Para

Dallga e dollarit do të ‘përmbysë’ ekonomitë e vendeve të tjera

Në vitin 1971, John Connally, sekretari i thesarit amerikan atëherë, i tha kolegëve të tij europianë se dollari ishte “monedha jonë, po problemi juaj”. Gjatë gjysmës së shekullit pasuese, ekonomia botërore u transformua, por deklarata e Connally-t mbetet e vërtetë: edhe pse vlera e dollarit përcaktohet nga Amerika, luhatjet e tij prekin botën. Një dallgë e tillë është afër.

Agjenda e Donald Trump nuk është ende shumë e qartë, por lëvizjet në tregun e bursave tregojnë se çfarë presin investitorët, S&P 500, indeksi i kompanive gjigande amerikane arriti kulmin gjatë datave 6, 7 dhe 8 nëntor. Tregtarët presin se administrata e re do të rrisë të ardhurat e tyre me anë të reduktimit të taksave dhe lehtësimet ligjore, ndërkohë që huamarrja e qeverisë rritet. Një kombinim i një deficiti më të lartë dhe një rikthimi të inflacionit, mund të detyrojë bankën qendrore të rrisë interesat. Interesat e larta e bëjnë më tërheqëse investimin në asetet në dollar, duke siguruar një të ardhme të mirë për monedhën e gjelbër.

Një pjesë e këtij skenari, po luhet që tani. Më 7 nëntor, Rezerva Federale, uli me 0.25% normën bazë të interesit duke e çuar në 4.75%. Por Jerome Powell, drejtuesi i saj,  e la të hapur mundësinë për një “ngrirje” të normës, por jo për ulje. Këtë herë, ai nuk tha se ka besim për një rënie të inflacionit, siç tha në shtator. Parashikimi për një rritje të interesave, ka rritur vlerën e dollarit me 1.5% gjatë javëve të fundit.

Një dollar në rritje zakonisht vjen me një ekonomi botërore në rënie. Një arsye është se përgjatë trazirave ekonomike, investitorët synojnë të shesin asetet e tyre me risk dhe të investojnë në asete të sigurta, në këtë rast dollari. Një ekonomi e keqe rrit dollarin dhe një dollar në rritje, përkeqëson ekonominë. Një publikim i FMN-së në 2023-shin, gjeti se një rritje me 10% në dollar ul me 1.9% prodhimin e ekonomive në zhvillim. Vendet e pasura preken më pak, 0.6%. efekti mund të zgjasë 2 vite e gjysmë.

Luhatjet në vlerën e dollarit e trondisin ekonominë botërore nëpërmjet dy kanaleve: tregti dhe financë. Më shumë se 40% e tregtisë botërore bëhet në dollarë. Një forcim i dollarit do të thotë se kostot e importuese rriten, ul kërkesën për të mira dhe redukton volumin total të tregtisë. Në Azi dhe Amerikën Latine, kanë më shumë rëndësi se monedha lokale. Një studim akademik gjeti se 1% rritje në dollar, ul me 0.6% tregtinë e vendeve të tjera.

Financiarisht, një dollar në rritje prek qeveritë që kanë marrë hua në dollarë, që do të thotë se pesha e tyre e borxhit dhe interesat, fryhen. Interesat më të larta në SHBA, bashkë me një dollar në rritje, e bëjnë investimin në pjesën tjetër të botës shumë më pak tërheqëse. Kapitali del nga ekonomitë në zhvillim dhe i detyron ata të rrisin interesat në një moment që ekonomia e tyre po preket dhe nga një ngadalësim i tregtisë .

Në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit, kur rezultatet e para të zgjedhjeve u qartësua, yield-i i thesarit Amerikan u rrit fort. Njësoj dhe ai australian dhe japonez.

Mbetet për t'u parë, Nëse një dollar i fortë do të zgjasë. Vetë Donald Trump është ankuar prej kohësh se një monedhë e madhe dëmton prodhuesit vendas dhe vendet e punës, por ai nuk mund të detyrojë bankën të ulë normat dhe për sa kohë ato qëndrojnë të larta, monedha amerikane do të jetë strehimi i preferuar i investitorëve  - dhe një vend me gjemba për pjesën tjetër të botës.

Burimi:TheEconomist/Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë