Drejtësia

Dumani: SPAK po heton gjyqtarë dhe prokurorë që kanë premisa për akte korruptive, edhe pse kaluan Vettingun

Gazeta Si - Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar se me nismën e institucionit që ai drejton, se kanë nisur hetimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet e drejtësisë për të parandaluar rastet e korrupsionit, edhe pse ata e kanë kaluar procesin e Vettingut.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqëria Civile për luftën kundër korrupsionit, Dumani theksoi se Prokuroria e Posaçme ka ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.

“SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Kushtetueses, të Gjykatës se Lartë, të KPA-së, prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm, apo oficerë të policisë gjyqësore. Shqetësimi më i madh për SPAK nuk janë subjektet e shkarkuara, por ata që kanë kaluar këtë proces dhe vijojnë të ushtrojnë funksionin”.

Sipas tij, “problem është që janë në sistem dhe kanë premisa për të kryer veprime korruptive. Secili institucion të përmbushë detyrimet e veta. I bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo akt korruptiv të gjyqtarëve apo prokurorëve. Institucionet përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit duhet të jenë aktive dhe të furnizojnë SPAK me informacion”, tha Dumani.

Kreu i SPAK shton se ka patur edhe raste të aplikimit të ligjit anti-mafia ndaj  gjyqtarëve, si dhe raste të konfiskimit të pasurive të tyre.

“Do të ndalem tek ndjekja penale për subjekte që i janë në shtuar vettingut. SPAK ka pasur dhe raste ku ka aplikuar ligjin anti mafia dhe ka konfiskuar pasuri subjekteve të shkarkuar nga procesi i vlerësimit. Në hetim ka vend për të përmirësuar. Synojnë të përmirësojmë hetimin dhe të mos bëjmë gabime. Jemi përpjekur që aktet në procesin administrativ ti përdorim në procesin penal për të gjetur prova. Është një bazë e mirë, rezultatet e hetimit administrativ janë një bazë e mirë për të gjetur prova. Ne kemi në kompetencë gjyqtarë të GJK, GJL, prokurorin e përgjithshëm, anëtarë të KLGJ dhe KLD. Kemi numër të vogël subjektesh. E keni cekur pak atje nuk kemi qenë të verbër në raport me vendimet e organeve të vettingut. Kemi regjistruar procedime penale, për veprën penale të korrupsionit”.

Në rastet e korrupsionit të gjyqtarëve, SPAK ka përdorur edhe përgjimin si mjet, por për veprën penale 257 a përgjimi nuk lejohet.

“Duke marrë shkak si indicie vendimet e vettingut. Janë çështje në hetim. Jemi të kujdesshëm që persona të caktuar në SPAK bëjnë një filtrim të vendimeve të organeve të vettingut. Në rast se nga vetë përmbajtja e vendimit, krijohen indicie për vepër korrupsioni, ne kemi regjistruar procedim për veprën penale. për veprën penale 257, a, nuk lejohet përgjimi. Në rastet e korrupsioni kemi përdorur të gjithë llojet e përgjimeve apo llojet e tjera të kërkimit të provës. Për 257 a, nuk na lejohet si mjet përgjimi”.

Ndjekje penale janë ushtruar ndaj gjqyarëve të Gjykatës së Lartë, Kushtetueses, Apelit por edhe oficerëve të policisë gjyqësore.

“Studimi ka një kohë të përcaktuar, por sot SPAK ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të Apelit, oficerë të policisë gjyqësore.. Kemi një numër të madh subjektesh që kemi ushtruar ndjekjen penale. Do vazhdojmë ta bëjmë sa herë kemi indicie. E kam thënë dhe një herë tjetër. Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë dhe kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale. Komplimentet e mia dhe jam i hapur për bashkëpunime të tjera", - u shpreh Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë