Nga Gazeta ‘Si’- Arrestimi i katër serbëve në Mitrovicë të Veriut, çka nisi fillimisht si një episod i kufizuar, nuk rezultoi asfare i tillë mëngjesin e 10 shtatorit.
Ai jo vetëm që ia doli të ndryshonte kursin e bisedës mes emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç që supozohej të rrotullohej rreth raundit të ri të dialogut, por sugjeroi se kriza mes Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt një momentumi të ri.
Në takimin me të (që i erdhi jo pak në shteg) Vuçiç rriti tonet kërcënuese ndaj Prishtinës, u ankua për situatën e serbëve në veri dhe u kujdes të akuzonte kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se e kishte orkestruar arrestimin për të tërhequr Serbinë në konflikt.
Ai pretendoi se serbët ishin arrestuar me dhunë dhe përsëdyti idenë që Kosova synon spastrimin etnik të serbëve.
In my meeting today with @predsednikrs @avucic in preparation of the next meeting of Chief Negotiators, he raised strong concerns about the situation of the Kosovo Serbs. I stressed that we need to discuss and find agreed solutions in the Dialogue. pic.twitter.com/2zLaYWNch9
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 10, 2024
Mandej, pa vonuar shumë, në një deklaratë “alla ruse” Vuçiç deklaroi se brenda 72 orëve Serbia do të përgjigjej me masa serioze ndaj Kosovës dhe do parashtronte kërkesa për ndërkombëtarët lidhur me gjendjen e serbëve në veri.
Ndërsa orët akute të Vuçiçit po mbarojnë, tema që ka shoqëruar më shumë jo vetëm panelet televizive por edhe bisedat në qarqet diplomatike është nëse presidenti serb (duke përdorur medemek ‘viktimizimin’ e serbëve) ka në plan që ta bëjë veriun e Kosovës një çështje ndërkombëtare.
A po synon ai që pikënisja e kësaj faze të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit (që do të jetë në nivel kryenegociatorësh) të jetë ’shkurorizimi’ politik dhe institucional i komunitetit serb nga pushteti lokal dhe qendror i Kosovës??
Synimet e presidentit serb në veri dhe një kronologji e thukët ngjarjesh
Qysh prej nënshkrimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi (shkurt 2023) Vuçiç nuk ka bërë kurrfarrë përpjekje për të shtyrë përpara dialogun, i cili me zhvillimet e fundit ka mbetur krejt në qorrsokak.
Në vazhdën e insistimeve me ngulm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë sebe, shkaqet që ka gjetur kanë qenë jo të pakta.
Fillimisht ai kërkoi një mënyrë për të bërë realitet planin e tij për largimin e zyrtarëve serbë nga institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. ‘Sebepin’ e gjeti në pezullimin e një zyrtari të lartë policor serb në veri, i cili refuzonte të mbështeste vendimin e Kurtit për zbatimin gradual të zëvëndësimit të targave ilegale me ato të ligjshme.
(Madje, ai nuk ngurroi që atëbotë, ta dekoronte këtë ish-zyrtar policor të Kosovës në një ceremoni fare patetike.)
Vuçiç e dinte shumë mirë që nuk ia vlente barra qiranë të bënte gjithë atë zhurmnajë për çështjen e targave. Tek e fundit, të njëjtët zyrtarë të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në mënyrë demonstrative, kishin marrë pasaportat e Kosovës prej vitesh dhe kishin punuar e vepruar në sistemin politik të saj që në krye të herës.
Megjithatë, duke pretenduar se serbët e veriut po dëmtoheshin, ai ia doli ta bënte çështje për ndërkombëtarët (aq sa Brukseli atëkohë kontekstin e ri të bisedimeve e shfaqi në trajtë të një kornize të përshpejtuar kohore për bërjen e Marrëveshjes gjithpërfshirëse).
Ngjarjet sakaq përsëritën vetveten edhe me çështjen e dinarit.
Në komunat veriore të Kosovës, ku serbët etnikë zënë rreth 95% të popullsisë, i gjithë aktiviteti zhvillohej me dinar deri në shkurt të këtij viti kur Kurti lajmëroi përdorimin e euros si monedha e vetme zyrtare në vend.
Me ankesat sa në Bruksel e sa në SHBA se ky vendim do të vështirësonte në maksimum jetën e serbëve në veri, Vuçiç ia doli që në rrafshin diplomatik retorika kundërshtuese e ndërkombëtarëve për Kurtin të ashpërsohej ndjeshëm (aq sa Kosova u akuzua për lëkundje të partneritetit me SHBA-në).
Edhe me çështjen e Urës së Ibrit, presidenti serb duket se nuk do të veprojë fort ndryshe.
Nëse Kurti vendos hapjen e saj, e cila ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, Vuçiç do të rrisë pretendimet se Kosova synon luftë.
Emëruesi i përbashkët i gjithë rasteve kur presidenti serb është ankuar tek faktori ndërkombëtar për ‘vuajtjet dhe terrorin që Kurti i shkakon këtij komuniteti’ janë përpjekjet për të patur nën kontroll të plotë veriun. Insistimi kryeneç për Asociacionin, është treguesi i vetëm që mjafton për të vërtetuar këtë tezë.
Vizita e Kurtit në veri: ‘për karshëllëk’ apo për punë??
Mesditën e së martës, pak pasi deklarata e Vuçiçit ishte bërë kryeartikull i mediave serbe, në një vizitë të palajmëruar dhe tërësisht jashtë agjendës, Kurti vendosi të vizitonte veriun e Kosovës.
I shoqëruar nga ministrat, Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, ai fillimisht vendosi gurthemelin e një stacioni policor. Mandej, mes bulevardit kryesor të Mitrovicës së Veriut, ndaloi në inagurimin e hapjes së një restoranti nga një shqiptar.
Paskëtaj, lideri i partisë ‘Demokracia Serbe’ Aleksandar Arsenijeviç i cili u gjend aty dhe mesa duket e pa si provokim vizitën e Kurtit, u arrestua pasi fishkëlleu në shenjë proteste ndaj Kurtit.
Vizitën të cilën nuk ia ndaloi as shiu, e përmbylli në Urën e Ibrit.
Aty, ndryshe nga gjithë herët e tjera, mbase në ‘përmbylljen më diplomatike’ të qëndrimit të tij për këtë çështje, ai deklaroi se tashmë pret vetëm QUINT-in dhe KFOR-in që të koordinohen.
Megjithatë, ndonëse të mërkurën i hodhi poshtë pretendimet e serbëve duke theksuar se ajo nuk ishte kundër askujt, vizita e Kurtit në veri u pa jo pak si provokim.
Pavarësisht se vizita në veri është tërësisht brenda protokollit të Kushtetutës së Kosovës dhe nuk shkel ndonjë ligj, Kurti megjithatë thyen një status quo të vendosur nga kryeministra të tjerë para tij.
Ndryshe nga ta, të cilët refuzonin ta vizitonin veriun, Kurti po përpiqet të tregojë çdo ditë që ai është i Kosovës dhe se vizita të tilla janë të domosdoshme për të kuptuar- sipas tij - shqetësimet e komunave.
A po i bën Kurti ‘de facto’ nder Serbisë?
Emir Abrashi, studiues i çështjeve ndërkombëtare deklaron për Gazetasi.al se me ngjarje të tilla, Kosova po e faktorizon Serbinë.
Sipas tij, ajo fillimisht po heq vëmendjen nga kërcënimi më i madh që i është bërë sigurisë së saj që nga shpallja e pavarësisë, 16 vjet më parë (referuar sulmit të Banjskës, për të cilën Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzat vetëm dje, një vit më vonë).
Ai mendon që Kosova duhet të shpenzojë këta energji që t’i heqë maskën Serbisë për përfshirjen në këtë sulm dhe jo të shkaktojë trazira të tjera që ndihmojnë Vuçiçin.
“Në vend të kësaj, Kosova po bën të kundërtën. Tashmë ajo duhet t’i kanalizojë ato energji për të arsyetuar – besa para Bashkimit Europian dhe SHBA-së – vendimet e drejta, por të pakoordinuara”, citon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.