Drejtësia

Afera ‘Partizani’/ Kërkuan lirinë, Apeli i GJKKO lë në ‘arrest shtëpie’ Berishën dhe Malltezin dy ditë pasi u morën të pandehur

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesat e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për zëvendësimin e masave të tyre të sigurisë, dy ditë pasi u morën të pandehur dhe iu komunikuan zyrtarisht akuzat në lidhje me aferën e klubit sportiv "Partizani".

Gjyqtarja Ilirjana Olldashi, pasi dëgjoi pretendimet e palëve vendosi që t’i lërë në "arrest shtëpie" edhe ish-kryeministrin Berisha, ashtu edhe dhëndrin e tij, Malltezi.

Këtë të premte, avokatët e tyre iu drejtuan gjykatës ku kërkuan zëvendësim të masës së sigurisë, bazuar kryesisht në faktin se hetimet kanë mbaruar dhe nuk ka rrezikshmëri në prishjen e provave. Po ashtu ata u njohën me të gjitha zhvillimet e tjera hetimore të kryera nga SPAK gjatë këtyre muajve.

Ndërkohë Prokuroria e Posaçme, po ashtu i ka qëndruar kërkesës që Berisha dhe Malltezi të vijojnë me masat e sigurisë edhe gjatë procesit të gjykimit.

Malltezi është praqitur personalisht në Apel për të kërkuar një masë më të butë sigurie, ndërsa Berisha ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpi.

Berisha dhe Malltezi kërkuan zëvendësim të masës së sigurisë bazuar kryesisht në faktin se e gjithë dosja, e cila tashmë pritet të kalojë për gjykim, ka përfunduar hetimet dhe nuk ka rrezikshmëri në prishjen e provave.

Nga ana tjetër, sipas tyre, ka rezultuar se e gjithë akuza e ngritur nga ana e SPAK është e rrëzuar dhe nuk provohet.

“SPAK nuk ka futur të bëjë pjesë të dosjes fletoren zyrtare me ligjet e kohës. Kjo tregon nështrimin politik. E kanë bërë të qartë, vijimi është me të njëjtën masë. Ne i treguam gjykatës që prokurorët kanë dalë në gënjeshtër. Ka kod të veçantë për Edi Ramën dhe kod të veçantë për Sali Berishën. Ka vjedh tokë në Gjipe, asgjë nuk ka. Këto deklarova në gjykatë”, - tha Malltezi para SPAK për mediat.

Dy ditë më parë, ish-kryeministri Berisha, u mor i pandehur nga SPAK për dosjen “Partizani”, ku prokurorët i komunikuan akuzën për veprën penale "korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë".

Për këtë aferë, akuzat për "korrupsion dhe pastrim parash" iu komunikuan edhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Ndërsa, të enjten u morën të pandehur edhe biznesmenët Fatmir Bektashi dhe Xhimi Begeja. SPAK vlerësoi t'i komunikojë Bektashit akuzën e "korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetërore" dhe "pastrim të parave", ndërsa Begesë akuzën e "pastrimit të parave".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë