Politike

Skenarët e (pa)menduar të 7 tetorit

Opozita është mobilizuar për një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e kësaj të hëne në Tiranë. Prej pak ditësh, PD ka u shpërndarë një fletëthirrje qytetarëve, ku i fton t’i bashkohen protestës, në një tubim që premtohet të jetë ndryshe nga të mëparshmit. Ndërsa drejtuesit politikë të qarqeve, kanë pasur takime për organizimin e mbështetësve dhe ardhjen e tyre drejt kryeqytetit.

Veç tyre, drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike kanë pasur takime në rrethe. Sot kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi nga Fieri ka bërë thirrje për pjesëmarrjen masive. “Si asnjëherë më parë qytetarët janë të vendosur se ka ardhur koha për t’i treguar Edi Ramës se boll është boll. 12 vjet janë shumë kohë e humbur”, shkruan Gazment Bardhi, pas takimeve në Rreth Libofshë të Fierit, për t’u bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në protestën e së hënës. Ndërsa drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Kelliçi dhe anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari, mbajtën takim me strukturat, anëtarët dhe simpatizantë në Kryeqytet, në Njësinë 7. Këlliçi u shpreh ndër të tjera se “pakënaqësia është shumë e madhe ngado, dhe tek socialistët e ndershëm, të cilët presin që opozita të sjellë ndryshimin”.

Deri tani dihet se fillimisht qytetarët që do të vijnë nga gjithë Shqipëria do të mblidhen në qendër të Tiranës përballë Kryeministrisë dhe më pas do të shpërndahen në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

Do të jenë të paktën 5 nyje kyçe të Tiranës, ku protestuesit do të tentojnë që t’i bllokojnë. Protesta pritet që të nisë prej orës 18:00 dhe nuk ka një orë përfundimi të saj. Për një protestë të tillë, edhe masat e policisë do të jenë të shumta me rreth 1 mijë efektivë që do të angazhohen në terren, duke nisur nga Policia e Rendit, FNSH dhe RENEA, shtuar këtyre edhe efektivë civilë që do të jenë në çdo vatër proteste.

Problem mund të shfaqet nga grupet lëvizëse, që do të përbëhen kryesisht nga të rinjtë, që do të qarkullojnë nëpër Tiranë, një skenar ky i provuar edhe pak vite më parë. Në fletëthirrjen me mbishkrimin “E keqja e ka një emër”, thuhet ndër të tjera se: “Një njeri i vetëm, Edi Rama, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e veta. Ka asgjësuar zgjedhjet e lira, përmes patronazhistëve, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Ka bllokuar prej 11 vjetësh reformën zgjedhore. Mohimi i së drejtës për qeveri asnjanëse teknike për zgjedhjet e ardhshme, synon deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik. Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për ta ruajtur pushtetin personal. Mazhoranca në Parlament refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të Ramës përpara drejtësisë”.

Çka, pak a shumë, janë edhe arsyet e protestës së të hënës!

Ajo që dihet tjetër me siguri është se në protestë nuk do të ketë fjalime. “Fjalën e kanë qytetarët. Mjerë ai që provokon zemërimin e tyre. Skenarin e saktë të protestës do ta merrni vesh të hënën në orën 18:00. Është konceptuar si një protestë ku qytetarët i tregojnë regjimit se janë zotër të këtij vendi. Është kauzë që ia vlen të luftosh e sakrifikosh. Nuk do të heqim dorë prej kauzës sonë”, tha të premten në video-konferencë me mediat kreu i PD-së Sali Berisha.

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi për ABC News se “nuk do ketë fjalime, do ketë grumbullim para Kryeministrisë”. “Më pas, protestuesit do të shpërndahen në pika kyçe të Tiranës”, tha ajo. “Skenarin në detaje nuk mund ta themi. Mendoj që qytetarët nuk kanë nevojë më për fjalë, janë duke e vuajtur në kurriz keqqeverisjen, rrënimin e tyre ekonomik, dëshirën për t’u larguar nga vendi. Ndaj është menduar të kemi një grumbullim. Protesta e 7 tetorit është shumë e rëndësishme”, u shpreh ajo.

Poashtu, një ditë më vonë, mbrëmjen e së shtunës, kreu demokrat u shpreh se protesta e 7 tetorit do të jetë një mosbindje civile masive. Berisha e konsideroi këtë protestë si betejën e jetës së çdo opozitari. Ai tha se “kjo protestë është shansi ynë për t’u përballur me guximin tonë me një regjim që pasi shndërroi procesin themelor të shoqërisë së lirë, votën e lirë në farsë elektorale, riktheu në Shqipëri burgjet, gjyqet, persekutimin politik”.

Botuesi Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij “Koha Jonë”, se “diçka djallëzore qëndron prapa vendimit të PD-së, që askush të mos flasë në protestën e së hënës”. “Nëse do të kishte fjalime, dikush do të përgjigjet politikisht dhe penalisht poqese turma sulmon Kryeministrinë me mjete djegëse. Ndërsa duke thënë se “qytetarët janë zotër të Tiranës ditën e hënë”, kjo ia lë spontanitetit të mirëmenduar skemën e përplasjeve polici-turmë. Diçka djallëzore zien në kokat e drejtuesve të protestës, e cila do të lërë gjurmë, gjithsesi, në kryeqytet”, shkruan ai.

Skenarët e (pa)menduar të 7 tetorit duket se shkojnë paralelisht edhe me ashpërsimin e gjuhës publike të disa prej eksponentëve të opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, tha se shqiptarët duhet të bëjnë atë që bëjnë berlinezët apo parisienët kur dalin e protestojnë sa herë mendojnë se iu shkelen të drejtat. I ftuar në “News24”, Alizoti tha se Kuvendi u përket qytetarëve që me votat e tyre çojnë deputetët në sallën e Parlamentit, ndërsa u shpreh kritik për përjashtimin e 24 deputetëve të PD nga seancat plenare. “Kush ua jep të drejtën këtyre të përjashtojnë deputetët deri në dy muaj? Ne merremi me estetikën, kur këtu nuk funksionon asgjë. Këtu kanë hallin e estetikës, e gjërave banale, në një kohë kur këtu kemi autokraci. Mua më shqetëson se si do të shkojë kombi shqiptar, jo këto gjërat estetike me sherre në Kuvend, që i kemi parë në plot vende. PD nuk e ka zgjedhur asnjëherë radikalizimin, ka folur, por nuk ka qenë radikale”, është shprehur ai.

Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho tha se rasti i Ervin Salianjit, por edhe Olta Xhaçkës, janë gjithashtu ndër arsyet kryesore të protestës së opozitës. Sipas saj, qytetarët nuk kanë më nevojë për fjalë dhe se ata kërkojnë protesta të vazhdueshme dhe të forta. “Protestat e opozitës do të vazhdojnë, por kjo e 7 tetorit ka moment të rëndësishëm, ka rënë shteti ligjor, gjykata përdoret si instrument i politikanëve. Kjo është shumë e rëndë. Kur i ndodh një deputeti, imagjinoni çfarë i ndodh një qytetari të thjeshtë. Shqiptarët kanë dhe arsye të tjera, rritje e çmimeve, tallja me pensionistët, indeksimi 4.1 përqind. Pensioni mesatar në Shqipëri është 160 euro në muaj”, tha ajo në ABC News.

Edhe deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, duke folur në A2 CNN, deklaroi se “burgosja e Ervin Salianjit zgjoi nervin e opozitës dhe është vija e kuqe. “Qe një rast shumë flagrant që nuk la asnjë lloj hapësire për asnjë lloj interpretimi, qoftë politik, qoftë legalist, domethënë të ligjit. Ervin Salianji është në burg sepse denoncoi vëllain e një ministri. Kjo është fare e qartë. Është e gjitha qartësisht politike dhe ishte kambanë alarmi sepse ju prek nervi opozitës. Arrestimi i një djali të ri si Ervin Salianji, pas asnjë akuzë, të natyrës së korrupsionit, aferave. Por akuza dhe burgosja e Salianjit është forma më e qartë që projekton persekutimin që kjo qeveri, pushteti i Edi Ramës po i bën opozitës. Ndaj mendoj se është vija e kuqe e fundit që duhet reaguar”, tha Çollaku. I pyetur nëse ishte i përgatitur për të shkuar në burg në rast se policia do ta ndalonte për shkelje të ligjit, ai tha se është i përgatitur për të gjitha skenarët njëjtë si në vitin e largët 1991, duke kujtuar edhe se si veproi në atë kohë duke i marrë parasysh të gjitha ato që mund t'i ndodhnin.

Agron Duka, kryetar i PAA-së, nuk ka përjashtuar mundësinë që në protestën e 7 tetorit, të kemi një ripërsëritje të protestës së 21 janarit 2011. Duke folur në “News24”, Duka tha se nuk uronte skenarë të tillë, por nuk e përjashtonte. “Nuk duhet harruar fakti se kemi njerëz të kësaj mazhorance dhe kësaj qeverie që perceptohen si vjedhës të parave të qytetarëve, që i kanë futur dorën në xhep atyre. “Nëse ne do të dimë të mobilizojmë njerëzit, do të kemi protesta të mëdha, që mund të na çojnë edhe në rotacionin e pushtetit”, tha Duka.

7 tetori, sipas tij, mund të jetë një pikënisje për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë