Drejtësia

Kroacia pranoi përgjimet e ‘SKY ECC’, po në dosjet në Shqipëri a do të njihen si prova ligjore?

Gazeta Si - Një vendim i Gjykatës së Lartë Penale në Kroaci, që lejon se komunikimet në aplikacionin “SKY ECC” do të shërbejnë si prova ligjore që mund të përdoren gjatë hetimeve gjyqësore ndaj grupeve kriminale,  mund të hapë një betejë juridike nga të ndaluarit edhe në Shqipëri të pëfshirë në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.

Disa prej tyre, siç është rasti i biznesmenit të arrestuar për dosjen “Metamorfoza”, Pëllumb Gjoka, kërkojnë pavlefshmërinë e këtyre përgjimeve.

Që që do të thotë se nëse nuk pranohen si prova ligjore, akuzat do të rezultonin të pavlevshme, edhe pse proceset penale kanë nisur.

“Të gjithë shpresonin që provat e mbledhura nga USKOK bazuar në analizën e komunikimit të bërë nga anëtarët përmes aplikacionit të koduar “SKY ECC”, i cili ishte marrë me urdhër hetimor evropian nga autoritetet franceze, do të shpalleshin të paligjshme”, shkruajnë mediat kroate.

Në fakt, edhe në Shqipëri po shqyrtohet nëse bisedat e “Sky ECC” mund të përdorën si prova. Kjo, pasi Gjykata Europiane e Drejtësisë ka rrëzuar përdorimin si provë në proceset gjyqësore penale, të bisedave të përfituara në mënyrë joligjore nga rrjetet e kriptuara Encrochat dhe SKYECC.

Kërkesa e GJED-it

GJED kërkon që provat e dërguara nga gjykata franceze me Urdhrin Europian të Hetimit Penal, të verifikohen nga autoritet gjyqësor i vendeve të tjera, nëse janë marrë në përputhje me procedurën e parashikuar nga legjislacioni i brendshëm dhe nëse janë në harmoni me parimet e të drejtës së shtetit përkatës.

“Nisur nga proceset penale që po zhvillohen në Shqipëri, rezultatet e përgjimeve të bisedave të të dyshuarve si përdorues të platformës Encrochat e SkyECC, edhe pse kanë ardhur me letërporosi prej autoriteteve gjyqësore franceze, nuk mund të përdoren për të justifikuar paraburgimin dhe dërgimin në gjyq të këtyre personave. Kjo për shkak se transkiptet jane rezultate të përgjimit masiv, që janë përftuar me ndërhyrje në fluksin e bisedave të të gjithë komunikuesve, në shkelje të parashikimeve të legjislacionit procedurial shqiptar dhe mos repspektim të garancive kushtetuese për fshehtësinë e korrespondencës, si dhe e çdo mjeti tjetër komunikimi. Vendimi i shpallur në datën 30/04/2024 nga GJED, detyron gjykatësin penal të çdo shteti anëtar që të përjashtojë përdorimin e transkripteve nëse nuk është bërë transparente mënyra e mbledhjes së tyre”, thuhet në vendim.

Përmes zbërthimit të këtyre aplikacioneve nga autoritetet franceze dhe belge, SPAK ka zbardhur me qindra biseda të dhjetëra grupeve kriminale shqiptare.

Deklarata e Altin Dumanit

Falë këtyre bisedave të zhvilluara në këto telefona, kohët e fundit dhe SPAK është angazhuar në inicimin e 4 çështjeve penale, duke goditur elementë të caktuar të botës së krimit dhe zyrtarë të lartë policie dhe prokurorie.

Një ndër pyetjet që ngrihen pas vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, është dhe fakti nëse është e ligjshme apo jo, ndarja nga drejtësia franceze e mesazheve të hakuara të “EncroChat” dhe “Sky ECC”, me vendet e tjera të BE dhe jo vetëm.

Në një takim me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha:  ”… një kolegj avokatësh, quajeni nëse doni dhe sindikatë me avokatë vendas dhe të huaj, janë bërë bashkë për të rrëzuar përmes vendimeve të gjykatave, bisedat e zbërthyera të aplikacionit “Sky ECC”, ku shumë eksponentë të krimit të organizuar dhe zyrtarë që dalin të implikuar në veprimtari kriminale…- u shpreh Dumani. - Përpara se të ndërmerrnim iniciativën për të goditur elementët e krimit në Shqipëri, ne kemi parë rastet homologe të vendeve europiane, të cilat kanë njohur si mjet provë bisedat e zhvilluara në “Sky”.

Padia e Pëllumb Gjokës

Por personazhe të caktuara, përgjimet e përftuara nga aplikacioni “Sky ECC”, i  kanë paditur si të pavlefshme në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Pas refuzimit të Gjykatës së Lartë për t’i rrëzuar si prova dhe hequr masën e sigurisë si investitor strategjik, Pëllumb Gjoka bëri padi në Kushtetuese ku kërkon pavlefshmërinë e këtyre komunikimeve.

Padia ka kaluar nga Dhoma e Këshillimit në seancë publike dhe pritet që së shpejti Gjykata Kushtetuese të caktojë datën e seancës.

Padia e Gjokës është ndaj Prokurorisë së Posaçme, e cila me të dhënat e përftuara nga “SKY ECC” ka arrestuar dhe vënë nën akuzë disa të dyshuar, ndërsa personat nën akuzë kundërshtojnë mënyrën se si janë tërhequr aktet nga SPAK të vënë në dispozicion nga autoritetet belge e franceze.

Kolegji kushtetueses parimisht ka vendosur ta kalojë në seancë publike por ende nuk ka asnjë vendimmarrje.

SPAK nga ana tjetër kërkon që kushtetuesja ta rrëzoj ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme. Pritet që deri të martën avokatët të dorëzojnë dokumentet shtesë që ka kërkuar Kushtetuesja.

Dosjet në Shqipëri

Në Shqipëri dy vitet e fundit, duke përdorur bisedat e “Sky” dhe “Encro”, Prokuroria e Posaçme ka goditur disa grupe kriminale.

Konkretisht, SPAK ka nisur hetimet për grupin e Durrësit të drejtuar nga Plaurent Dervishaj, grupin e Shkodrës të drejtuar nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka, grupin e drejtuar nga vëllezërit Çopja për eliminim kundërshtarësh në Elbasan dhe trafik kokaine kryesisht nga Belgjika, grupin e vëllezërve Avdylaj, Bami dhe Duka, përfshirë Ervis Martinajn dhe ish-deputetin Arben Ndoka.

Po ashtu, SPAK, ka përfshirë në hetime si të dyshuar pas arrestimit edhe ish-drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, psi gjatë zbërthimit të komunikimve në “SKY”, zbulohet se ka ndërhyrë në lehtësimin e pozitave për një person të përfshirë në një nga fraksionet e dosjes “Toyota Yaris”.

Një tjetër dosje që SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim, është dhe ajo ndaj ish-drejtuesit të lartë të policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ish-shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe për 9 të pandehur të tjerë, që akuzohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me trafikun e kokainës nga Amerika Latine, sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe pastrim të parave.

Ndërsa gjatë operacionit “Revanshi”, SPAK lëshoi 50 urdhër-arreste dhe goditi 7 grupe kriminale, ku pas një periudhe në arrati, u dorëzua në polici edhe ish-drejtori i Policisë së Lezhës.

E gjithë veprimtaria e tyre për kultivimin e kanasbit, u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin “Sky”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë