Gazeta Si - SOS i ri për Mesdheun në konferencën e OKB-së për klimën që u zhvillua në Baku, Azerbajxhan.
Të hënën, shkencëtarët nga MedECC (Ekspertët e Mesdheut për ndryshimet klimatike dhe mjedisore), publikuan një raport të ri mbi rreziqet bregdetare të Mare Nostrum.
Perspektivat janë një makth i vërtetë. Në rajon, rritja e frikshme prej 1.5°C krahasuar me epokën para-industriale u arrit tashmë në vitin 2020 dhe deri në fund të shekullit mund të arrijë edhe 2.9°C, në skenarin më të keq.
Edhe vetë deti do të pësojë rritje të temperaturës së ujit, e cila do të luhatet nga 2,7 deri në 3,8°C në fund të shekullit.
Megjithatë, ajo që i shqetëson më shumë ekspertët, është shpejtësia me të cilën po rritet niveli i detit: rreth 2.8 mm në vit, dyfishi i mesatares së shekullit të 20-të. Prirja pritet të vazhdojë me një ritëm që varet nga emetimet e ardhshme të gazeve serrë.
Nga fundi i shekullit, niveli i detit mund të rritet me më shumë se një metër, duke rezultuar në rritjen e përmbytjeve bregdetare.
“Rritja relative e nivelit të detit ka rritur tashmë shpeshtësinë e përmbytjeve në qendrën historike të Venecias”, konfirmon raporti.
“Si plazhet e veri-lindjes, ashtu dhe plazhet e vogla të Italisë jugore, janë në rrezik të lartë erozioni dhe mund të zhduken. Procesi është i pakthyeshëm në një shkallë shekujsh apo mijëvjeçarësh”.
Një e ardhme shqetësuese, konfirmon Piero Lionello, profesor i Oqeanografisë dhe Shkencave Atmosferike në Universitetin e Salentos dhe president i rrjetit “MedCLIVAR”: “Niveli i detit është një inerci e madhe. Nuk mund të ndalet ose të riparohet shpejt. Edhe sikur të reduktonim shpejt emetimet, ato do të vazhdonin të rriteshin për shkak të inercisë termike të oqeaneve, të cilat vazhdojnë të thithin nxehtësinë dhe për këtë arsye zgjerohen”, shpjegon ai.
“Ka skenarë, të ashtuquajtur ‘të pamundur, por të besueshëm’, që flasin për një rritje prej 15 metrash deri në vitin 2300”.
Po aq alarmante është edhe shkalla e erozionit bregdetar (gërryerjes së vijës), e cila do të luhatet midis 17.5 dhe 23 metra deri në vitin 2050 dhe madje midis 40 dhe 60 metra në fund të shekullit.
Pasojat më dramatike vërehen në zonat e grykëderdhjes së lumenjve, në shtrirjet bregdetare rreth porteve dhe infrastrukturave të tjera bregdetare.
“Në mungesë të masave adekuate të përshtatjes dhe mbrojtjes, erozioni i plazheve do të rritet në dekadat e ardhshme, duke rritur gjithashtu rreziqet e dëmeve të shkaktuara nga stuhitë dhe duke zvogëluar përmasat e zonave të destinuara për turizëm”, konfirmojnë ekspertët.
Reshjet do të ulen në pjesën më të madhe të Mesdheut, por shirat e dendur do të shtohen në disa zona veriore, përfshirë Italinë.
Bregdeti i Mesdheut është ndër rajonet e botës me probabilitetin më të lartë të përmbytjeve dhe frekuenca e ngjarjeve ekstreme të nivelit të detit, të cilat ndodhin një herë në 100 vjet, ka të ngjarë të rritet me të paktën 10% deri në vitin 2050 dhe me 22% deri në vitin 2100.
Një kapitull të veçantë ka të bëjë edhe me mbetjet në det. “Deti Mesdhe është një nga zonat më të ndotura nga plastika në botë”, thuhet në raport.
“Plastika lundruese grumbullohet përgjatë brigjeve të saj për shkak të aktiviteteve njerëzore dhe qarkullimit detar. Plastika përfaqëson deri në 82% të mbeturinave të vëzhguara, 95-100% të mbeturinave totale lundruese detare dhe mbi 50% të mbetjeve detare të shtratit të detit në Mesdhe".
Aktivitetet njerëzore kanë çuar gjithashtu në rritjen e përqendrimeve të metaleve potencialisht toksike me "pikat e nxehta" të plumbit, mërkurit dhe kadmiumit (element natyror në koren e tokës) të vendosura në veri, qendër dhe jug-lindje të pellgut të Mesdheut.
Prodhimi i naftës së rafinuar (Mesdheu i Jugut, Ballkani dhe Turqia), rrezet e diellit, përgatitja e lëkurës së këpucëve, prodhimi i çimentos (Ballkani dhe Turqia) dhe prodhimi i energjisë (Mesdheu, BE), kontribuojnë në çlirimin e metaleve të rënda në ujërat bregdetare që ndikojnë në ekosistemet ujore.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.