Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë po shqyrton zgjidhjet që mund të parandalojnë zhvlerësimin e mëtejshëm të euros.
Zv.Guvernatorja Luljeta Minxhozi, në përgjigje të pyetjes së deputetes Jorida Tabaku, u shpreh se Banka e Shqipërisë është e shqetësuar për zhvlerësimin e euros dhe për ritmin që ka pasur.
“Në afat të gjatë nuk e dimë se çfarë mund të sjellë. Ne po bëjmë analiza të hollësishme se çfarë i sjell ekonomisë shqiptare zhvlerësimi i shpejtë, ky është problem, ritmi i shpejtë, jo zhvlerësimi. Kjo është një problematikë që ne po përpiqemi ta analizojmë dhe të propozojmë një mënyrë për ta ngadalësuar”, tha Minxhozi përballë deputetëve, ku parashtroi opinionin e Bankës për projektbuxhetin 2025.
Specifikisht ajo u ndal tek skema e pensioneve, duke kërkuar rishikim pasi përbën rrezik për financat publike.
“Skema e kontributeve shoqërore vazhdon të jetë një barrë e madhe për financat. Përbën 75% të deficitit buxhetor. Bëhet ende më serioze kur shohim zhvillimet demografike me të cilat do të përballet Shqipëria. BSH përshëndet rishikimin e skemës së pensioneve. Duhet të garantojë një qëndrueshmëri afatgjatë. Ne nuk mund të ndikojmë. Kemi ngritur si shqetësim që duhet të jetë një skemë e qëndrueshme. Ne jemi gati të kontribuojmë”, u shpreh zv.guvernatorja Minxhozi.
Ndër të tjera, Minxhozi i rikujtoi qeverisë së përqendrimi i investimeve kapitale në fund të vitit, ndikon negativisht në ekonomi.
“Plani i investime ka problematika, duhet të ketë shpërndarje të njëtrajtshme gjatë vitit. Përqëndrimi kronik i tyre vetëm ne gjysmën e dytë të vitit shkakton një luhatje të panevojshme të treguesve ekonomikë dhe redukton eficiencën e politikës fiskale”, u shpreh zv.guvernatorja.
Ajo shtoi se qeveria duhet të përmirësojë më tej kapacitetet monitoruese dhe kontraktuese të kontratave PPP.
Deputeti Erion Braçe, kërkoi të dinte nga BSH ndikimin që ka pasur në ekonomi rritja e shpejtë e pagës në vend, teksa listoi një sërë pyetjesh për përfaqësuesit e Bankës.
“Nuk ka rënie çmimesh, por ka rënie të ritmit të rritjes. Mendoni se është përcjellë e plotë në Shqipëri, efekti i kursit të monedhës dhe rënia e çmimeve jashtë? Ka ndonjë faktor që ndikon në mostransmetimin e këtyre faktorëve brenda vendit? Ju thoni se ka pasur një ndikim të fortë shërbimi dhe turizmi, por duket sikur këtë rritje po e ‘ha’ importi. Një pyetje e fundit, është rrezik i madh i ekonomisë dhe bujqësisë; a mendoni se nga ngjarjet klimatike në vendet prodhuese në Europë, të presim një rritje të çmimeve dhe a duhet të fillojmë të bëhemi gati?”, pyeti deputeti Braçe.
Deputetja Pranvera Resulaj, pyeti përfaqësuesit e BSH-së për ndikimin që ka dhënë zhvlerësimi i euros tek industria.
“Fasonët janë një sektor specifik i zinxhirit industrialë. Ata kanë pranuar varësinë e tregjeve të huaja për produktet e tyre. Vlera e tyre në treg po zvogëlohet. Kursi është një cikël. Ata duhet ta konsiderojnë kursin e këmbimit si rrezik në planin e tyre të biznesit. Ne u kemi sugjeruar që të shikojnë drejt të ardhmes dhe të rishikojnë planet e tyre. Industria fason e ka nisur aktivitetin mbi krahun e lirë të punës, dhe rreziku nga mungesa e punësimi është më i madh se rreziku që ju vjen nga kursi i euros. Ato duhet të ndryshojnë modelin e biznesit”, tha Minxhozi.
Pyetjeve të Braçes iu përgjigj drejtori i Departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli.
“Në gjykimin tonë ndikimi i politikës fiskale në inflacion materializohet nëpërmjet deficitit buxhetor. Rëndësi ka masa e ndryshimit të deficitit nga viti në vit. 2023-2024 kemi pasur rritje dyshifrore të pagës, një rritje reale me 7-8% dhe kjo nuk ka dalë në inflacion. Për sektorin bujqësor ne nuk kemi analiza të detajuara, por në një lexim të thjeshtë ky sektor nuk është në potencialin e vet. Ka një zhvendosje të fuqisë punëtore nga fshati në qytet. Është i vërtetë fakti se inflacioni i ushqimeve ka rënë gjatë vitit. Rënia ishte e papritur dhe i detyrohet rënies së ritmit rritës, por jo rënie të çmimeve. Në partnerët tanë tregtarë, nuk ka pasur rënie të çmimeve, por ngadalësim të inflacionit”, sqaroi Themeli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.