Nga Gazeta Si- Edhe pse në buxhetin e 2025 janë parashikuar shpenzimet e kontratës së Check-Up deri në 2027, ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu tha në komisionin Hetimor se nuk është marrë ende vendimi për vijimësinë e programit. Kontrata e kontrollit shëndetësor bazë, e njohur si check-up, është në vitin e fundit të saj.
E pyetur në Komisionin Hetimor, ministrja Koçiu tha se në përfundim të kontratës aktuale do të kryhen vlerësime dhe analiza për të dhe ekspertë të fushës do të vendosin më pas se si do të vijohet.
Pas kësaj ka reaguar deputeti i PL Petrit Vasili i cili e sheh të papranueshme këtë deklaratë, duke shtuar se është e absurde që në 9 vite koncesion, ministria nuk ka ende një vlerësim se sa funksional ka qenë si koncesion dhe nëse ia vlen të vijohet me të.
“Pas gati 9 vitesh ministria ka krijuar profilin se për çfarë bëhet fjalë. Është absurde që nuk e dini se çfarë është bërë këto vite dhe nuk keni një analizë. Duhet ta kishit vendosur nëse vazhdon apo jo. Nëse jo, për çfarë na hyri në punë kjo kontratë. Nuk ka si të jetë një rastësi që do e shikojmë në fund dhe të shohim çfarë do dalë, çfarë keni bërë këto 9 vite. Nuk është diçka që mund të vendoset për 6 muaj”, tha i revoltuar Vasili.
Koçiu tha se për vijimin e koncesionit do të merren në shqyrtim një sërë faktorësh si lëvizjet demografike, prioritetet e shëndetësisë dhe buxheti. Pas këtyre do të gjykohet se si do të vijojë ky lloj program.
E pyetur për gjetjet e KLSH, ku tregohej se koncesioni i Check-up-it ka marrë 6.5 mln euro shtesë për shërbimet e pakryera, ministrja Koçiu u shpreh se kontrata ia ka dalë të arrijë qëllimin kryesor që sipas saj, ka qenë sensibilizimi i popullatës, gjë që prapë sipas saj, nuk është arritur dhe duhet ende punë.
Vasili tha se vetëm 1 e 3-ta e popullatës e merr shërbimin dhe 1 nga rezervat më të mëdha për të mos bërë këtë koncesion ka qenë sepse kjo praktikë nuk funksionon.
“Të gjitha vendet e kanë parë si një praktikë jo efektive. Ka dhe vende shumë të pasura që nuk e kanë përqafuar këtë program. A mund të më thuash pse qytetarët nuk e kryejnë Check-up-in kur sipas jush janë sensibilizuar?”, tha Vasili.
“Unë vërej se shoqëria jonë ka ende nevojë të kujtohet për diagnostikimet e hershme. Popullata jonë e ka ende të domosdoshme të sensibilizohet. Duhet akoma më shumë punë që ta kenë në kulturë dhe për fat të keq duhet të punojmë akoma më shumë. Kjo ka qenë një nga qëllimet kryesore të këtij programi dhe është bërë një punë shumë e mirë”, tha Koçiu, duke e lënë të paqartë nëse është arritur objektivi i këtij programi apo jo.
Vasili ndaloi edhe tek një shqetësim tjetër të mjekëve të familjes të cilët kanë qenë përgjegjës për të bërë Check-up-in.
Ai tha se mjekët janë detyruar për të bërë një numër të caktuar analizash në ditë dhe në momentin që nuk kanë kapur objektivat, ato janë gjobitur, me shuma që kanë shkuar deri në 30 mijë lekë.
“Fakt është se ka pasur detyrime numerike për mjekët e familjes për Check-uo dhe janë dënuar.
Mjekët kanë pohuar se janë detyruar të bëjnë një numër të caktuar analizash dhe kanë paguar dhe deri 30 mijë lek gjobë”, tha Vasili.
“Kontratat kanë detyrime dhe të drejta. Tek detyrimet janë detyrat që mjeku duhet të kryejë. Nuk di ndonjë rast që mjeku është sanksionuar pa të drejtë. Nëse ka ndodhur diçka e tillë, secili është i lirë të ndjekë procesin gjyqësor. Patjetër që është detyrë e mjekëve që të kujdesën për pacientët dhe një nga kujdeset është të shkojë të bëjë kontrolle dhe analiza. Gjithsecili duhet të respektojë detyrimet që ka, për sa kohë është në kontratën individuale të mjekut të përgjigjet për shëndetin e popullatës”, tha Koçiu.
Ndërsa Vasili shtoi se Check-up është një veprim vullnetar dhe është padrejtësi që të dënohet mjeku për një veprim vullnetar, duke e bërë fakt para ministres se është një shqetësim që ka ndodhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.