Politike

Analiza e drejtuesve të PD në qarqe/ Një listë kompromisi, si përpjekje për të ruajtur numrat që ka, por JO fituese

Nga Gazeta Si - As më shumë e as më pak se një listë kompromisesh mund të shihet lista e drejtuesve të PD-së në qarqe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Një listë maksimaliste siç po e cilësojnë disa syresh brenda partisë, pa asnjë drejtuese femër, (një fakt i evidentuar nga Edith Harxhi) që përpiqet më shumë të  bashkojë strukturat në bazë për të ruajtur votat që ka, sesa si përpjekje për të marrë pushtetin në 2025. PD-ja është larg këtij synimi.

Në këto zgjedhje ajo do të luftojë më shumë për tu rikuperuar brenda vetes sesa për të synuar fitoren përballë PS-së.

Vetë lista është pasqyrë e këtij konkluzioni

Përjashto Ervin Salianjin që drejtoi fushatën në Kavajë ku PD-ja fitoi, të gjithë emrat e tjerë të drejtuesve (nisur nga rezultatet e deritashme) janë humbës.

A mund të gjente PD-ja emra të rinj me përvojë fushatash në kaq pak kohë? Jo.

PD është shumë vonë në këtë drejtim.  Ndaj Berisha ka bërë atë që di të bëjë më mirë; të balancojë klanet në parti me një listë kompromisi mes njerëzve besnik të tij e atyre të mbërritur vone në seli nga grupi ‘Bardhi’.

Gazment Bardhi, edhe pse drejtues politik i Elbasanit zgjedhjet e fundit parlamentare) mori një rezultat zhgënjyes si deputet.

Kësaj here me statusin e kryetarit të grupit e për pasojë nënkryetarit të partisë atij i është besuar Fieri që njihet si hambari i votave të PS-së, një qark ku PD-ja ka pak shanse të çajë apo të rikuperohet. Se sa do t’ia arrije Bardhi kjo pritet për tu parë. Por përvoja e Elbasanit nuk tregon optimizëm.

Për të kaluar në Durrës, aty ku PD-ja (ndryshe nga Fieri) mund të rikuperohej. Por shkon sërish me Oerd Bylykbashin që ka drejtuar disa fushata. Durrësi ndërkohë nuk është ngritur.

Elbasani është një tjetër qark kompleks ku ka pasur surpriza në të kaluarën për PD-në. Kalimi i Salianjit aty, nga Kavaja (ku ishte zgjedhjet e fundit lokale) edhe mund të trazojë ndonjë mandat deputeti.

Elbasani pritet të jetë më shumë sfidë personale për të ardhmen e tij politike sesa për ‘kapërcimin e ylberit’ nga ana e PD në raport me PS-në.

Gjithsesi letrat janë të hapura.

Për të kaluar tek Tirana qarku më i madh që i besohet Belind Këlliçit. Ai humbi Tiranën për kryebashkiak, por si deputet zgjedhjet e fundit parlamentare u rendit ndër më të votuarit nisur për nga mënyra se si fushatoi.

Këlliçi ka një përballje direkte denoncimesh dhe politike me kryetarin aktual të Bashkisë Erion Veliaj të cilin do ta ketë përballë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  Drejtimi i fushatës së Tiranës do të jetë jo vetëm për të por edhe për gjithë PD-në sfida kryesore.

Shkodra duket një zgjedhje interesante me dërgimin e Luçiano Boçit aty nisur nga klanet e brendshme te strukturave të PD-së shkodrane.

Dërgimi i një drejtuesi me përvojë fushatash, por që nuk ka lidhje me Shkodrën dhe mentalitetin politik aty deri diku mund të cilësohet si ‘thikë me dy presa’ për Luçiano Boçin.

Vlora me humbje të njëpasnjëshme të PD-së i besohet Bujar Leskajt, ai që ka drejtuar deri më tash zgjedhjet në atë qark. Ndaj e zorshme të shohim surpriza.

Siç apriori nuk do të shohim as në Gjirokastër, nisur nga rezultat e deritashme. Ky qark i besohet sërish Tritan Shehut, deputeti që ka drejtuar më shumë këtë qark në kohë zgjedhjesh por që nuk ka rikupreruar madje humbur.

Për të kaluar me Lezhën që do të drejtohet nga Agron Gjekmarkaj një figurë përfaqësuese por për natyrën që kanë strukturat e Lezhës dhe mënyrën se si funksionojnë gurët në bazë, për Gjekmarkajn është peshë e madhe. Sepse në një qark të tillë nuk kanë shumë rëndësi fjalët (për të cilat Gjekmarkaj është mjeshtër) por taktikat dhe veprimet.

Për të kaluar tek Dibra me drejtues Xhelal Mziun nga humbja në humbje nëse i referohemi deri me tash rezultateve aty. Dibra është një qark që ec më shumë në votime me emra. Zgjedhja e Mziut shihet më shumë si emër negociatash brenda partisë sesa shans për tu rikuperuar.

Ndryshon rasti i Kukësit. Me kalimin aty të deputetit Flamur Hoxha, shanset janë për rikuperim. Gjithnjë nëse Hoxha do të dijë të punojë me strukturat sepse në Kukës nuk mjafton vetëm emri i mirë.   

Janë ndryshuar dy qarqe të tjera në drejtim Korça dhe Berati. Për Ivi Kason është hera e parë që shkon drejtues në një qark. Kalimi i tij në qarkun e Korçës, aty ku llogarite gjithnjë kanë qenë të paracaktuara, pritet të jetë sfide për të dhe test politik në një kohe kur strukturat aty janë thuajse të shkërmoqura.   

Edhe në Berat shkon një emër që nuk kane qenë drejtues më herët i ndonjë qarku. Eno Bozdo, që për shumëkend që e njeh punon mire me bazën, por e vështirë të kapërcejë hendekun e raportit të deputetëve në atë qark.

Fushata në terësi do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka më shumë si zgjedhje politike sesa logjike. Sekretari i Përgjithshëm është numri dy i partisë dhe për pasojë (në mungesë të kryetarit që ndodhet në arrest shtëpie) i takon atij të drejtoje fushatën. A është figura kryesore me të cilën PD-ja duhet të shkojë në zgjedhje?  Nëse synon të rikuperojë, JO.  Nëse synon të bashkojë ato copëza klanesh brenda partisë, po.

Kalon si figure kryesore fushatuese edhe Edi Paloka që njihet për qëndrimet e ashpra ndaj qeverisë. Edhe ai një figurë më shumë koordinuese për rrymat brenda partisë për të ruajtur të paktën numrat që PD-ja ka aktualisht sesa për ta çuar këtë parti në një rezultat në rritje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë