Gazeta Si - Avokatët e të pandehurve për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, janë paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK-ut për t’iu komunikuar mbyllja e hetimeve dhe për të marrë të gjitha aktet përfundimtare të kësaj dosje, ku akuzohen për "korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë" dhe "pastrim parash".
E para që mbërriti në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ishte avokatja Klodiana Gjyzari, e cila firmosi për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina, edhe kjo e fundit e pandehur.
Më pas u paraqit avokati Klodian Skënderi, i cili përfaqëson Jamarbër Malltezin. Ai dhe avokati i Xhimi Begesë u njoftuan zyrtarisht për mbylljen e hetimeve dhe morën me vete dosjen. Asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm sot në SPAK, por janë përfaqësuar nga avokatët e tyre respektivë.
Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi ishte i pranishëm të hënën në SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve dhe për të marrë dosjen në dorë.
Çfarë ndodh tani?
Nga dita e sotme nis afati 10 ditor ku përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve kanë të drejtën të sjellin kundërshtimet në dyert e SPAK.
Dosja prej 500 faqesh e përpiluar nga prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, kalon në GJKKO, ku përmes një një shorti elektronik zgjidhet një gjyqtar për seancën paraprake.
Gjykatësi paraprak vendos nëse janë kryer hetime të plota dhe nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme, ose vendos të rrëzohet çështja.
Këtu nis përballja në Gjykatën e Posaçme përmes një procesi gjyqësor. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i çelur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jetë nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie' dhe kanë mohuar akuzat duke i quajtur si politike nga kryeministri Edi Rama. Në çdo dalje publike, ata kanë sulmuar prokurorët e SPAK dhe kreun e kësaj prokurorie. Altin Dumani.
Akuzat
Më herët, struktura e posaçme i komunikoi akuzën pesë të pandehurve, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Andia Pustina dhe Xhimi Begeja.
Për këtë aferë, SPAK ka marrë të pandehur pesë persona, të cilëve iu komunikuan akuzat më 11 shtator.
Për këtë aferë, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”.
Një ditë më vonë, në dyert e SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begejas, si dhe financieres, Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin.
Dosja
Këta persona, janë të dyshuar në lidhje me privatizimin e ish kompleksit “Partizani”. Avokatët do kenë afat 10 ditë për të kundërshtuar provat e prokurorisë.
Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh e gjysmë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK, pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Vjeshtën e viti 2023, Gjykata e Posaçme shpalli tre masa sigurie, duke vendosur detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Berisha, i cili nuk u paraqit për t’u njohur me masën, kurse dhëndri i tij nga “arrest me burg”, përfundoi nën “arrest shtëpie”.
SPAK thotë se Jamarbër Malltezi është përfshirë në korrupsion dhe ka përfituar 5.4 milionë euro, gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Hetimet për këtë çështje nisën katër vite më parë, pas kallëzimit të depozituar nga deputeti socialist Taulant Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.