXO EDHE:
- Afera 'Partizani'/ Kërkuan lirinë, Apeli i GJKKO lë në 'arrest shtëpie' Berishën dhe Malltezin dy ditë pasi u morën të pandehur
- Dosja 'Partizani'/ Kush është Flojera Davidhi, gjykatësja që do të gjykojë ish-kryeministrin Sali Berisha
30 dhjetor 2023
Ishte gjyqtarja Irena Gjoka ajo vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Berishën, i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.
Vendimi erdhi pas kërkesës së SPAK, se Berisha nuk zbatoi urdhrin e mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore.
Sipas vendimit, Berisha do të mbikëqyrej me forca policie dhe i ndalohej të komunikojë me persona të tjerë përveç atyre me të cilët jeton.
23 janar 2024
Herën e parë që Berisha u thirr në SPAK, dëshmoi për rreth dy orë, ku u mor nën hetim si person në dijeni për aferën e klubit “Partizani”.
Duke treguar me detaje se çfarë ndodhi brenda në SPAK, Berisha vijoi me akuzat për prokurorët, duke i cilësuar si persona që zbatojnë urdhrat politikë të kryeministrit Edi Rama.
11 shtator 2024
Kreu i demokratëve u njoh me rezultatin e hetimeve për çështjen e kompleksit “Partizani”. Në përfundim të seancës që zgjati rreth 20 minuta, Berisha njoftoi se i ishte komunikuar akuza dhe se ishte marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK.
“Ato që kanë pasur, asgjë tjetër përveç 500 faqe mashtrime, mashtrime, mashtrime…Më ka korruptuar dhëndri im, ke parë ti?!”, theksoi Berisha.
Sipas tij, në dosjen “Partizani” nuk ka çështje penale, “shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë para publike, por ka përfituar nga zbatimi i ligjit”. Berisha e cilësoi këtë proces gjyqësor ndaj tij si “hakmarrje politike e Ramës”.
23 shtator 2024
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thirri Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin për t’i njoftuar zyrtarisht për përfundimin e hetimeve për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Berisha u përgaqësua nga avokati i tij Genc Gjokutaj, ndërsa Malltezi ishte vetë i pranishëm në gjykatë.Atyre iu vendosën në dispozicion të gjitha aktet përfundimtare të hetimit.
Për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, të dy për pastrim parash.
24 tetor 2024
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj praqitet në GJKKO për seancën paraprake dhe thekson për mediat se do të kërkojë pushimin e çështjes.
Gjyqtarja Flojera Davidhi (e njëjta që zëvendësoi këtë të mërkurë masën e sigurisë), vendosi të shtyjë vendimin për në 25 nëntor.
“E kemi në konsideratë revokimin e masës së sigurisë dhe do kërkojmë pushimin e çështjes. Seanca është caktuar para dhjetë ditëshit, por janë 160 mijë faqe”, - tha Gjokutaj.
21 nëntor 2024
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e Sali Berishës për masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Kushtetuesja shfuqizoi masën për ndalim dalje jashtë vendit të Sali Berishës, duke e konsideruar si cenim të proporcionalitetit.
Megjithatë, Sali Berisha do të vijojë të qëndrojë në “arrest shtëpie”, për shkak se këtë masë sigurie nuk e kishte ankimuar.
Sa i përket masës “detyrim për t’u paraqitur” për të cilën Sali Berisha kërkoi të shpallej antikushtetuese, Kushtetuesja e ka konsideruar të drejtë vendimin e kërkuar nga SPAK dhe të dhënë nga GJKKO, me argumentimin se nuk kufizon lirinë dhe se nuk nevojitej autorizim nga Kuvendi.
25 nëntor 2024
Gjykata e Strasburgut mori në shqyrtim me përparësi kërkesën e bërë nga Sali Berisha në lidhje me masat e sigurisë që prokuroria dhe Gjykata e Posaçme caktuan ndaj tij.
Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit, Sali Berisha, jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme, tregoi se cilat ishin pretendimet e ngritura prej tyre përballë gjyqtarëve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Doja të bëja me dije që jemi njoftuar zyrtarisht që Gjykata e Strasburgut ka kaluar në fazën e debatit çështjen e z.Berisha në një afat rekord, e ka konsideruar çështje prioritet dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar në lidhje me procesin e parregullt ligjor. Strasburgu ka ecur me shpejtësi, është e paprecedentë një gjë e tillë. Shkresa ka ardhur drejtuar shtetit shqiptar. Do të plotësohen pyetjet, do kthehen dhe pastaj do merret një vendim”.
Në rast të një vendimi pro Berishës nga Gjykata e Strasburgut, pritej shfuqizimi i vendimeve të gjykatave shqiptare kundër tij që prej një viti që mbahet në “arrest shtëpie”.E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.