Kur u pyet nëse do të mbështeste një sulm izraelit mbi infrastrukturën nukleare të Iranit, presidenti amerikan Joe Biden ishte i qartë: Përgjigja është jo.
Megjithatë, disa ekspertë në Izrael kanë debatuar nëse forcat e saj ajrore duhet të kryejnë një sulm të tillë si hakmarrje për breshërinë e 180 raketave balistike që Teherani lëshoi në Izrael këtë javë.
Por pa mbështetjen e SHBA-së, një sulm ajror i vetëm izraelit mbi objektet bërthamore të Iranit do të ishte shumë i rrezikshëm dhe në rastin më të mirë do të vononte në vend që të shkatërronte programin e tyre, sipas analistëve.
Pse do të ishte i vështirë sulmi izraelit?
Arsyeja e parë është distanca. Janë më shumë se 1.000 milje nga Izraeli në bazën nukleare të Iranit dhe për të arritur atje, avionët izraelitë duhet të kalojnë mbi hapësirën ajrore sovrane të Arabisë Sauditë, Jordanisë, Irakut dhe potencialisht Turqisë.
Tjetra është karburanti. Të fluturosh dhe të kthehesh në Izrael do të kërkonte të gjithë kapacitetin ajror të Izraelit dhe do të linte pak ose aspak hapësirë gabimi, sipas një raporti nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit të SHBA.
E treta është mbrojtja ajrore e Iranit. Zona nukleare e vendit është e mbrojtur shumë mirë dhe bombarduesit izraelitë duhet të kenë mbrojtje dhe ushtarë ekstra. Kjo do të kërkonte 100 avionë, aq sa 1 /3 e flotës totale të Izraelit me 340 avionë.
Sa të mbrojtura janë infrastrukturat nukleare të Iranit?
Shkatërrimi i fasiliteteve bërthamore të Iranit do të ishte sfida më e madhe e Izraelit.
Centrali në qendrën e Natanz është thellë në tokë dhe centrali i dytë më i madh në Fordow është brena një mali. Shkatërrimi i tyre kërkon armë që mund të penetrojnë në dhjetëra metra gurë e beton para shpërthimit.
Izraeli ka bomba që mund të plasin një bunker, si GBU-31 mbi 900 kg, që hodhi në Beirut javën e shkuar e vraun kreun e Hezbollahut Hassan Nasrallah. Por raportoi se aty hodhi 80 bomba dhe ato nuk janë mjaftueshëm për të goditur infrastrukturën e Iranit.
Ekspertët thonë se ka vetëm një armë që mund të bëjë punën dhe është GBU-57A/B. Bomba gjigande me precizion është 6 metra e gjatë dhe peshon rreth 14 mijë kg dhe mund të depërtojë deri 60 m në tokë para se të shpërthejë, sipas ushtrisë amerikane.
A ka prodhuar vetë Izraeli bomba të këtij niveli?
Është e paqartë nëse Izraeli ka kapacitete të tilla. Disa ish-zyrtarë të SHBA-së kanë thënë se do ia ofrojë Uashingtoni.
Ehud Eilam, një ish-studiues në ministrinë e Mbrojtjes së Izraelit tha se edhe nëse Izraeli do ta prodhonte GBU-57B/A, avionët e saj bombardues F-15, F-16 dhe F-35 nuk do e mbanin dot.
Për më tepër, nuk ka asnjë shans që ”Izraeli do të jetë në gjendje të blejë një bombardues strategjik amerikan, siç është B-2 Spirit, që nevojitet për të hedhur një bombë të tillë”, tha Eilam.
Në teori, Izraeli në vend të kësaj mund të përdorë një nga aeroplanët e tij të shumtë të transportit C-130J Hercules për të hedhur një bombë GBU-57 nga dyert e ngarkesave, një procedurë e ngathët e njohur si "rënie në ramp". Por ajo nuk është krijuar për këtë lloj shpërndarjeje.
A ka opsione Izraeli?
Avionët e Izraelit mund të çaktivizojnë sitet nukleare duke bombarduar hyrjet e tyre të ajrit dhe sistemet e tjera suportuese. Kjo mund të ndërpresë centrifugat që përdoren për pasurimin e uraniumit, por nuk do t’i shkatërrojë plotësisht.
Sabotimi është mundësia fundore. Në vitin 2021, një problem energjetik, shkaktuar nga një shpërthim i planifikuar ndërpreu energjinë brenda Natanz. Në vitin 2010, SHBA dhe Izraeli goditën sistemin nukleare të Iranit me anë të një virusi në kompjuter. Sulmi nuk doli me sukses.
Në fund të fundit, shkalla e forcës që kërkohet për të dëmtuar seriozisht objektet kryesore të Iranit "do të kërkonte mbështetje të gjerë të SHBA-së, nëse jo përfshirje të drejtpërdrejtë", shkruan Darya Dolzikova dhe Matthew Savill nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në një studim të fundit. Edhe kjo gjithashtu "nuk do të garantonte shkatërrim total".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.