Nga Gazeta Si- 10 deputetë të Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend projektligjin për ‘Statusin e minatorit’, projektligj që ka për qëllim të garantojë mbrojtje të veçantë sociale dhe përmirësimin e kushteve të punës për këtë grup profesional, i cili përballet me rreziqe të larta për shkak të natyrës së punës tyre. Në vendin tonë rezultojnë rreth 7,500 punonjës në miniera.
Një vëmendje e veçantë në këtë projektligj iu kushtohet kushteve shëndetësore dhe sigurisë në punë.
Sipas projektligjit, minatorët duhet të kenë të drejtën për shërbime mjekësore të veçanta për sëmundjet që lidhen me sektorin e minierave.
Gjithashtu, kujdesi shëndetësor për çdo minator të dëmtuar për shkak të punës duhet të jetë në çdo institucion shëndetësor privat ose publik pa pagesë, njëjtë dhe për çdo minator që ka një sëmundje e cila vërtetohet se vjen direkt ose indirekt nga puna nëntokë. Ndërsa, në rast sëmundjesh që nuk mund të kurohen brenda vendit, përfituesit duhet të kurohen jashtë vendit falas.
Përfituesit e statusit të minatorit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend dhe çdo minator që pëson aksident në vendin e punës ka të drejtë për kompensim të plotë për dëmtimin fizik apo mendor të shkaktuar nga aksidenti në punë sipas legjislacionit në fuqi.
Në projektligj shkruhet se kur përfituesi i statusit aksidentohet me vdekje në punë, familjarët përfitojnë pension në masën 50 për qind të pagës referuese, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Ky pension indeksohet njëlloj si pensionet e tjera. gjithashtu, fëmijët e personave që vdesin në punë, kur ndjekin arsimin e lartë, shteti duhet tu sigurojë bursë.
Gjithashtu, parashikohet se çdo minator që ka punuar të paktën 25 vite në minierë ka të drejtë të dalë në pension të parakohshëm, pa penalitete.
Pensioni suplementar për minatorët do të jetë 3% shtesë për çdo vit shërbimi mbi kufirin minimal të përcaktuar për pensionin bazë.
Ndërkohë, në projektligj parashikohet se shteti do të ofrojë mbështetje për përgatitjen e minatorëve për punësim alternativ pas daljes në pension apo në rast të paaftësisë për punë të mëtejshme në miniera.
Ndërsa minatorët që humbasin vendin e punës për shkak të mbylljes së minierave, apo faktorëve të tjerë jashtë kontrollit të tyre, kanë prioritet për ri punësim në të njëjtin sektor apo sektorë të tjerë.
Paga e minatorëve përcaktohet në kontratën kolektive, thuhet në projektligj, por në asnjë rast nuk mund të jetë më pak se dyfishi i pagës minimale në vend.
Gjatë periudhës së papunësisë, minatorëve iu njihet e drejta të përfitojnë shpërblim në masën e pagës minimale duke shtuar dhe masën për vjetërsi në punë për një periudhë 5-vjeçare.
Minatorët të cilët kanë punuar të paktën 10.5 vjet nëntokë mund të dalin në pension përpara 25 vjet punë por jo më pak se 20 vite.
Por, në asnjë rast pensioni nuk mund të jetë më i vogël se 130 për qind e pagës minimale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.