Nga Gazeta 'SI' - Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon Shqipërinë si një ndër ekonomitë që do të kenë rritjen më të shpejtë në Europë, por duke theksuar nevojën për reformim në shumë sektorë.
FMN thekson se mungesat në qeverisje dhe dobësia institucionale, krijojnë vështirësi në mjedisin e biznesit.
Edhe pse ekonomia do të ketë një performancë të mirë, ajo kërcënohet nga një tension i shtuar gjeopolitik, por edhe nga një projeksion në rënie për turizmin.
“Dobësimi i kërkesës për turizmin, pas goditjeve të tilla globale, mund të sjellë si rezultat zhvlerësimin e kursit të këmbimit dhe një rënie në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar negativisht në sektorët financiarë dhe publikë, duke pasur parasysh shkallën ende të konsiderueshme të borxhit në monedhë të huaj”, shkruhet në konkluzionin e FMN-së, pas vizitës disa ditore në Tiranë.
Përfundimi i afërt i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe përparimi domethënës në reformat e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, janë piketa të rëndësishme, thekson FMN. Reformat duhet të ecin më tej, përfshi uljen e ngarkesës së çështjeve të prapambetura, krijimin e një sistemi elektronik të integruar të menaxhimit të çështjeve dhe plotësimin e pozicioneve të lira kyçe në mënyrë transparente dhe bazuar në meritë.
Buxheti i vitit 2025 synon një balancë primare zero. Stafi i FMN-së parashikon një konsolidim të kufizuar fiskal në vijim, me balancën primare, që pritet të lëvizë rreth zeros për periudhën 2026-2029 dhe me autoritetet qe vazhdojnë të zbatojnë rregullat fiskale. Borxhi publik, i cili pritet të jetë rreth 56 për qind deri në fund të vitit 2024, parashikohet te reduktohet në nivelin 50 për qind ne vitin 2029 dhe vlerësohet si i qëndrueshëm në periudhën afatmesme.
Një përpjekje më e fortë fiskale sesa ajo e parashikuar aktualisht do të ulte nevojat për financim bruto dhe do të rriste qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve fiskale. Për këtë qëllim, stafi i FMN-së rekomandon për periudhën 2025-29 një suficit të lehtë primar në rreth ¼ për qind e PBB-së—çka do sjellë si rezultat një qëndrim fiskal përgjithësisht asnjanës nga viti 2026 e më tej.
Kjo do të kërkojë masa fiskale neto shtesë në rreth 1% të PBB-së, ku përfshihen reformat në administrimin e të ardhurave dhe politikën tatimore dhe përpjekjet për të prodhuar efikasitet më të lartë në shpenzime, përfshirë nëpërmjet digjitalizimit të mëtejshëm. Për më tepër, përmirësimet e bëra në kuadrin e menaxhimit të investimeve publike do të lehtësojnë shpenzimet që ndikojnë në rritjenë arsim, infrastrukturë, kujdes shëndetësor dhe veprimin për klimën. Këto politika duhen shoqëruar me forcimin e vazhdueshëm të menaxhimit të borxhit publik për të zgjatur maturitetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.