Treg

Botox, bukuria që ‘të vdes’ për së gjalli

Përdorimi i në rritje i ndërhyrjeve estetike, dëshmi e krizave

Nga Gisela Troplini - Në një shëtitje në profilet e rrjeteve sociale të vajzave të ekranit, has shpesh me komentin “jeni bërë njësoj”. Nuk duhet më shumë sintetizim për të kuptuar se çfarë nënkupton komentuesi; vajza që duken njësoj për shkak të ndryshimeve që kanë bërë në fytyrë – nga buzët tek vetullat apo nga filler-i tek Botox-i.

Botox, shkurt për botulinum toxin është një produkt që ngrin muskujt ose bllokon nervat, duke minimizuar gjuhën e fytyrës dhe rrjedhimisht rrudhat që krijohen nga mimikat. Filler ose shqip “mbushës” është produkti i njohur si acid hyaluronik që shërben për të hidratuar dhe mbushur/fryrë zona si buza, mollëza etj.

Por Botox-i dhe filler-i nuk janë të rezervuar vetëm për vajzat e ekranit.

Nevojë, dëshirë apo influencë?

Ekspertë të fushës së bukurisë dëshmojnë një rritje të fortë të kërkesës për injektime dhe trajtime estetike. Sipas tyre, dëshira është faktori kryesor...dhe ekrani.

Jetlira Zyfi, drejtuese e klinikës estetike “Medical Hills” në kryeqytet flet për arsye që dalin përtej pasqyrës.

“Në kohët e sotme të jesh një vajzë apo grua e kuruar, në një farë forme është e domosdoshme sepse mund të mos ndihesh e pranuar në shoqëri, punë apo më tej. Unë mendoj se gratë në të gjitha kohërat kanë pasur dëshirë të ndihen bukur, por rrethi shoqëror dhe familjar, me baza patriarkale i kanë kufizuar vendimmarrjen”, shpjegon Zyfi e cila shton se rrjetet sociale kanë pasur një ndikim të fortë në rritjen e kërkesës.

"Gratë në të gjitha kohërat kanë pasur dëshirë të ndihen bukur, por rrethi shoqëror dhe familjar, me baza patriarkale i kanë kufizuar vendimmarrjen”, Jetlira Zyfi, Medical Hills/Gazetasi.al

Kështu shprehet edhe stomatologia Alba Koshovari, themeluese e klinikës “Glamour Dental” dhe pedagoge e stomatologjisë. Duke theksuar se shërbimi estetik i dhëmbëve ka qenë gjithmonë i kërkuar, ajo flet për një rritje të interesit për shërbimet e panevojshme dhe për atë që quhet “Hollywood smile”.

“Më të kërkuara janë fasetat dhe ndryshimi i ngjyrës. Ka interes të shtuar nga moshat e reja, nën 35-vjeç që influencohen nga rrjetet sociale. Kërkojnë shërbime jashtë natyrales që kërkon sakrifikimin e dhëmbëve të shëndetshëm”, shprehet Koshovari.

Fatjon Gjoka, drejtues i klinikës për mbjelljen e flokëve, “Advanced” thotë se kryerja e procedurave nga personazhe të famshëm, rriti kërkesën për mbjelljen e flokëve nga njerëzit e thjeshtë.

“Pas 2020-s, u pa një rritje e interesit për mbjellje flokësh. Njerëzit morën më shumë informacione gjatë kohës që ishin të mbyllur, por u ndikuan dhe nga të famshmit që bënin këto procedura”, thotë Gjoka teksa thekson se nga kërkesa e lartë iu desh të shtonte hapësirën në klinikën e tij.

Një matje e Forbes gjeti se reklamimi i një shërbimi/produkti nga një influencer rrit kërkesën me 45%.

Psikologia Manolita Hida, po ashtu thotë se fenomeni u përforcua pas pandemisë, ku lidhjet online apo kontakti virtual shtuan shqetësimin mbi dukjen e jashtme dhe tiparet trupore, duke rritur interesin për procedura të tilla.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është që procedurat kirurgjikale kozmetike të cilat realizohen si rezultat i kërkesës apo imponimit nga persona të tjera, të cilat nuk kanë mbështetjen e familjarëve, të cilat kryhen me idenë për të përmirësuar shëndetin mendor, nuk ndikojnë pozitivisht në mirëqenien psiko-emocionale të individëve të cilët i nënshtrohen këtyre procedurave. Tentativa për të shpëtuar nga ankthi apo depresioni si gjendje që bashkëshoqërojnë njëra-tjetrën mund të mos jetë efektive por mund të krijojë efektin e kundërt. Sa më në harmoni të jetë imazhi që kemi për veten, me imazhin ideal që ne mendojmë dhe perceptimin që marrim nga të tjerët mbi ne, aq më e ekuilibruar do të jetë mendja dhe vetja jonë. Sa më e madhe disbalanca midis këtyre tri faktorëve aq më shumë do ta vuaj mendja jonë dhe do përpiqet ta mbushë në mënyra të ndryshme por që nuk janë në thelb shëruese”, shpjegon psikologia.

Trajtimet estetike si tregues i statusit

Trajtimet estetike më shumë se procedura “qejfi” janë një indikator ekonomik. Në matjet publikuara nga INSTAT për konsumin e familjeve shqiptare gjatë vitit 2023, shpenzimet për estetikë patën rritje më të lartë se ushqimet, pijet dhe qiraja; 6.2%.

Nga ana tjetër, një anketë e kryer nga shoqata e Mikrofinancës për gjendjen e familjeve, tregonte se për të përmbushur nevojat thelbësore të konsumit, 14% e familjeve do të hiqnin dorë nga kujdesi dentar dhe 12% nga kujdesi shëndetësor.

Në këtë analogji kuptojmë se trajtimet estetike (ndonjëherë edhe shëndetësore) janë sport i familjeve me të ardhura të larta. Një studim global i “McKinsey&Company”, një kompani konsulence, gjeti se përdorimi i i filler-ave, Botox-it etj është më i shpeshtë midis njerëzve me të ardhura +100.000 dollarë/vit.

Për ekspertin e ekonomisë, Igli Tola, rritja e kërkesës për shërbimet estetike, që konsiderohen luks, shtyhet nga faktorë psikologjikë. Ai pohon se në pamje të parë reflekton një rritje të mirëqenies së familjarëve, por mund të jetë dhe një tjetër skenar.

“Rritja e shpenzimeve me 6.2% është e konsiderueshme sepse nuk mundet që një familje të reduktojë shpenzimet për konsum të zakonshëm e të rrisë ato të luksit, tregon një përmirësim të mirëqenies, por duhet analizuar si është i shtrirë fenomeni.

A është situatë e prekshme nga të gjithë apo është një grup i popullatës që shpenzon përherë e më shumë? Unë besoj fort që është kjo e dyta që e shpjegon si fenomen”, shprehet eksperti Tola.

Ekspert dhe profesor i financës, Igli Tola/Gazetasi.al

Shpjegimi i z.Tola është i qartë kur kuptohet mekanizmi i “bukurisë”. Injektimet estetike nuk janë shërbime që i kryen vetëm njëherë, por shërbime që “të lënë, nëse i lë”.

Dhe ndonëse mjekët nuk preferojnë të flasin për gjendjen financiare të pacientëve të tyre, ata tregojnë se të gjithë mund t’i bëjnë shërbimet, por jo të gjithë i mbajnë.

Kostot e trajtimeve estetike, të llojit filler, Botox dhe të ngjashme nisin nga 100-200 euro, sipas masës dhe firmës që përdoret.

Një injeksion me filler zgjat maksimumi 9-muaj, duke krijuar kështu nevojën e riinjektimit. Botox-i e humb efektin në 3 muaj dhe ndryshe nga filler-i që lë gjurmë edhe pas përfundimit të efektit, Botox zhduket tërësisht duke rikthyer pacientin sërish në pamjen që nuk dëshironte ta kishte më.

Fasetat e porcelanit, që janë më të kërkuarat, kushtojnë rreth 300-400 euro për dhëmb me nevojën për t’u zëvendësuar të paktën në një dekadë (pa përmendur kostot e mirëmbajtjes).

"Të gjithë kërkojnë Hollywood Smile", Alba Koshovari, Glamour Dental/ Gazetasi.al

Mbjellja e flokëve kushton rreth 2.000 euro.

Kryerja e këtyre trajtimeve i shtohet portofolit ku qëndrojnë trajtimet e përhershme të bukurisë, si mirëmbajtja e flokëve, thonjve, lëkurës etj duke e rënduar më shumë atë. 

Tregu botëror i injektimeve për vitin 2023 kaloi PBB-në e Shqipërisë, 18.95 mld dollarë dhe pritet që deri në 2030-n të trefishohet.

Një tjetër studim i McKinsey konkludoi se Botox-i mund të jetë një indikator i një recesioni ekonomik. Gjatë recesionit të vitit 2008, përdorimi i Botox ra lehtë, por u rikuperua shpejt. Vitin e shkuar, kompania bëri një tjetër anketë vetëm 6% e të pyeturëve do të hiqnin dorë nga injektimet në rast krize ekonomike.  

Siç thotë një nga drejtuesit e studimit, Olivier Leclerc, njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë të plaken vetëm se ka një recesion.

Një studim nga profesorët e universitetit të Oxford, i pari i këtij lloji,  gjeti se perceptimi social mbi individët përmirësohet kur ata kryejnë trajtime faciale.  Një person me një fytyrë më të bukur krijon përshtypje të një individi me intelekt dhe status social më të lartë, thotë studimi. 

I njëjti studim kreu një anketë me 1.500 individë të të gjitha moshave, duke i treguar atyre pamje të 3.000 pacientëve para dhe pas ndërhyrjeve.  Në 77% të rasteve, individët me ndërhyrje u vlerësuan si më të edukuar dhe më të suksesshëm financiarisht.

Kur u pyetën për gjendjen financiare të personave me trajtime estetike, gati gjysma e të anketuarve i perceptuan ata si individë me të ardhura të larta, mbi fashës së 50 mijë dollarëve.

Grafikët më poshtë tregojnë si ndryshon perceptimi i qytetarëve për të njëjtët individë para dhe pas ndryshimeve, nga marrëdhëniet sentimentale tek ato profesionale.

Në një studim të veçantë mbi përdorimin e Botox , Dana Berkowitz, profesoreshë mbi studimet gjinore në universitetin e Luizianës gjeti se përdoruesit e Botox janë dëshmi e përdorimi të trupit si një shenjë suksesi, për të arritur suksese të tjera. Shumë gra nuk kanë akses në shëndetësinë primare dhe aksesi në Botox i përket qartazi një kategorie tjetët sociale.

“Nëpërmjet kultivimit të qëllimshëm të kapitalit të tyre (trupit), individët mund të grumbullojnë kapital ekonomik”, shkruan Berkowitz në konkluzionin e studimit të saj.

Pasqyrë moj pasqyrë...

Në librin “Portreti i Dorian Gray”, Oscar Wilde e përmend pasqyrën si personifikim të mendimeve të Dorian, aty ku bota e krijuar në imagjinatën e tij merrte jetë. Shpjeguar nga një psikolog, pasqyra nis të duket si një kafaz. 

“Hasen raste të cilët kanë një perceptim të shtrembëruar të vetes, ku mendojnë se tipare të caktuara në trupin apo fytyrën e tyre nuk janë në proporcionet e duhura apo se janë larg ideales e kjo i bën që të ndjejnë se janë në qendër të vëmendjes dhe kritikës të njerëzve të afërt por edhe të panjohurve. Raste të tilla të cilat shfaqen me auto kritikë të dobët mbi veten e vet kanë dhe një fuqi të vogël për të kontrolluar ngjarjet në mjedisin në të cilin jetojnë dhe hasin vështirësi në menaxhimin e vetes. Rastet ekstreme mund të shmangin edhe kontaktin me botën e jashtme”, shpjegon Hida, duke shtuar se çrregullimet para-ekzistuese të humorit si depresioni dhe ankthi shfaqen me një incidencë më të lartë tek individët që ndjekin procedura estetike dhe mund të përkeqësohen pas operacionit.

Psikologe Hida risjell në vëmendje gjetje të studimeve shkencore, të cilat mbështesin argumentin se në ndërhyrje në fytyrë ndikon në një përmirësim të gjendjes së pacientit, por studimet janë kryer për një kohë të shkurtër.

“Të dhënat janë kontradiktore midis studiuesve sa i takon ndërhyrjeve estetike në fytyrë dhe aktualisht sipas studiuesit Goin ndërhyrjet estetike nuk kanë përmirësuar ose përkeqësuar ndjenjat e depresionit. Meninguad dhe kolegët në studimin e realizuar prej tyre tek pacientët të cilët i ishin nënshtruar ndërhyrjeve estetike në fytyrë konkluduan se pacientët mund të vuanin nga depresioni ose ankthi para ndërhyrjes ndërsa pas ndërhyrjes elementët të cilët lidhen me ankthin uleshin pasi ishin të lidhur drejt për drejt me ndjenjat e vetë vlerësimit të pacientit. Në këtë formë pacientët të cilët vuanin nga ankthi apo depresioni pas ndërhyrjes kishin lehtësim sipas Meninguad. Megjithatë studimet janë kryer në periudha kohe të shkurtra pas ndërhyrjes dhe lind pyetja se çfarë ka ndodhur me pacientët në periudha kohe më të gjata?!”, sqaron psikologia duke shtuar se nuk është e njëjta gjë për të gjitha llojet e ndërhyrjeve.

Hida përmend një studim të realizuar nga Jacobson dhe kolegët, ku u gjet se pacientët të cilët i ishin nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për zmadhim gjoksi kishin 3 herë më shumë gjasa për vdekshmëri nën kushtet e vetëvrasjes krahasuar me popullatën e përgjithshme. Gjithashtu tek pacientët që kanë bërë zmadhimin e gjoksit dhimbjet janë raportuar se zgjasin 3-6 muaj pas operimit.

Manolita Hida, psikologe klinike/Gazetasi.al

“Studiuesit argumentojnë se mund të ketë lidhje midis dhimbjes së raportuar pas operimit dhe kushteve para ekzistuese psikologjike para operimit. Ndërsa pacientët të cilët kanë qenë mbipeshë dhe i janë drejtuar ndërhyrjeve kirurgjikale për reduktim peshe, është konsideruara se kanë pasur një cilësi të ulët jete pasi stili i tyre i jetës nuk ka ndryshuar dhe simptomat depresive kanë vijuar të jenë prezentë”, raporton psikologia.

Lufta për të përmbushur standardet e shoqërisë është një betejë e pafundme e vetes dhe libri i Ëilde rezulton analogjia më e mirë.

Oscar Wilde e shkroi librin bazuar në historinë e një miku të afërt të tij dhe përveç se mikun, ai përshkruajti një fenomen të njohur si “dismorfofobia” apo frika ndaj ndryshimeve fizike dhe plakjes.

Wilde, Gray dhe të gjithë e dinë se bukuria është pushtet dhe pushteti ose trashëgohet ose blihet...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë