Taksa

Rama: Deklarimi i pagës detyrim moral e ligjor, bizneseve u kemi falur 1.1 mld lekë. Gonxhe: 63% e subjekteve në shkelje. Në një vit është shtuar informaliteti

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama ka takuar sot përfaqësues të bizneseve, strukturave tatimore dhe taksapagues në kuadër të fushatës kundër informalitetit.

Shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, ministri i Brendshëm dhe ministrja për Klimën e Biznesit, Rama tha se deklarimi i pagës nga ku buron fondi i pensioneve janë detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim midis sektorit privat dhe shtetëror.

 “Sigurimet shoqërore nga të cilat buron fondi i pensioneve janë një detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral i patjetërsueshme për të krijuar mundësinë që zinxhiri i solidaritetit të funksionojë. Ai detyrim sapo shlyhet shkon tek dikush që merr një pension. Institucioni i Sigurimeve Shoqërore nuk është fitimprurës, por siguron transferimin e fondeve nga përfituesit e të ardhurave nga puna në sektorin publik ose privat që kanë detyrim të paguajnë sigurimet shoqërore. Sot do fokusohemi te informaliteti i pagave si një armik”, tha Rama.

Kreu i qeverisë paralajmëroi sipërmarrësit se nëse nuk reflektojnë “do të duhet të përballen me situata siç u përballën hajdutët e energjisë elektrike”, duke shtuar “deri në kolaps të kompanisë”.

“Nuk do të pranojmë në deklarime pagash të cilat nuk i besojmë, shumë e thjeshtë, mbi bazën se çfarë thonë analizat e tregut. Ndërtuesit që do të deklarojnë 60 mijë lekë pagë që nuk ekziston fare, duhet të kuptojnë që nuk do ju pranohet, do ju thuhet plotësoje se ke një gabim.

Dhe nëse nuk do ta reflektojnë do të duhet të përballen me situata siç u përballën hajdutët e energjisë elektrike, deri në kolaps të kompanisë. Për çfarë? Për të mos u paguar haraçin pensionistëve”, tha Rama.

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se qeveria po “i fal” shumë para bizneseve me anë të lehtësirave fiskale që u janë bërë nga qeveria, me vlerë deri 1.1 mld lekë.

Ai theksoi se bizneset e vogla nuk do të kenë taksë dhe TVSH deri në vitin 2029, për t’i dhënë mundësi dhe frymëmarrje që të zhvillohen.

“Këtu është një grup i rëndësishëm, interesi dhe praktikisht është ana tjetër e medaljes, nevojës për të rritur pensionet, që është sipërmarrje. Rastësisht dje, unë u ndodha midis një shërbimi këtu në Tiranë dhe e pyeta pronarin sa e kishte pagën minimale. 600 euro pagën minimale për sanitare dhe 1120 euro pagën mesatare. E sjell këtë shembull për të thënë se këto janë pagat reale për sektorët përkatës. Kjo është paga reale për të gjitha shërbimet e kësaj natyre në Tiranë dhe pak më e ulët në zonat e tjera.

Por kur vjen puna te deklarimi i pagave, pasqyra është komplet tjetër. Ne jemi i vetmi vend në rajonin tonë, që e kemi biznesin e vogël me zero taks dhe për një kuriozitet, nuk ka vend tjetër në botë, por po flasim për rajonin, ku vetëm 10% e bizneseve paguajnë tatim-fitim.

90% e bizneseve kanë të çliruara nga barra e tatim-fitimit, si rezultat e një strategjie të qeverisë tonë, prej vitesh tanimë, që kemi vendosur që deri në 2029 biznesin e vogël ta lëmë pa taksa dhe TVSH deri në 200 mijë euro xhiro. Për t’i dhënë frymëmarrje, për t’i dhënë mundësi të zhvillohet. Por ka një shifër tjetër më të jashtëzakonshme në unikalitetin e vetë. Në Shqipëri vetëm 20% e bizneseve paguajnë TVSH. 2/3 nuk e paguajnë për të njëjtat arsye që thashë. Dhe nga të gjitha lehtësirat që i janë bërë bizneseve, këtu shoh njerëz nga sektori i turizmit, e kishin 20% TVSH përpara disa viteve dhe me të drejtë kërkonin një tjetër TVSH. Ne kemi rënë në një rajon ku janë të gjithë peshkaqenë te  e Mesdheut. Ja bëmë më të ulëtën, 6%.

Dhe e dini se sa është shuma që shkon në arkën e sipërmarrësve nga këto lehtësira? Është 1.1 miliardë euro në vit. Dhe po flasim për 1.1 miliardë euro në buxhetin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Gonxhe: Është rritur informaliteti. 63% e bizneseve me shkelje

Pjesë e takimit, ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe, tha se ka një rritje të informalitetit në vend.  

"Nga inspektimet është vërtetuar se 63% e subjekteve në shkelje, me elementë të informalitetit gri si mosdeklarimi i pagës, mungesa e kontratës, moskalimi i pagës në sistemin bankar, përllogaritja e pagës, apo e turneve të dyta e të treta për punonjësit. Punëmarrësit informalë të identifikuar rezultojnë me rritje madje krahasuar me një vit më parë me 29%. 1984 punëmarrës informalë të futur në skemën e pagës formale gjatë procesit inspektues vetëm përmes masave të marra nga ky inspektoriat."

Ministrja e Shtetit për Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se ka dy rrugë për të rritur pensionet; marrja e parave nga rritja ekonomike apo rritja e formalitetit në tregun e punës, duke rritur kështu kontributet, dhe kjo e fundit është rruga që do të ndjekë qeveria.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se pjesë e fushatës kundër informalitetit do të aktivizohet edhe Policia e Shtetit, për të siguruar zbatimin e detyrimit të sigurimeve shoqërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë