Politike

Dhurata Çupi për mandatin e Olta Xhaçkës: Kryeministri në pozicion shah-mat

Nga Gazeta Si - Më 12 shtator, kur Parlamenti të mblidhet për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, PD pret që PS të mos shkelë Kushtetutën për të tretën herë me këtë çështje. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, deputetja demokrate Dhurata Çupi beson se këtë herë vendimi i Parlamentit do të jetë për t’ia çuar Gjykatës Kushtetuese ta gjykojë, nëse zonja Xhaçka ka përfituar apo jo pasuri publike gjatë ushtrimit të detyrës.

Deri tani, PS ka refuzuar dy herë ta marrë vendim me arsyetimin se kjo është një çështje që e zgjidh vetë Parlamenti dhe jo Gjykata Kushtetuese. “Në një rast të paprecedentë, Gjykata u vendos 2 herë në lëvizje nga opozita për të njëjtën çështje. Tani, Kushtetuesja ishte kaq e drejtpërdrejtë në vendimin e saj, sa kryeministri është i zënë shah-mat. Pra konsensusi që patëm në Këshillin e Mandateve ishte paracaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.” tha Çupi në një intervistë për Gazeta Si.

Pavarësisht kësaj, Dhurata Çupi nuk shprehet e sigurt për vendimin final të PS-së, për shkak të historikut të komplikuar të kësaj çështje. “Duke qenë se Rama nuk udhëhiqet nga interesi publik, nga parimet e shtetit ligjor dhe nga respektimi i vendimeve të gjykatës çdo pikëpyetje është legjitime. Në fakt, gjithçka mund të ndodhë në 12 shtator” u shpreh zonja Çupi, e cila gjatë intervistës tregon çfarë do të bëjë PD në rast të një refuzimi të përsëritur. Anëtarja e kryesisë së PD flet edhe për përgatitjen e zgjedhjeve në PD dhe për fragmentarizimin e votës së opozitës në zgjedhjet 2025.

Gazeta Si: Pas Këshillit të Legjislacionit, bashkë me PS, ratë dakord të dërgoni në seancë çështjen e mandatit të deputetes së PS, Olta Xhaçka. Pas 2 vitesh betejë dhe 2 kërkesash të PD për Gjykatën Kushtetuese, pse PS nuk bëri më rezistencë për mocionin tuaj?

Dhurata Çupi: Bashkë me 1/10 e deputetëve, të gjithë nga opozita dhe PD, ne kërkuam përmes një mocioni që Parlamenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për konstatimin e pavlefshmërisë së mandatit të zonjës Xhaçka. Ne vepruam kështu, sepse ky është detyrim që rrjedh qartë nga Kushtetuta dhe që PS ka refuzuar ta zbatojë për dy vite me radhë. Duket po aq qartë se nuk qëndron zonja Xhaçka pas vendimeve 2 vjeçare refuzuese të Parlamentit.

Promotori i paligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë e ka emrin Edi Rama. Njësoj si me rastin e inceneratorëve, vetëm kryeministri ka fuqi mbi procedurat dhe vendimet që përfaqësojnë qeverinë apo PS. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë thjesht me një mandat deputeti, por me mentalitetin anti-shtet të kryeministrit të Shqipërisë. Fillimisht, zoti Rama firmosi për t’i dhënë bashkëshortit të zonjës Xhaçka pasuri publike në mënyrë të dyshimtë. Më pas, kryeministri refuzoi Gjykatën Kushtetuese, që në një rast të paprecedentë, u vendos 2 herë në lëvizje nga opozita për të njëjtën çështje. Tani, në vendimin e saj, Gjykata është kaq e drejtpërdrejtë në vendimin e saj, sa kryeministri është i zënë shah-mat. Pra konsensusi që patëm në Këshillin e Mandateve ishte paracaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, dua të vë në dukje se edhe kësaj radhe pati një përpjekje për rezistencë për të mos zbatuar Rregulloren e Kuvendit nga PS. Maxhoranca refuzoi mbledhjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme, edhe pse ne mblodhëm firmat e kërkuara nga Rregullorja për një gjë të tillë. A duhet të mendojmë ne me naivitet se ky ishte një vendim i marrë nga Kryetarja e Kuvendit? Ne s’mund te tallemi as me veten, as me votuesit. Nuk ka tregues më të fortë sesa ky rast për të nxjerrë në pah se kryeministri Rama përfaqëson paligjshmërinë, anti-shtetin dhe të kundërtën e një kryeministri demokratik.

Gazeta Si: Pavarësisht se PS ka rënë dakord që mocioni juaj të hidhet në votim në 12 shtator në Parlament, besoni ju se PS do ta votojë pro?

Dhurata Çupi: E gjykoj të drejtë pyetjen tuaj. Pas 2 vitesh zvarritje nga maxhoranca, mund të bëni çdo pyetje për vullnetin politik të PS. Duke qenë se ata nuk udhëhiqen nga interesi publik, nga parimet e shtetit ligjor dhe nga respektimi i vendimeve të gjykatës çdo pyetje është legjitime. Në fakt, gjithçka mund të ndodhë në 12 shtator.

3 mandatet në pushtet të Edi Ramës kanë treguar se ai s’e ka për gjë të mashtrojë hapur dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ishte Edi Rama që erdhi në pushtet me premtimin e legalizimeve falas dhe, nëse procesi nuk përfundonte për 4 vite, ishte ai që do të mbante përgjegjësi. Procesi as ka përfunduar, as nuk është falas, por Rama nuk ka mbajtur ndonjë përgjegjësi. S’po marr me radhë të gjitha premtimet e tij, por po ndalem tek Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri ka gati një dekadë që bën fushatë për drejtësinë e re dhe të reformuar, për pavarësinë dhe shenjtërinë e vendimeve të saj, por kur duhet që këto vendime t’i zbatojë vetë, si në rastin e mandatit të deputetes Xhaçka, ai sillet si mbret i një monarkie ku nuk ka gjykata dhe zgjedhje. Rama nuk është për t’u besuar për asgjë. Është një politikan pa garanci, kur vjen fjala tek ligji dhe kur cenohet pushteti i tij personal. Garancitë mund t’i jap për grupin tonë parlamentar, i cili do ta ndjekë këtë çështje deri në fund. Jo se ka rëndësi një mandat deputeti nga maxhoranca, por për të treguar se ne nuk bëjmë kompromis në dëm të shtetit ligjor.

Gazeta Si: Në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një padi tjetër me rëndësi, por jo nga PD. Partia opozitare LZHK, e Dashamir Shehit, kërkoi rrëzimin si antikushtetues të mbylljes së listave zgjedhore në 1/3-ën e tyre nga vota konsensuale PS-PD. Çfarë qëndrimi ka PD për këtë? Ju ishit dhe anëtare e Tryezës së Dialogut PS-PD për reformën zgjedhore.

Dhurata Çupi: Për fat të keq, PS refuzoi një reformë të vërtetë zgjedhore. Do të ishte në interes të zgjedhjeve sa më demokratike të kishim pasur një marrëveshje për të kryer ndryshime domethënëse në ligjin e zgjedhjeve, por, siç dihet, PS kërkon rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë dhe që kur ka ardhur në pushtet, nuk ka pranuar të bëjë reformën zgjedhore bashkë me PD.

Ndërhyrjet e fundit në Kodin Elektoral nuk ishin reformë. Ishin vetëm disa ndryshime në ligj si detyrim i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e para për herësin, një prag votash i vendosur për zgjedhjen e deputetëve poshtë listës preferenciale dhe për lejimin e votës së emigrantëve jashtë Shqipërisë. Personalisht, ndihem e nderuar që isha pjesë e një grupi nismëtar deputetësh për projektligjin që u lejon bashkëatdhetarëve të votojnë nga atje ku jetojnë. Por këto nuk janë të mjaftueshme për të patur një garë në kushte të barabarta. Përveç shumë aspekteve teknike që minimizijnë ndërhyrjet e qeverisë në zgjedhje, garancia kryesore do të ishte një sistem që nuk dalin koalicionet paralektorale, siç bën sistemi i sotëm, i ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga PS në vitin 2020.

PS e refuzoi këtë ndryshim thelbësor, që përbën një nga shtyllat e reformës. Përsa i përket kërkesës së zotit Shehi, gjithkush ka të drejtë të ketë këndvështrimin e tij për sistemin zgjedhor. Jam e bindur se ndryshimi që bëmë në Kod është në përputhje të plotë me Kushtetutën. PD nuk do të bënte kurrë një lëvizje që bie ndesh me interesat e qytetarëve. Sot nuk ka më rëndësi nëse kemi një listë të mbyllur apo një listë të hapur. Këto përfaqësojnë vetëm interesa individësh për t’u bërë deputetë. Shqetësimi kryesor duhet të jetë a janë zgjedhjet të lira, a dhitet dhe blihet vota, a ka korrupsion në zgjedhje. Në një raport të fundit të Komisionit Europian, kur flitet për Shqipërinë, fokusi kryesor është korrupsioni, duke nisur me korrupsionin elektoral. Është hera e parë dhe jemi vendi i vetëm për të cilin flitet për korrupsion zgjedhor. Ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet një vendi, prandaj ky realitet duhet ndryshuar me votë.

Gazeta Si: Kur kanë mbetur më pak se 10 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, çfarë përgatitjesh po bën PD? Tani që keni edhe vulën, nuk duhet të ketë paqartësi përfaqësimi të paktën.

Dhurata Çupi: Ne po lëvizim më 2 drejtime njëkohësisht. Njëri drejtim janë strukturat e partisë. Çdo ditë deputetet janë në zonat e tyre, në degët përkatëse të PD për të komunikuar me anëtarët dhe me qytetarët. Është shumë e rëndësishme mbajtja e kontakteve me njerëzit.

Ajo që kam vënë re është se edhe qytetarë që nuk kanë votuar PD-në në të kaluarën janë të zhgënjyer dhe ndihen të neveritur me këtë qeveri. Ata na kërkojnë ne të bëjmë më shumë, por e rëndësishme është se njerëzit e ndiejnë në lëkurë sesi i vret ata përditë korrupsioni i qeverisë Rama. Ne po bëjmë përpjekje të jemi në lartësinë e tyre, duke ngritur zërin për të, duke bërë protesta, duke iu bashkuar kërkesave të tyre. Vë re me shumë kënaqësi se shumica e  demokratëve kanë hedhur pas krahëve përçarjen dhe u janë bashkuar strukturave të PD-së, gjë që reflekton edhe tek mbështetësit dhe votuesit e tjerë.

Nga ana tjetër, kemi linjën e Parlamentit. Duhet të vë në dukje se, edhe në kulmin e debateve tona të brendshme në të kaluarën, grupi parlamentar i PD, i drejtuar nga Gazment Bardhi, ka udhëhequr betejën opozitare, duke denoncuar afera të rënda korruptive të qeverisë, në mbrojtje të interesit publik. Janë disa dhjetëra denoncime që ne si grup kemi bërë në SPAK për njerëzit më të pushtetshëm në vend, padi në Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të ligjshmërisë dhe interesit publik.

Po përmend vetëm rastin e fundit të tatimit 23% për profesionet e lira, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese dhe promotor i të cilit ishte PD. Ne do të vazhdojmë në këtë linjë për të mos bërë kompromis me të keqen, për të bindur shqiptarët masivisht se ne jemi alternativa më e mirë dhe jo e keqja më e vogël, se askush më mirë se ne nuk mund të çojë përpara interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Gazeta Si: Pavarësisht bashkimit tuaj në PD, ka disa segmente të opozitës që nuk e duan bashkëpunimin me PD-në e udhëhequr nga Sali Berisha. Sa e dëmton opozitën në zgjedhje ky fragmentarizim përballë një PS të fortë me një lider shumë të fortë?

Dhurata Çupi: Sesa e fortë është PS, do ta shohim, kur të humbin pushtetin. Por përparësia e tyre vjen nga përdorimi i parave të pista të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ka shumë teori që e lidhin këtë ndikim të paligjshëm të PS edhe me grupime brenda opozitës, por s’dua të ngre akuza pa prova. Megjithatë, janë 2 fakte që qëndrojnë në një analizë të ftohtë politike.

Fakti i parë është që Sali Berisha nuk e uzurpoi kreun e PD-së. Ai mbetet politikani më i votuar në anëtarësinë e demokratëve. Prandaj, kush nuk pranon votën, nuk pranon rregullin nr.1 të demokracisë. Fakti i dytë është se sa më shumë të fragmentarizohet vota, aq më e vështirë bëhet fitorja. Prandaj, kush thotë se “po bëj një parti tjetër apo nuk bëj koalicion me PD-në prej Berishës”, vetëm sa po mendon për interesin personal në dëm të interesit më të madh. Indirekt është një shërbim për PS.

Megjithatë, ka kohë për të marrë një vendim final. Ka një kohë për të ngritur kritika, por ka një kohë edhe për t’u ngritur mbi veten. Uroj që kolegët të mos bien pré e ambicieve të vogla, mllefeve apo inateve personale! Objektivi ynë i vetëm duhet të jetë fitorja e PD-së në zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë