Ne rrjet

‘Anije-fantazmë’ ruse në brigjet e Anglisë, e ngarkuar me nitrat amoni rrezikon të shpërthejë si në Bejrut!

Një anije misterioze e ngarkuar me 20,000 ton pleh shpërthyes është ankoruar në brigjet e Kentit. Sipas mediave, ajo është në kushte të rënduara. Ka të njëjtën përbërje kimike si ajo që shpërtheu në portin e Bejrutit në vitin 2020, në sasi shtatë herë më të mëdha. Pse nuk u kthye në portin rus nga u nis për riparimet e nevojshme?

Gazeta Si - Një anije misterioze e ngarkuar me plehra kimike potencialisht shpërthyese është ankoruar disa kilometra larg brigjeve angleze të Kentit.

Por pas saj, dyshohet se qëndron një operacion i "flotës fantazmë" ruse, e cila ka transportuar armë dhe naftë në emër të Moskës që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Ruby” - ky është emri i ngarkesës - u nis një muaj më parë nga porti rus i Kandalashka-s, në gadishullin Kola, afër Finlandës.

Anija mban flamurin maltez, por është regjistruar si pronë e një kompanie në Dubai, e cila megjithatë çuditërisht operon nga porti sirian i Tartusit, i cili rastësisht është baza ruse në Mesdhe nga e cila lëviz "flota fantazmë".

“Ruby” ishte marrë me qira nga një kompani tjetër e Dubait e lidhur me Rusinë: një sistem kutish kineze që duket i krijuar për të turbulluar ujërat.

Ngarkesa transporton 20 mijë tonë nitrat amoni: në vitin 2020, më pak se 3 mijë tonë nga ky pleh i rrezikshëm, që përdoret gjithashtu për për krijimin e eksplozivëve për miniera, shpërtheu aksidentalisht në Bejrut, duke vrarë më shumë se 200 njerëz.

Është një përbërës që mund të shpërthejë në kontakt me zjarrin: dhe me sa duket “Ruby” është në gjendje shumë të keqe.

Anija misterioze u përpoq të ankorohej në portin norvegjez të Tromso-s për riparime, por autoritetet lokale refuzuan lejen për shkak të rreziqeve që lidhen me ngarkesën.

Më pas ajo lundroi përgjatë gjithë bregdetit norvegjez, duke u ankoruar për një kohë të shkurtër pranë bazës së NATO-s në Andoya.

“Ryby”, më pas kërkoi që të lejohej të shkonte në Lituani, por edhe këtu nuk iu dha leje dhe gjithashtu u urdhërua të mos hynte as në ujërat daneze.

Më pas, ngarkesa u drejtua drejt bregut anglez dhe hodhi spirancën përpara Margate-t, në Kent, duke pritur të merrte autorizimin për të kaluar Kanalin Anglez.

Tashmë anija është nisur për në Maltë, por autoritetet malteze thonë gjithashtu se nuk do ta lënë të afrohet nëse më parë nuk largon ngarkesën e saj.

Ajo që nuk kuptohet, është pse “Ruby” nuk u kthye në Rusi, nëse kishte nevojë për riparime: Moska ka përdorur anije civile në të kaluarën për të monitoruar infrastrukturat kritike si tubacionet e naftës dhe gazit në Detet e Veriut dhe ka nga ata që mendojnë se misioni i “Ruby”-t është një mënyrë për të testuar reagimet e vendeve të NATO-s kur përballen me një anije të rrezikshme.

Në dy vitet e fundit, menjëherë pas agresionit kundër Kievit, një grup anijesh filluan të lëvizin midis portit sirian të Tartusit dhe portit rus të Novorossisk, në Detin e Zi.

Kjo nyje detare, e pagëzuar “Sirian Express”, shërbente për të rikuperuar materialin luftarak të mbetur në Siri pas ndërhyrjes ruse së bashku me regjimin e Asadit, në luftën civile të atij vendi dhe adresuar me hekurudhë nga Novorossisk, drejt operacioneve në frontin ukrainas.

Bëhet fjalë për artileri të llojeve të ndryshme dhe mjete të blinduara, që shkuan për të mbështetur ofensivën e Moskës.

Por përveç aktiviteteve të “Sirian Express”, flota fantazmë e naftëmbajtësve të Kremlinit, e regjistruar me flamuj të tjerë, operon edhe në Mesdhe, nga Panamaja në Liberi dhe Gabon.

Bëhet fjalë për cisterna që eksportojnë në mënyrë klandestine naftë bruto ruse me një sistem shumë të rrezikshëm: ari i zi transferohet në det të hapur në anije të tjera të naftës dhe pagesa përkatëse bëhet gjithmonë në det.

Ky është një sistem që është në rrezik të lartë mjedisor, i rritur nga fakti se flota fantazmë përbëhet nga anije të vjetra që operojnë pa sigurime dhe jashtë rregulloreve detare.

Një “modus operandi” që ngjan shumë me atë të ngarkesës misterioze që tani ka mbërritur në përballë brigjeve angleze.

Burimi: "Corriere della Sera"; Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë