Ngjarje

Rinis operacioni për emigrantët nga ‘vendet e sigurta’, të hënën anija Libra zbarkon në Shqipëri

Gazeta Si – Nga e hëna që vjen, 4 nëntor, anija “Libra” e Marinës Detare Italiane, do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampeduza për të patrulluar ujërat dhe për të mirëpritur emigrantët e shpëtuar në Mesdhe në kuadër të marrëveshjes me Shqipërinë.

Sipas mediave italiane, anija do të kryejë kontrollin e parë në bord dhe më pas do të devijojë për të transportuar për në Shqipëri vetëm burrat e rritur “jo vulnerabël” dhe  që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta sipas legjislacionit italian.

Në thelb, Gjykata e Romës vendosi se procedura e përshpejtuar e kufirit nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian.

Tani është e qartë, për Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, një vend nuk mund të përcaktohet i sigurtë, nëse edhe një pakicë e vogël qytetarësh janë në rrezik dhe i takon gjyqtarit përgjegjës që të dallojë rast pas rasti nëse riatdhesimi do të rrezikonte jetën e personit.

Prandaj nëse do të ndiqen kriteret e Gjykatës së BE-së, Roma do të duhej të rishikonte listën e saj të vendeve të sigurta, duke përjashtuar për shembull Tunizinë, Egjiptin apo Bangladeshin nga ku vijnë shumica e azilkërkuesve. Por ky do të ishte fundi i paktit Rama-Meloni.

Ndërkohë, pas nisjes dhe kthimit mbrapsht të grupit të parë të emigrantëve në tetor, pas përplasje së mëvonshme me gjyqësorin, sherrin e nxehtë politik dhe polemikat mbi kostot e operacionit, qeveria italiane po përpiqet sërish të vijojë me zbatimin e marrëveshjes, e forcuar kësaj here nga një lëvizje e duhur.

Më 21 tetor, qeveria e Giorgia Melonit miratoi një dekret ligjor që shënon përmirësimin e listës së saj të “vendeve të sigurta”, e cila kaloi nga normë dytësore në primare, me qëllim që të forcojë dhe imponojë si prioritare në hierarkinë juridike në raport me udhëzimet e Gjykatës Evropiane.

A do të ketë sukses nisja e dytë me anije të emigrantëve? Në realitet, mund të mos mjaftojë të vazhdohet pa pengesa dhe polemika të tjera.

Të martën e kaluar mbërriti dokumenti i parë zyrtar që vë në dyshim legjitimitetin e këtij vendimi: Gjykata e Bolonjës, duke shqyrtuar një ankesë të paraqitur nga një tridhjetë vjeçar nga Bangladeshi, të cilit i ishte refuzuar azili, i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të përcaktonte nëse dekreti i qeverise nuk duhet të zbatohet, duke qenë se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi “të sigurt” bien ndesh me ligjin evropian.

Kjo është për të shmangur rrezikun e një deportimeve në shkelje të parimit të mos-kthimit, parim ky thelbësor i të drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, kampet emigrantëve në Shëngjin dhe tre objektet e akomodimit në Gjadër, ai për azilkërkuesit, për emigrantët që do të riatdhesohen dhe ata të burgut, prej dy javësh kanë mbetur pa “mysafirë”, por të populluar nga thuajse 300 punëtorë: përkthyes, pastrues, personel mjekësor dhe infermierë, oficerët e policisë, policia financiare dhe karabinierët.  Një tjetër shenjë se pavarësisht fillimit “ters”, qeveria italiane është e vendosur të ecë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë