Politike

Ligji i ri për diplomacinë, Ministria e Jashtme: Jo emërimeve masive politike nga jashtë sistemit

Nga Gazeta 'Si' - Ministria e Punëve të Jashtme beson se ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do ta ndihmojë diplomacinë shqiptare të jetë më cilësore dhe t’i përshtatet më mirë kohës.

Në një reagim zyrtar për Gazetasi.al, Ministria e Punëve të Jashtme nuk hyri në debat me kritikët e projektligjit të ri, si nga opozita dhe nga shoqëria civile, por sqaroi disa nga ndryshimet që kanë hapur debat, që nga kohëzgjatja e mandatit të diplomatëve deri tek enërimet politike jashtë sistemit. “Projektligji aktual parashikon se këto emërime bëhen në raste të veçanta pra duke nënkuptuar jo emërime masive të kësaj kategorie", u shpreh Ministria e Jashtme në reagimin e saj.

Në projektligjin e ri, mandati i ambasadorëve zgjatet nga 3 në 4 vjet, një afat ky që nuk u respektua nga ligji aktual, kur shumica e ambasadorëve u lanë në detyrë më shumë se 7 vjet në të njëjtin vend. Nuk ka ndonjë garanci shtesë se ligji i ri do të respektohet, por Ministria e Punëve të Jashtme beson se garancia është vetë ligji.

“Nëpërmjet vendosjes së afateve të mandatit krijohen garancitë e nevojshme për respektimin e tyre.”- tha Ministria e Punëve të Jashtme për Gazetasi.al, ku jepet vlerësimi dhe për rolin e Parlamentit në emërimin e ambasadorëve, një ndryshim që është kritikuar nga opozita. 

Gazeta Si: Cilat janë arsyet konkrete që sollën nevojën e ndryshimit të ligjit për Shërbimin e Jashtëm? 

Ministria e Punëve të Jashtme: Janë disa arsye, mbi të cilat Ministria për Evropën dhe Punët e Jashme u mbështet për të hartuar një ligj të ri: 

• Përmirësimi i koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore të shtetit shqiptar në funksion të realizimit të objektivave të shërbimit të jashtëm;

• Aplikimi i koncepteve bashkëkohore të përfaqësimit diplomatik jashtë vendit; 

• Nevoja për rekrutimin në Shërbimin e Jashtëm të personave që kanë fituar një eksperiencë në përfaqësimin diplomatik apo në organizatat ndërkombëtare në përputhje me legjislacionin për nëpunësin civil;

• Ngritja e Akademisë Diplomatike sipas modeleve të vendeve të tjera të zhvilluara; 

• Përmirësimi i statusit financiar e social të diplomatit që shërben jashtë vendit dhe familjes së tij;

• Rregullimi i disa problematikave që janë evidentuar gjatë aplikimit të ligjit aktual dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, të rekomanduara nga institucione të tjera.

Gazeta Si: Pse drafti i ri propozon zgjatjen e mandatit të ambasadorit nga 3 në 4 vjet dhe pse është futur koncepti i rinovimit të mandatit për të njëjtin vend?

Ministria e Punëve të Jashtme: Projektligji vendos afat 4-vjeçar për ushtrimin e mandatit të ambasadorëve dhe diplomatëve jashtë vendit, ndërkohë që mandati aktual është fleksibël. Ky afat ka rezultuar më efektiv sa i përket performancës së diplomatëve jashtë vendit, krijon më tepër stabilitet për diplomatin dhe familjen që e shoqëron, si dhe me efektiv nga pikëpamja buxhetore. Projektligji parashikon që ambasadori dhe diplomatët mund të ushtrojnë dhe një mandat të dytë të njëpasnjëshëm jashtë vendit, por jo në të njëjtin vend dhe me pas duhet të kthehet në atdhe. Ky koncept, i bazuar në modelet e shumë vendeve krijon një rregullsi në lëvizjet e diplomatëve brenda dhe jashtë vendit. 

Gazeta Si: Çfarë garancish ka që ligji i ri do të zbatohet në lidhje me kohëzgjatjen e mandatit, kur ligji aktual nuk u respektua për mandatet e shumë prej ambasadorëve, të cilët qëndruan në detyrë shumë vite përtej mbarimit të mandatit?

Ministria e Punëve të Jashtme: Nëpërmjet vendosjes së afateve të mandatit krijohen garancitë e nevojshme për respektimin e tyre.

Gazeta Si: Pse është hequr roli këshillues i parlamentit për presidentin në miratimin e kandidaturave për ambasador? 

Ministria e Punëve të Jashtme: Kushtetuta i njeh Presidentit të Republikës tagrin e emërimit të ambasadorëve. Që të ushtrojnë mandatin, ata duhet të marrin agrementin nga shteti pritës. Parlamenti do të vijojë të ketë një rol të rëndësishëm në marrjen e mandatit të ambasadorit, përpara dhënies së agrementit nga shteti pritës dhe opinioni i tij ndikon në procesin e dhënies ose mosdhënies së agrementit.

Gazeta Si: Çfarë vlere ka seanca dëgjimore në parlament për platformën e ambasadorit, kur procedura e emërimit mbyllet tek presidenti? 

Ministria e Punëve të Jashtme: Seanca dëgjimore para Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit do të shërbejë për paraqitjen publike të platformës së ambasadorit për drejtimin e misionit diplomatik. Komisioni do të ketë mundësinë të vlerësojë dhe komentojë figurën e ambasadorit, por dhe të vendimmarrjes së Presidentit të Republikës. Konsideratat e komisionit ndikojnë në procesin e dhënies së agrementit nga shteti pritës.  

Gazeta Si: Pse ligji lë hapësirë të pakufizuar për emërime ambasadorësh apo konsujsh të përgjithshëm jashtë Shërbimit Diplomatik dhe nuk promovon diplomatë karriere?

Ministria e Punëve të Jashtme: Në Shërbimin e Jashtëm është aplikuar tradicionalisht pas viteve ’90 sistemi hibrid i ndërthurjes së emërimeve nga brenda sistemit dhe jashtë sistemit të ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm. Ky sistem, i aplikuar në shumë vende të botës, ka për qëllim plotësimin e nevojave të përfaqësimit jashtë vendit me figura të shquara në fusha të ndryshme, sigurisht, pa mbizotëruar ndaj emërimeve nga radhët e karrierës diplomatike. Projektligji aktual parashikon se këto emërime bëhen në raste të veçanta pra duke nënkuptuar jo emërime masive të kësaj kategorie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë