Politike

Debati për mandatin e Olta Xhaçkës, si çështje e vullnetit politik. Afrim Krasniqi kalon në ‘skaner’ lëvizjet e PS-PD  

Nga Gazeta Si – Debati i fundit politik mes PD-së dhe PS-së lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, për Drejtuesin e Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi lidhet thjesht me vullnetin politik, ku, sipas tij, njëra palë (PS) vijon të mbrojë ata që nuk i dalin kundër kryetarit dhe tjetra forcë politike (PD) e shfrytëzon për betejë politike aty ku PS-ja po çalon më së shumti në raport me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Të tjerat pastaj, në këndvështrimin e tij, janë proçedura në funksion të këtij qëllimi.    

Së pari, PD është e vonuar tek kërkesa sepse duhet ta kishte ngritur që në momentin që Gjykata Kushtetuese lajmëroi vendimin dhe Kuvendi ishte i mbledhur. Preteksti që do presim botimin në Fletoren Zyrtare është një proces teknik dhe thelbi ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Së dyti; reagimi i mazhorancës nuk është në drejtim të zbatimit të Gjykatës Kushtetuese. Bledi Çuçi e ka bërë të qartë variantin se PS-ja do ta dërgojë për mendim në Komisionin e Venecias dhe nëse PS-ja i qëndron këtij vendimi praktikisht shtyhet  proçedura dhe digjen afatet deri kur, Kuvendi mund ta gjykojë.

Së treti; duhet që vetë individi Olta Xhaçka të merrte një vendim për veten e vet, deri sa Gjykata Kushtetuese e ka quajtur të gabuar vendimin e Kuvendit, duke mos e vendosur në pozitë Kuvendin. Fakti që ajo nuk e merr vendimin do të thotë se ka një konsensus dhe një kompromis mes saj dhe PS-së se si duhet zgjidhur çështja duke mos e kandiduar në zgjedhjet e ardhshme…” thotë Krasniqi në një prononcim për Gazeta “Si”.

Ai nuk e sheh debatin tek afatet.

“Në aspektin proçeduarial klauzola se Kuvendi nuk mund të merret gjashtë muajt e fundit të mbarimit të mandatit të Kuvendit nuk ndikon sepse afati zyrtar i mbarimit të mandatit është muaji shtator, kështu që pavarësisht se zgjedhjet mund të bëhen në maj të vitit të ardhshëm, periudha fundore është marsi 2025. Kuvendi ka kohë gjashtë muaj për t’a shqyrtuar, nëse do të ketë vullnet politik për ta bërë këtë gjë”.

Dhe, kur vjen çështja tek vullneti politik, Krasniqi e lidh me proçesin, që do të ndiqet më pas:

“Problematika tjetër pastaj është se, a duhet të rikalojë sërish procesi përmes të njëjtave procedurave parlamentare me ato që u kaluan herën e parë dhe Gjykata Kushtetuese i refuzoi, apo do të duhet që Kuvendi të tregojë një vullnet politik.

Në rastin konkret kur ka mospërputhje dispozitash apo interpretim do të duhet që Kuvendi të krijojë një normë dhe norma e krijuar deri më tani është e gabuar, sepse është në funksion të ruajtjes së individit që akuzohet, dhe jo në funksion të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndaj dhe, ka  rëndësi nëse PS-ja i qëndron vullnetit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj kalojmë tek procedura se si mund të jetësohet kjo gjë”

Duke ndjekur këtë logjikë politike, Krasniqi vëren se në thelb, debati lidhet me luftën politike midis palëve, dhe jo si çështje që një palë e vërtetë duhet të zbatojë një detyrim kushtetues duke e vendosur atë në axhendën kryesore parlamentare.

“Fakti që opozita ka inicuar verifikim edhe për një deputet tjetër (Vullnet Sinaj) do të thotë që edhe kjo lloj problematike duhet të trajtohet paraprakisht në Kuvend para se të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që, janë disa raste mbi të cilat Kuvendi mund të bëjë vlerësime apo verifikime paraprake para se Gjykata të marrë vendim gjithnjë nëse ka vullnet politik për t’i zgjidhur gjërat”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë