Para

‘Në Shqipëri s’ke nevojë, çdo gjë e bën me cash’. Debat për pastrimin e parave me kriptomonedha tek Antikorrupsioni

Nga Gazeta 'SI' - Gjatë komisionit të Antikorrupsionit, ku po trajtohej tema e pastrimit të parave, drejtuesi i Hetimit të Krimit Ekonomik, Gentian Ndoi hapi një debat duke thënë se në Shqipëri, paratë po pastrohen me kriptovaluta.  

“Ne po luftojmë bashkë me mbështetjen e ministrisë që të kemi një qasje sa më të madhe në databazat shtetërore dhe private. Është shumë e nevojshme. Është tmerrësisht e nevojshme pasi një punë burokratike që bëhet përmes shkresave që I dërgohen institucioneve, që shpesh herë bllokon dhe punën e tyre e tonën, një oficer mund ta bëjë lehtësisht nga zyra e tij, pa rënë në sy dhe në fund të ketë një produkt që t’ja referojë prokurorit, e prokuror më pas gjykatës”, theksoi Ndoi.

Kundër deklaratës së tij ishte zv.ministri i Drejtësisë, Klajd Karameta, i cili tha se kriptot janë një zhvillim pozitiv dhe jo negativ.

“Paratë pastrohen nëpërmjet parave. Jo me kriptomonedha, mund të përdoren për të fshehur të ardhura. Kriptomonedhat përfaqësojnë revolucion të madh sa i takon anës teknologjike dhe në perceptimin tim shikohen vetëm anët e këqija. Paratë pastrohen me para dhe ne nuk i kufizojmë. Kriptomonedhat padyshim mund të përdoren për të fshehur të ardhurat, por tregjet financiare ndërkombëtare, SHBA këtë vit, ka legjitimuar përdorimin e kriptomonedhave. Duhet ta përqafojmë teknologjinë, sepse nuk i shpëtojmë dot”, u shpreh zv.ministri.

Denis Deralla, drejtor i departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë mori fjalën në komision, duke thënë se në Shqipëri nuk është nevojë të pastrosh para, pasi mund të blesh çdo gjë me para cash, pa kaluar në bankë.

"Në Shqipëri nuk është e nevojshme fare të pastrosh para. Mund të blesh nga apartamenti tek makina dhe investime të çfarëdollojshme në cash. Nuk ke nevojë fare të deklarosh burimin e të ardhurave. Tre struktura janë në Shqipëri që kërkojnë burim të ardhurash, ILDKPI për zyrtarët, bankat që e kanë forcuar kërkesën e tyre për burimin e të ardhurave, si dhe SPAK e Prokurori. Struktura të tjera nuk ka. Nëse i shpëton këtyre tre rrjetave lundron i qetë. Është sasia e cash-it dhe lejimi i transaksioneve cash që bëjnë të mundur qarkullimin e parasë së pisët. Ajo që duhet të kemi parasysh është format për parandalimin e parave cash. S’duhet të bëjmë gabimin për të ngatërruar formën e këmbimit me pastrimin e parasë. Lehtëson transferimin e parasë, por paraja mbetet e pisët ", u shpreh Deralla duke theksuar Shqipëria është një ndër pak vendet që e ka rregulluar me ligj tregun e kriptomonedhave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë