Editorial

Unë s’kam më shumë lekë, ti s’ke, ai ka … Të gjithë konsumojmë më shumë?!

Të besosh se mirëqenia e shqiptarëve është rritur se është rritur konsumi nominal i familjeve, është iluzion.

INSTAT tregoi sot se në 2023 një familje shpenzoi mesatarisht rreth 92 mijë lekë në muaj. Ose rreth 3.7 për qind më shumë se e vitin 2022. Por nëse llogarisim inflacionin që ishte rreht 4,8, atëherë rezulton se jo vetëm që nuk është rritur konsumi, por përkundrazi konsumi real ka rënë me rreth 1.1 përdind.

Pra, shqiptarët në thelb kanë harxhuar më shumë lekë dhe jo vetëm që nuk kanë marrë më shumë, por as njësoj sa një vit më parë, përkundrazi kanë marrë më pak të mira për konsum…

Por për sa kohë ka rritje ekonomike, do të thotë që puna e ka financuar konsumin e rritur siç thotë INSTAT. Pra, ku i gjetën paratë shtesë shqiptarët që harxhuan më shumë?

Nga rritja ekonomike?!! Sipas Bankës së Shqipërisë në vrojtimin mbi gjendjen financiare të familjeve, të paktën deri në gusht të 2023-shit nuk pati rritje të punësimit por rënie. Rritje ka emigracioni, mbi 17 për qind. Kjo rritje dyshifrore dëshmon se emigrimi mbetet një burim i rëndësishëm për të mbajtur familjet dhe jo vetëm rritja ekonomike kombëtare.

Nga ana tjetër vlera e konsumit duket e lartë, por ajo nuk tregon plotësisht tablonë, sepse 45 për qind e familjeve janë me 17-50 mijë lekë në muaj të ardhura dhe 34 për qind kanë 50-100 mijë lekë në muaj, sipas INSTAT. Pra, shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk janë fare tek vlera mesatare e konsumit siç thotë INSTAT me 92 mijë lekë në muaj. Diferenca kaq e madhe në vlerë tregon se një PPB e dytë konsumohet ose fshehur ose në mënyrë të pabarabartë.

Por që tregosh Shqipërinë e varfër me shifrat e të pasurve, është një ëndërr e bukur vere.

Nëse do të shkundnim thesin e rritjes ekonomike për të shpresuar tek proverbi popullor se “thesin me miell sa herë të shkundësh aq herë do të nxjerrë”, do të vërenim sërish se ky miell i gatitur nga shqiptarët nuk shkon për shumicën e tyre.

Në 2023 rritjen ekonomike e solli turizimi dhe ndërtimi. Por po të shikosh zinxhirin e furnitorëve tek këto dy industri, është lehtësisht e dallueshme se shumica dërrmuese e të mirave dhe shërbimeve vijnë nga importi. Pra, një pjesë e madhe e prodhimit kombëtar nuk kreditohet përmes importeve nga ekonomi të tjera. E meqë ato para duhen kthyer sa herë paguhen faturat e importit në magjen e shumicës së shqiptarëve nuk ka mbetur asgjë nga thesi i rritjes ekonomike por vetëm për një pakicë. Pabarazia ekonomike duket edhe tek shifrat kur Banka e Shqipërisë kur thotë se vetëm 12 për qind kanë të ardhura më shumë se 100 mijë dhe kur gati 20 për qind e familjeve janë edhe më keq sepse janë nën kufirin e rrezikut për të mbetur të varfër.

Telegrafikisht shifrat e konsumit të ofruara sot zyrtarisht nuk tregojnë rritje, por fakte të tjera më të trishta që rishfaqen njësoj prej vitesh si në një qerthull: Inflacioni ka gërryer të ardhurat e familjeve shqiptare, shumica dërrmuese janë në nivelin mesatar të konsumit. Nga rritja ekonomike përfitojnë më shumë të pasurit (jo më kot shpjegohet rritja e shpenzime për estetikë) dhe të huajt përmes blerjeve tona nga importi. Siç mund të merret me mend, me 3.7 për qindje rritje ekonomike në 2023, ka pak vend për meritë të qeverisjes së mirë eknomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë