Ne rrjet

Planet sekrete të NATO-s për të rritur forcat, duhen 150 mijë ushtarë të tjerë dhe më shumë mbrojtje kundërajrore

Udhëheqësit e Aleancës Atlantike po bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur objektivin deri në vitin 2030. Sekretari i ri i NATO-s, Rutte: Duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt

Gazeta Si – Ndoshta disa nga qeveritë e NATO-s duhet të kenë marrë frymë të lehtësuar. Samiti i vendeve që mbështesin Ukrainën, i planifikuar të mbahej në Ramstein, Gjermani, më 12 tetor, është shtyrë për një datë të mëvonshme, pasi presidenti amerikan Joe Biden anuloi udhëtimin e tij në Gjermani, vizita e tij e parë shtetërore në Republikën Federale, për shkak për emergjencën kombëtare të shkaktuar nga uragani “Milton” në Florida.

Po, sepse në bazën e madhe ushtarake amerikane në Palatinat, krerët e shteteve dhe qeverive të Atlantikut, jo vetëm që do të kishin biseduar së bashku me të gjithë të tjerët për ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Kievin.

Por ata do të ishin përballur personalisht për herë të parë me planet e reja të Aleancës, të cilat gjenerali amerikan, Christopher Cavoli dhe admirali francez, Pierre Vandier, dy drejtuesit ushtarakë të organizatës, i kanë dërguar në kryeqytetet e vendeve pjesëmarrëse të NATO-s, që në pranverën e kaluar.

Bëhet fjalë për dokumente konfidenciale, përmbajtjen e të cilave e zbuloi ditët e fundit e përjavshmja gjermane, “Welt am Sonntag”, në të cilat të dy zyrtarët vendosin “Kapacitetet e Kërkesave Minimale” të reja, aftësitë minimale që kërkohen nga 32 vendet e NATO-s, përballë kërcënimit në rritje të Rusisë dhe nevojës për të forcuar mekanizmin e mbrojtjes aleate.

Vetë Sekretari i ri i Paktit, ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, e tha qartë këtë kur mori detyrën më 1 tetorin e kaluar: “Ne kemi nevojë për forca më të shumta dhe të pajisura më mirë, një industri më të fuqishme të mbrojtjes transatlantike dhe një kapacitet për prodhim më të madh në këtë fushë. Duhet të shkojmë më tej dhe më shpejt”.

Konkretisht, NATO u kërkon vendeve anëtare të shkojnë shumë përtej pragut minimal prej 82 brigadash “të gatshme luftarake”, në gjendje për të luftuar, të konsideruara të mjaftueshme para luftës në Ukrainë, duke i çuar ato në 131 deri në vitin 2031.

Një rritje, pra me 49 njësi nga 5 mijë ushtarë secila, për një total prej të paktën 150 mijë personel më shumë.

Jo vetëm kaq, krerët ushtarakë shprehin gjithashtu shqetësimin e madh për boshllëqet e mëdha në mbrojtjen kundërajrore dhe antiraketë, përballë kërcënimit të përhershëm të raketave ruse “Iskander” dhe kundër-anijeve të stacionuara në enklavën e Kaliningradit, pra në një distancë të shkurtër nga kryeqytetet kryesore evropiane.

Kështu, dokumentet tregojnë si objektiv deri në vitin 2030 një rritje dramatike të njësive të mbrojtjes kundërajrore të Atlantikut me bazë tokësore, nga 293 në 1.467.

Kështu, bëhet fjalë për të shumëzuar me pesë sistemet aktuale operative, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, “Patriot”-in amerikan, “Iris-T Slm” gjerman, “Samp/T”, italo-francez.

Situata aktuale është problematike veçanërisht në vendet e mëdha: Gjermania ka vetëm 9 sisteme “Patriot”, pasi ia ka shitur një Ukrainës, Franca ka rreth dhjetë “Samp/T”, ndërsa Italia, e cila kishte katër të tilla, sot ka vetëm dy “Samp/T” funksionale, pasi njëra iu dha Kievit dhe tjetra është në mirëmbajtje.

Fakti që përmbajtja e një informacioni kaq të ndjeshëm u zbulua në media, është një shenjë e shkallës së shqetësimit midis komandave aleate përballë qëndrimit agresiv të Rusisë.

Ndërkohë, deklaratat e Rutte-s konfirmojnë dëshirën për të ushtruar presion mbi qeveritë e NATO-s, duke luftuar me kufizimet e buxheteve kombëtare: “Duke dhënë alarmin në nivelin e përgatitjes, Sekretari i ri i Përgjithshëm dëshiron të çojë përpara idenë që 2% e PBB-së për shpenzimet ushtarake të saj nuk mjafton më, por duhet synuar 3%”, thotë Elie Tenenbaum, nga “Institut Francais des Relations Internationales”.

Aktualisht vetëm 23 nga 32 vendet e NATO-s kanë arritur zyrtarisht objektivin prej 2% të vendosur që në vitin 2014 në samitin e Kardifit, pavarësisht se shpenzimet ushtarake të anëtarëve evropianë të Aleancës janë rritur nga 235, në 380 miliardë dollarë në dhjetë vitet e fundit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë