Shendet

Të rinjtë me probleme të tiroides, ekspertët: Mungesa e jodit si pasojë e dietave

Nga Gazeta Si- ‘Jam 34 vjeç dhe pas lindjes së vajzës më nisën problemet me tensionin e lartë. Gjatë ditës kam mungesë përqëndrimi që më ndikon tek puna. Pas një vizite tek endokrinologu, u diagnostikova me strumë, ose nodus të zmadhuar’.

Ina, nënë e një vajze 4 vjeç është një prej shumë të rinjve e të rejave që i shtohet numrit të pacientëve të diagnostikuar me problem të tiroides.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se një nga shkaqet kryesore të sëmundjes së tiroides tek kjo kategori aktive është deficenca e jodit.

Ekspertja e ISHP, pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, Jolanda Hyskaj në një prononcim për Gazetasi.al, thotë se megjithëse Shqipëria ka përmirësuar ndër vite sistemin e monitorimit dhe kontrollit të prodhimit, importit dhe tregtimit të kripës së jodizuar, bazuar në standardet e OBSH, vijon të ketë raste sidomos tek të rinjtë të diagnostikuar me deficencë jodike.

Ekspertja e ISHP, pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, Jolanda Hyskaj

“Shqipëria, sikurse dhe vendet e tjera në Evropë, nuk siguron jod mjaftueshëm nga burimet natyrore, uji e toka e për pasojë dhe ushqimet që prodhohen në vend kanë pamjaftueshmëri jodike.

Me ndryshimet në stilin e jetesës, ushqyerja është ndër shkaqet që shkakton deficencë jodike, ku dietat e varfra me ushqime të përpunuara, pa proteina, prodhime deti që janë të pasura me jod, prodhime shtazore si qumështi e veza, kanë rritur rriskun për më shumë raste me deficencë jodike, të cilët evidentohen më së shumti tek të rinjtë e të rejat aktivë”’, thotë ekspertja e ISHP, Jolanda Hyskaj.

Sipas saj, jodi është mikroelement i nevojshëm për ushqyerjen. Ai duhet të jetë në sasi të vogla i përqëndruar në gjëndrën e tiroides.

Jodi mundëson prodhimin e funksionimit të disa hormoneve që përcaktojnë elemente të metabolizmit të organizmit tonë.

“Nëse nuk e kemi jodin në sasinë e duhur, shkaktohen probleme në organizëm, sidomos tek grupet më vulnerabël, gratë shtatzëna, gratë me gji, fëmijët.

Të gjithë vuajnë pasojat e mungesës së jodit, por spektri i çrregullimeve nga mangësia e jodit është më i dukshëm tek fetusi, duke shkaktuar aborte, lindje të parakohshme, apo problem mental tek të porsalindurit”, thotë ekspertja Jolanda Hyskja.

Sipas një studimi kombëtar mbi pamjaftueshmërinë jodike në Shqipëri, ISHP konstatoi se vendi ynë kishte dalë për herë të parë nga lista e vendeve në zhvillim me deficencë jodike.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se puna e përbashkët institucionale dhe kontrolli periodik i bazuar në ligj për kripën e jodizuar në treg, janë disa nga faktorët e përmirësimit të situatës.

E megjithatë, rreziku për rikthimin sërish në të shkuarën, ku popullata raportonte mbi 50 për qind probleme të deficencës jodike, duket se është evidente.

Hyskaj thotë se kjo lidhet jo vetëm me kontrollin e tregtimit të kripës së jodizuar, sipas standardeve të OBSH por sidomos me ushqyerjen që nis që në familje, duke vazhduar me shkollat e më gjerë.

Ndërgjegjësimi i popullatës, për pasurim të dietës ushqimore me produkte që përmbajnë sasi të lartë Jodi, ku veçanti përbën dieta mesdhetare, mbetet sfida e shëndetit publik.

Me qëllim ttë shmangim këtë spektër çrregullimesh nga mungesa e jodit, OBSH në bashkëpunim me shoqatën ndërkombëtare për parandalimin e çrrgullimeve nga pamjaftueshmëria jodike, rekomandojnë që sasia ditore e jodit tw jetw 90-100 mikrogram për moshat 1-10 vjec, pwr adoleshentët deri 150 mikrogram, për nënat shtatzënë.

Për të kontrolluar kripën e jodizuar në nivel kombëtar ka një sistem monitorimi. Kripa ushqimore e prodhuar apo e importuar e tregtuar në Shqipëri, është objekt kontrolli. Në 2020 ka një amendim të ligjit që përmirësoi përgjegjësitë e detyrat për monitorimin dhe inspektimin e kripës.

Janë disa inspektoriate që punojnë në grup pune dhe ligji mundëson kompetencat e gjithsecilit.

Megjithatë, monitorimi është rregullator, pas ndërhyrjeve ligjore. Në 2021 u krye një studim i madh kombëtar dhe për herë të parë pamë se nuk ka deficencë Jodi në popullatën shqiptare, në zonat rurale apo urbane, pati nivele të duhura të jodit.

“Sigurimi i marrjes së jodit është thelbësor. Tabloja e të ushqyerit mbetet problem tek të rinjtë dhe adoleshentët. Nuk duhet ulur vigjilenca, duhet të shtohen kontrollet për ndalimin e tregtimit të kripës së pajodizuar në treg pasi kthimi pas është i rrezikshëm”, thotë ekspertja e shëndetit publik Jolanda Hyskaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë