Gazeta Si - Sipas një studimi të publikuar në ‘British Medical Journal’, arresti kardiak është i zakonshëm te pacientët me Covid-19 në gjendje kritike dhe shoqërohet gjithashtu me mbijetesë të dobët.
Konkretisht, studiuesit analizuan të dhënat e 5,019 pacientëve të rritur, me Covid-19 në gjendje kritike, të shtruar në njësitë e terapisë intensive të 68 spitaleve amerikane.
Rezultatet kanë treguar se 14% e atyre pacientëve përjetuan arrest kardiak brenda 14 ditëve nga pranimi në ICU.
Nga këta pacientë, pak më shumë se gjysma (57%) janë trajtuar me reanimacion kardiopulmonar.
Krahasuar me pacientët që nuk vuanin nga arresti kardiak në spital, ata që e përjetuan atë ishin më të moshuar (63 vjeç, përkundër 60 vjeç), kishin më shumë sëmundje bashkëshoqëruese dhe më shumë mundësi për t'u shtruar në spitale me më pak shtretër në terapi intensive.
Sipas autorëve të studimit, ky është një aspekt i rëndësishëm sepse sugjeron se si burimet spitalore, stafi, përvoja dhe faktorë të tjerë të ngjashëm mund të kenë ndikim të rëndësishëm.
Për më tepër, mes pacientëve që morën reanimacion kardiopulmonar, të cilët ishin më të rinj se ata që nuk e morën (61 vjeç, përkundër 67 vjeç), vetëm 12% mbijetuan pas daljes nga spitali dhe vetëm 7% janë larguar nga spitali me status neurologjik normal ose mesatarisht të dëmtuar.
Të mbijetuarit, shumica e të cilëve kishin nevojë për një cikël të shkurtër reanimimi, ishin të një moshe tjetër nga ata që nuk ia kanë dalë: 21% ishin nën 45 vjeç, krahasuar me 3% me moshë 80 vjeç e sipër.
D dimer dhe arresti kardiak, ja lidhja
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, gjatë pandemisë së koronavirusit në vendin tonë është rritur ndjeshëm numri i pacientëve me probleme kardiovaskulare.
Një nga shkaqet e arrestit kardiak sipas tyre është rritja e D dimer.
‘Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, përfshirja e D-dimerit si një biomarker i prognozës dhe monitorimit të rrjedhës së kësaj viremie ka rezultuar shumë i dobishëm. Në një numër të caktuar pacientësh janë vërejtur vlera të larta të D-dimerit dhe tendencë për të formuar mpiksje gjaku.
Me infeksionin e Covid-19, shpesh ndodhin komplikime, të shoqëruara me trombozë të venave dhe arterieve në të gjitha pjesët e trupit.
U zbulua se vetë virusi është në gjendje të inicojë procesin e koagulimit dhe kështu të çojë në formimin e një trombi.
Nga ana tjetër, dihet se një përgjigje e fortë inflamatore e trupit mund të dëmtojë enët e gjakut dhe të fillojë procesin e trombozës në to dhe manifestohet pas lodhjes afatgjatë, shtrirjes së gjatë, çrregullimeve të përbërjes së gjakut dhe rritjes së viskozitetit. deri te temperatura e lartë dhe dehidratimi.
Në pacientët me pasqyrë klinike më të theksuar, virusi Covid-19, përveçse shkakton ndryshime në mushkëri, mund të prekë ndjeshëm sistemin venoz dhe atë arterial. Ndryshimet që mund të ndodhin janë stuhi citokine, ndërprerje e kaskadës së koagulimit dhe komplikime trombotike.
Gjithashtu është vënë re se komplikimet janë më të shpeshta tek personat që tashmë kanë probleme me enët e gjakut, si diabetikët, personat që vuajnë nga tensioni i lartë, disa sëmundje autoimune etj.
Gjatë epidemisë së Covid-19, u kryen studime të shumta shkencore që treguan se ekziston një korrelacion midis vlerave të ngritura të D-dimerit dhe ashpërsisë së sëmundjes.
Është konfirmuar se vlerat që janë shumë të larta (5 herë më të larta se normalja) në pacientët me Covid-19 kanë një shans më të lartë për një përfundim të keq.
Por a është arresti kardiak, infarkt?
Mjekët ekspertë thonë se arresti kardiak nuk është infarkt, edhe pse mund të çojë në një të tillë.
“Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.
Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit”, thonë ekspertët.
Ata theksojnë se duhet shkuar menjëherë në spital, pasi nëse kalojnë 10 minuta nga arresti, njeriu pëson dëmtime të pakthyeshme dhe mbetet gjithë jetën në koma.
“Njerëzit nuk duhet ta neglizhojnë dhimbjen e gjoksit. Nga 6 deri në 10 minuta, truri i njeriut fillon të pësojë dëmtime. Kjo çon në rrezik të jetës, por edhe në invalitet shumë të madh. Pas 10 minutash, dëmtimet janë të pakthyeshme, që do të thotë se personi mund të kthehet në jetë, por nuk do të zgjohet asnjëherë, pra do të jetë gjithë jetën në koma. Në një vit, në Shqipëri vdesin 3 mijë njerëz nga dhimbja e gjoksit’, thonë ekspertët e shëndetit publik.
Si ta njohim arrestin kardiak?
Para se personi të shkojë në arrest kardiak, ka një periudhë të shkurtër që i shfaqen shenjat, dhe nëse nuk shkon në spital, mund të rrezikojë jetën.
Nëse kemi dhimbje gjoksi, sidomos kur zgjat mbi 20 minuta, dhimbje që drejtohet drejt nofullave, shpatullave, qafës, në përqindjen më të madhe është problem kardiak. Djersitje, lodhje, sidomos kur e ndjejmë dhimbjen në qetësi është akoma më e rrezikshme.
Çdo gjimbje gjoksi konsiderojeni kardiak
Arresti kardiak është një humbje e menjëhershme e papritur e funksionit të zemrës dhe bashkë me të dhe e frymëmarrjes dhe vetëdijes. Në përgjithësi ndodh për shkak të një problemi elektrik të zemrës gjë që çon në ndërprerjen e pompimit të gjakut duke e ndaluar atë të shkojë në pjesën tjetër të trupit. Arresti kardiak ndryshon nga ataku kardiak. Ataku kardiak ndodh kur kemi ndërprerje të furnizimit me gjak të një pjese të muskujve të zemrës, kjo mund të shkaktojë dhe problemet elektrike të zemrës që çon në arrest kardiak.
Arresti kardiak është një emergjencë mjekësore. Nëse nuk trajtohet menjëherë shkakton vdekje të menjëhershme. Me një ndërhyrje të shpejtë dhe të duhur mjekësore mbijetesa është e mundur. Administrimi i resusitacionit kardiopulmonar CCPR, trajtimi me defribilator ose dhe vetëm masazhi në gjoks rrit shanset e mbijetesës.
Simptomat
Simptomat e arrestit kardiak janë të menjëhershme dhe drastike si dhe përfshijnë:
Humbje të menjëhershme të vetëdijes
Mungesë të pulsit
Mungesa e frymëmarrjes
Arresti kardiak shpesh ndodh pa simptoma paraprake, por në një pjesë të rasteve janë disa simptoma që paraprijnë. Ato janë: lodhje të fikët, marrje mendsh, paqartësi, marrje fryme, dhembje kraharori, rraje të shpejta.
Kur duhet të konsultohemi me mjekun
Nëse një person ka episode të shpeshta të dhembjes së kraharorit, rrahje zemre të shpejta ose të çrregullta, marrje fryme, të fikët ose ndjesi të kësaj gjendjeje, marrje mendsh ose paqartësi, atëherë duhet të konsultoheni sa më shpejt me mjekun tuaj.
Kur zemra ndalon së punuari mungesa e gjakut të oksigjenuar (të pastër) mund të shkaktojë dëmtim të trurit vetëm në disa minuta. Vdekja ose dëmtimi permanent i trurit ndodhin brenda 4-6 minutash. Koha është vendimtare kur një person humbet vetëdijen dhe nuk merr frymë, në këtë moment duhet ndërhyrë patjetër.
Si duhet të veprojmë
Telefononi menjëherë urgjencën nëse shikoni dikë që ka humbur vetëdijen dhe nuk i përgjigjet asnjë stimuli.
Bëni masazh kardiopulmonar (CPR). Kontrolloni me shpejtësi nëse personi jokoshient merr frymë. Nëse vëreni se ai nuk merr frymë filloni CPR. Shtypni në të dyja duart shpejt dhe fort në kraharorin e personit në një frekuence 100-120 shtypje numerike vazhdoni të kryeni masazhin kardiak derisa të paraqitet personeli mjekësor.
Përdorni defribilatorin portabël. Ekzistenca e defribilatorit portabël është shumë e rëndësishme. Defribilimi ose dhënia e goditjes elektrike është gjëja më e rëndësishme që duhet t’i bëhet një personi me arrest kardiak. Nëse kjo goditje kryhet brenda 3 minutave të para të arrestit kardiak rreth 75% e personave mbijetojnë, në rastet kur goditja elektrike kryhet pas 3 minutave të arrestit kardiak mundësia e mbijetesës ulet në 30-40%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.