Politike

Shqipëria 2030, anëtare e BE? Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Etilda Gjonaj: I kemi të gjitha mundësitë. Jetike gjithëpërfshirja politike

Nga Gazeta 'Si'-Nënkryetarja socialiste e Komisionit të Integrimit Etilda Gjonaj beson se Shqipëria është në një moment shumë të favorshëm për të ecur shpejt me reformat e kërkuara, me qëllim që të arrijë objektivin për të bërë gati vendin për anëtrësim në Bashkimin Europian në vitin 2030.

“Ambicia për të bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është një qëllim i realizueshëm, duke besuar se është edhe një proces i bazuar në meritokraci. Përparimet që ne kemi arritur në përmbushjen e standardeve dhe kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian janë të dukshme.”- tha Gjonaj në një intervistë për Gazetasi.al.

Ish-Ministrja e Drejtësisë, e cila merr pjesë dhe në Komisionin e Posaçëm parlamentar për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin, duke treguar hapat që do të ndërmarrë Shqipëria për të përmbushur detyrimet me reformat, rendit dhe reformat kyçe që duhen realizuar, ato që njihen si reformat e dhimbshme të integrimit.

“Këto reforma kërkojnë një transformim të thellë, kompleks dhe të menjëhershëm të shumë strukturave institucionale, ekonomike dhe sociale. Po ashtu, janë sfiduese, pasi lidhen me fusha kritike, që mund të shkaktojnë rezistencë, si lufta kundër korrupsionit, modernizimi i administratës publike, ekonomia apo gjyqësori.”- u shpreh nënkryetarja e Komisionit të Integrimit për Gazetasi.al, ku nuk mungoi edhe një apel për opoitën.

"Ambicia për të bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është një qëllim i realizueshëm", thotë Gjonaj

Gazeta Si: Kemi mbi 20 vjet që flasim për negociatat me BE. Tani që ato nisën, çfarë ndodh konkretisht? Cilat janë veprimet, reformat, vendimet që duhet të merren nga Shqipëria? 

Etilda Gjonaj: Së pari, dëshiroj të theksoj se në të gjitha sondazhet e Eurobarometrit dhe të strukturave të tjera të BE-së, shqiptarët mbajnë vendin e parë për dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, kjo e krahasuar me të gjitha vendet e rajonit apo vendet e tjera që kanë filluar procesin e integrimit europian. Nga ana tjetër, dua të theksoj përparimet domethënëse që Shqipëria ka bërë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në familjen e madhe europiane për Shqipërinë 2030. Dëshmi e këtij progresi është mbajtja e ­ Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri - BE, më 15 Tetor, e cila shënon një gur themeli në hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë. Ky është një hap historik, i bazuar në një proces tërësisht meritokratik dhe një meritë e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Ajo vjen pas përpjekjeve të mëdha dhe reformave të thella me shtetin e së drejtës, me Reformën në Drejtësi, me atë që ka bërë në rritjen ekonomike, investimeve, turizëm, ashtu si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Shqipëria e ka marrë vendimin për hapjen e negociatave në korrik të 2022, kur u mbajt edhe Konferenca e parë ndërqeveritare, duke i hapur rrugë procesit screening, që vlerëson përputhshmërinë e të gjithë kuadrit legjislativ të vendit tonë me BE-në dhe, pas një periudhe 14-mujore, falë punës intensive të Kryenegociatores dhe të grupit negociator, një ekip shumë të dedikuar, të përbërë nga stafet e institucioneve shtetërore qëndrore dhe të pavarura, ne kemi arritur të mbyllim këtë fazë me sukses. Tashmë me vendimin e hapjes së negociatave për grupin e I-rë “Themeloret”, BE na jep mundësinë që të ulemi konkretisht për të negociuar mbi kriteret e anëtarësimit.

Pritshmëritë tona janë që deri në fund të dhjetorit të këtij viti të mbajmë Konferencën e Tretë Ndërqeveritare, ku do të hapen negociatat për grupin e kapitujve që lidhen me politikën e jashtme. Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive në këtë fushë, për shkak të përputhshmërisë së plotë me politikën e jashtme të BE-së. Vlen për t’u theksuar koherenca e vendimmarrjes së Shqipërisë për marrjen e masave të njëjta ndaj Rusisë si vendet e tjera të BE-së, etj. Synojmë gjithashtu që brenda qershorit të vitit 2025 të mbahen edhe dy konferenca të tjera, ku të hapen 4 grup-kapitujt e mbetur, me qëllim përfundimin e hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave.

Shqipëria në këto fusha do të duhet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm për përafrimin e plotë me acquis të BE-së si edhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera të nevojshme në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Kjo do të përfshijë paraqitjen e propozimeve të detajuara, sigurimin e dëshmive të përputhshmërisë me rregullat dhe standardet e BE-së dhe të qenit i hapur për ndryshim të mëtejshëm për të arritur harmonizimin me acquis të BE.

­Çelja e negociatave për grup kapitullin e I-rë, në vetvete, përfaqëson një moment kyç në thellimin e  bisedimeve për të negociuar mbi kriteret e anëtarësimit, të cilat Shqipëria do të duhet të përmbushë për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Negociatat për grup kapitullin e I-rë janë të parat që hapen dhe të fundit që mbyllen dhe përcaktojnë ecurinë e procesit të negociatave, duke marrë shkas se janë edhe më të rëndësishmet, pasi lidhen me shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës.

Gazeta Si: Pse thuhet se kur nisin bisedimet e anetarësimit me BE vendi duhet të ndërmarrë reforma të dhimbshme? Cila është dhimbja që akoma s’e kemi provuar përmes reformave?

Etilda Gjonaj: Reformat që një vend ndërmerr gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian shpesh quhen "reforma të dhimbshme", sepse kërkojnë një transformim të thellë, kompleks dhe të menjëhershëm të shumë strukturave institucionale, ekonomike dhe sociale. Po ashtu, janë sfiduese, pasi lidhen me fusha kritike, që mund të shkaktojnë rezistencë, si lufta kundër korrupsionit, modernizimi i administratës publike, ekonomia apo gjyqësori. Këto ndryshime mund të konsiderohen "të ndjeshme dhe të dhimbshme" për disa segmente të shoqërisë, por ato janë të domosdoshme për të siguruar një të ardhme ku sundimi i ligjit dhe fuksionimi i demokracisë janë të panegociueshme.

Në rastin e Shqipërisë, disa reforma janë perceptuar si të vështira, por kanë qenë të domosdoshme për qytetarët, madje duke i lehtësuar nga “dhimbja” e shkaktuar nga papërgjegjshmëria e atyre që duhet t’u shërbenin. Për shembull, siç kemi ndërmarrë reformën në drejtësi, për shumëkënd një mision i pamundur për një sistem të politizuar, të korruptuar dhe me vendimmarrje në shërbim të koorporatës. Dhe ja ku jemi sot, me pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ku rreth 57% të tyre të larguar nga sistemi, me një strukturë të specializuar për antikorrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK), që në çdo sondazh rezulton një ndër institucionet më të besueshme për shqiptarët, duke rrëzuar pak nga pak mitin e paprekshmërisë dhe pandërshkueshmërisë në figurat dhe zyrtarët e lartë.

Duke parë dhe duke qënë të vetëdijshëm çfarë kemi arritur deri tani në gjithë reformat shtetformuese, ky është momenti për ta ­çuar në një nivel tjetër dhe për ta vijuar me thellimin e reformave për forcimin e shtetit të së drejtës. Prandaj, në këtë përpjekje, si për të përmbushur pritshmëritë e procesit të integrimit europian, edhe për të prioritizuar në krye të agjendës së shtetit politikat e forcimit të shtetit të së drejtës për qytetarët, është ngritur edhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar. I përfolur me një retorikë politike, madje cinike të ditës, ai mund të konsiderohet një hap i dhimbshëm për disa, por një hap absolutisht i domosdoshëm, pasi nuk duhet ta humbim vetëdijen mbi problematikat që ende ekzistojnë në sistem në lidhje me korrupsionin, pavarësisht rezultateve të jashtëzakonshme që kanë ardhur përmes digjitalizimit të shërbimeve, ku korrupsioni i vogël është minimalizuar tërësisht.

Komisioni i Posaçëm ka marrë një qasje gjithëpërfshirëse, duke trajtuar 3 shtyllat kryesore të mirëqeverisjes, të luftës kundër korrupsionit dhe të sundimit të ligjit. Kjo do të nxisë masa ligjore dhe institucionale që jo vetëm do të përshpejtojnë procesin e integrimit europian, por do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën e qytetarëve. Qëllimi kryesor është që qytetarët të ndiejnë ndryshimet reale që vijnë nga këto përpjekje.

Megjithëse Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në këtë rrugëtim, mbeten ende sfida të rëndësishme përpara, dhe do të nevojiten reforma të tjera, që mund të jenë po aq të vështira sa ato që kemi ndërmarrë deri tani. Ajo që është më e rëndësishme është vullneti i palëkundur i qeverisë për t’i realizuar këto reforma sepse ato janë përgjigja për atë që qytetarët shqiptarë kanë dashur dhe duan, si asnjë vend tjetër në rajon, integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin europian.

Gazeta Si: I vetmi vend që është përpara nesh me reformat për anëtarësim është Mali i Zi. Sa shanse ka që ne të kualifikohemi para Malit të Zi në garën për t’u anëtarësuar në 2030?

Etilda Gjonaj: Ne jemi vende që ndodhemi në faza të ndryshme të procesit, ashtu si pothuajse të gjitha vendet e rajonit me specifikat dhe datat e tyre, por ajo që ka rëndësi është se i gjithë rajoni duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Keqardhëse që Maqedonia e Veriut nuk ishte në të njëjtën konferencë ndërqeveritare si Shqipëria, përsa kohë që e nisëm këtë proces bashkarisht dhe padyshim për Maqedoninë e Veriut nuk është çështje plotësimit të kritereve, por të një vendimmarrje politike që lidhet me veton e Bullgarisë. Nëse do t’i referohemi datave të hapjes së negociatave, Mali i Zi ka hapur zyrtarisht negociatat në vitin 2012, ndërkohë që ne i kemi hapur negocitatat zyrtarisht në vitin 2022. Megjithatë pavarësisht diferencës kohore, pavarësisht se ne nuk jemi në garë me njëri- tjetrin, por nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria të përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit përpara vendeve të tjera të rajonit, pasi suksesi në këtë proces varet nga një sërë faktorësh që tejkalojnë thjesht kronologjinë e fillimit të negociatave.

Duke e konsideruar procesin e integrimit europian jo thjesht një proces teknik, por edhe një proces politik me një natyre shumë komplekse, si për vetë vendin aspirues, edhe për vetë BE-në, vonesat gjatë rrugës nuk lidhen vetëm me përpjekjet e brendshme të vendeve kandidate si Shqipëria, por edhe me sfidat e brendshme të BE-së dhe dinamikat politike të vetë unionit. Fakti që BE-ja ka miratuar Metodologjinë e Re të Zgjerimit e bën procesin më kërkues, por, gjithashtu, krijon më shumë mundësi për përshpejtimin e reformave dhe përparimin më të shpejtë, nëse vendi arrin të plotësojë në kohë dhe cilësi kushtet e kërkuara.

Vullneti i qeverisë shqiptare dhe i kësaj maxhorance është ndërmarrja e reformave, të cilat do të thellojnë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë për rritjen e investimeve, konektivitetin, agjendën e gjelber, etj.

Gazeta Si: Shqipëria është pjesë e paketës së financimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për rritjen e ekonomisë së tyre para anëtarësimit. Çfarë reformash duhet të bëjë që të përfitojë pjesën e saj rreth 920 milionë euro?

Etilda Gjonaj: Plani i Ri i Rritjes, i miratuar nga Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, është një nga iniciativat më ambicioze të BE-së për të ndihmuar rajonin që të afrohet me standardet evropiane përpara anëtarësimit, që synon të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme, përmes reformave të thelluara dhe mbështetjes financiare.

Shqipërisë iu akordua rreth 920 milionë euro, përfshirë fonde të pakthyeshme dhe kredi me kushte të favorshme, por ky fond lidhet me përmbushjen e një sërë reformave socio-ekonomike, si përmirësimi i mjedisit të biznesit për të tërhequr investimet e huaja; zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës, me një fokus tek energjitika dhe dekarbonizimi; zhvillimi i inovacionit dhe digjitalizimit apo bashkëpunimi rajonal përmes zbatimit të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe reformat për shtetin e së drejtës, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

Për të siguruar fondet e parashikuara, vendi duhet të përafrojë legjislacionin dhe rregulloret e tij me acquis të BE-së në fusha kyçe si lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, si dhe të marrë masa për të integruar më tej sektorët kryesorë ekonomikë me tregun e vetëm evropian. Kjo do të kërkojë jo vetëm angazhime të forta institucionale, por edhe zbatimin rigoroz të politikave të reja.

Gjithashtu, Shqipëria duhet të përmbushë një sërë kushtesh të pagimit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me realizimin e reformave specifike socio-ekonomike që zhbllokojnë potencialin e rritjes ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja, përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e stabilitetit ekonomik e rajonal.

Një tjetër hap kyç është zbatimi i një agjende ambicioze reformash që përfshin përmirësime të dukshme në fushat e sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Ne duhet të angazhohemi maksimalisht për përmbushjen e reformave të nevojshme për të garantuar përdorimin e suksesshëm të fondeve. Siç është theksuar nga Komisioni Evropian, vonesat në ratifikimin e marrëveshjeve apo mosrealizimi i reformave mund të çojnë në humbjen e mundësive financiare dhe alokimin e tyre në vendet e tjera të rajonit që përparojnë më shpejt.

Për këtë qëllim, rezultatet që do të prodhojë Komisioni i Posaçëm Parlamentar për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit janë me rëndësi, pasi do të jetë jo vetëm hartuesi i një politike kombëtare me masa ligjore dhe institucionale në këto fusha, por do të jetë edhe një nxitës në koordinimin dhe nxitjen e të gjitha institucioneve për të realizuar këto reforma si një kriter i rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gazeta Si: Me zgjedhje gjithnjë të kontestuara, me media të cilësuar nga BE si nën censurë dhe autocensurë, si dhe me financime jo transparente, me një gjyqësor delikat në pavarësinë e tij, me një mjedis politik të ndezur në çdo kohë, e shihni Shqipërinë në disfavor për të ecur shpejt përpara me reformat?

Etilda Gjonaj: Këto që ju përmendët si, censura në media, zgjedhjet e kontestuara apo financimet jo transparente qëndrojnë më shumë si perceptime, që ushqehen nga aktorë që kanë interes të shihet në këtë mënyrë dhe padyshim çështje që mund të ndikojnë në perceptimin e vendit nga ndërkombëtarët.

Megjithatë, nuk duhet harruar se, pavarësisht këtyre sfidave, vendi dhe Qeveria mbeten të patundur ndaj ndërmarrjes dhe thellimit të reformave, ashtu siç bëmë me Reformën në Drejtësi. Si një nga reformat më thelbësore të ndërmarra deri më tani, me rezultate tashmë të dukshme, me thyerjen e pandërshkueshmërisë, kjo reformë po ptovon së askush nuk është mbi sundimin e ligjit.

Institucionet e drejtësisë së re, si SPAK, po veprojnë për të hetuar dhe ndëshkuar individë të niveleve të larta, të lidhur me pushtetin, duke fortifikuar njëherë e mirë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit tonë gjyqësor.

Për sa i përket financimeve, edhe në Raportin e Komisionit Europian 2023, është theksuar përkushtimi i qeverisë shqiptare për përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor që rregullon koncesionet dhe PPP-të për të arritur standardet e BE-së. Janë duke u zbatuar metodologji të reja, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, për të përmirësuar proceset e prokurimeve dhe për të ulur rreziqet e korrupsionit dhe siguruar përdorimin më të mirë të fondeve publike. Në këtë kontekst, mekanizmat e kontrollit financiar po forcohen për të garantuar një menaxhim më të mirë dhe të kujdesshëm të financave publike, duke përmbushur një nga kushtet kryesore për transparencë dhe qeverisje të mirë.

Dhe për të kaluar tek mjedisi politik, që qartësisht është një reflektim i krizës së brendshme opozitare apo interesave personale, sesa një problem i vendit. Po, protestat janë një mjet legjitim dhe i rëndësishëm në një shoqëri demokratike, por kur ato devijojnë drejt dhunës, si në rastin e protestës së 7 tetorit, ku përdorimi i molotovëve dhe shkatërrimi i pronës publike u bënë të dukshme, ato nuk përfaqësojnë më zërin dhe interesat e shumicës së qytetarëve, përkundrazi shtojnë tensionet dhe pasigurinë. Qytetarët në këtë rast kanë zgjedhur të distancohet nga dhuna dhe destabiliteti. Sa për mazhorancën, ne e kemi thënë dhe nuk do të ndalojmë së thënuri se mbetemi të fokusuar në përmbushjen e vizionit të saj për Shqipërinë e vitit 2030, duke vazhduar punën dhe duke iu përgjigjur interesave të qytetarëve.

Edhe pse sfidat nuk mungojnë, duhet të theksojmë se ato nuk janë të papërballueshme dhe, më e rëndësishmja, nuk kanë penguar përpjekjet dhe vullnetin tonë për të avancuar me reformat, përfshirë ato në drejtësi, luftën kundër korrupsionit apo administratë publike, të domosdoshme për të arritur qëllimin tonë kombëtar, Shqipëria në Europë në 2030!

Gazeta Si: A duhet që PS në këtë fazë të ofrojë një pakt kombëtar për uljen e tensioneve me opozitën për të siguruar një gjithëpërfshirje dhe konsensus për reformat apo PS ndihet më komode që ta kryejë vetë këtë sipërmarrje? 

Etilda Gjonaj: Ne si Partia Socialiste, gjithmonë i kemi shtrirë dorën për bashkëpunim opozitës, sepse integrimi është çështje në interes kombëtar dhe jo partiak. Edhe në krijimin e ­Komisionit të Posaçëm ‘Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian’, një proces me rëndësi për anëtarësimin e Shqipërisë, ne kemi qenë gjithmonë pala negociuese dhe nxitëse për përfshirjen e opozitës në këtë nismë, por, për fat të keq mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre ka vazhduar dhe po vazhdon.

Është thelbësore të kuptojmë se integrimi në BE është për Shqipërinë, për shqiptarët dhe jo për interesat e kaheve politike. prandaj është jetike përfshirja e të gjitha forcave politike për ta ­çuar Shqipërinë në familjen e madhe europiane deri në vitin 2030!­

Një vend bëhet më i fortë kur palët bashkohen për të mirën e përbashkët!

Gazeta Si: Sa e realizueshme është ambicia për të bërë Shqipërinë gati që të përfitojë nga një derë e hapur e BE-së për anëtarësimin në 2030-ën?

Etilda Gjonaj: Ambicia për të bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është një qëllim i realizueshëm, duke besuar se është edhe një proces i bazuar në meritokraci dhe përparimet që ne kemi arritur në përmbushjen e standardeve dhe kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian janë të dukshme.

Në këtë drejtim, janë ndërmarrë reformat të brendshme radikale, si Reforma në Drejtësi, një prej shtyllave kyçe që kanë përmirësuar perceptimin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për t'u bashkuar me familjen e madhe europiane. Ne jemi në fazën e konsolidimit të saj, për një sistem sa më transparent dhe më llogaridhënës, si një nga gurët themelore për të garantuar sundimin e ligjit, një nga kërkesat më fundamentale të BE-së. Për herë të parë këtë vit, Shqipëria dhe disa vende të rajonit u renditën së bashku me 27 vendet e BE-së në Raportin e monitorimit të shtetit të së drejtës që BE publikon për të krahasuar standartet e vendeve tona me ato europiane.

Nga ana tjetër, pavarësisht arritjeve, jemi të vetëdijshëm se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një sfidë kyçe për vendin, por, njëkohësisht, edhe një fushë ku është bërë progres i prekshëm.

Ambicia për anëtarësimin në vitin 2030 në BE nuk është vetëm një retorikë politike, por një vizion strategjik që lidhet fort me të ardhmen e vendit. Dhe më shumë sesa një vizion i kahershëm i qeverisë është misioni i çdo dite për të ndërtuar një të ardhme të bazuar ku sundimi i ligjit respektohet, ku demokracia funksion për këdo dhe në respektim të plotë të të drejtave të njeriut në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Për të realizuar këtë qëllim ambicioz, ne jemi të vetëdijshëm për nevojën e një pune të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm në aspektin politik, ku mbështetja nga BE-ja është evidente, por edhe në arritjen e standarteve dhe përafrimin e legjislacionit tonë me acquie communitaire. Ne duam të shfrytëzojmë këtë momentum historik për Shqipërinë, duke bërë të mundur që t’i japim këtij procesi të gjithë vullnetin politik, angazhimin institucional të të gjithë institucioneve shtetërore, publike, si dhe përfshirjen e të gjithë shoqërisë, me qëllim që Shqipëria të jetë anëtare në Bashkimin Europian në 2030.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë