Nga Gazeta ‘SI’– Beteja ligjore për mandatin e deputetes Olta Xhaçka për të cilën opozita pretendon se është në konflikt interesi me detyrën, sa kohe që bashkëshorti i saj ka fituar statutin e investitorit strategjik është shembulli më i mirë për të treguar se si mungesa e vullnetit politik (në këtë rast e PS-së) dhe propaganda politike (në këtë rast e PD-së) ka çuar në tjerrje debatesh juridike që në fund ka rezultuar një aksion politik bosh dhe një precedent aspak i dobishëm për këdo tjetër të ngjashëm me rastin ‘Xhaçka’.
Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme
Kur beteja për Himarën është mbyllur dhe deputetët e PD-së janë shtruar me pushime, Gazment Bardhi mblodhi firmat (në një flete fletoreje) e disa deputetëve për të kërkuar mbledhjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. Bardhi e lidhte argumentin me shpalljen në Fletoren Zyrtare të vendimit të gjykatës Kushtetuese që i kishte dhënë të drejtë PD-së për rastin ‘Xhaçka’ dhe për pasojë shpjegimin ligjor se Kuvendi duhet të mblidhej tre ditë pas shpalljes së këtij vendimi.
Në anën tjetër pamë një shpjegim të hollësishëm po aq juridik nga e sapozgjedhura në krye të Kuvendit Elisa Spiropali .
Edhe ajo argumenton se vendimi i Kushtetueses do të shqyrtohet por me afatet e parashikuara në rregullore të Kuvendit dhe neneve që ajo parashikon për rastin në fjalë. Që për socialistët do të thotë se më parë duhet të mblidhet Këshilli i Legjislacionit (brenda 30 ditësh nga shpallja e vendimit) të miratonte një raport dhe më pas të kalonte për shqyrtim në seancë plenare.
Sipas Spiropalit, është Këshilli për Legjislacionin që analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetues për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë.
Kryetarja e Kuvendit urdhëroi për pasojë mbledhjen Këshillit në fund të muajit.
“Gjithashtu, ju informoj se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin”, sqaron Spiropali.
Në anën tjetër Bardhi e cilësoi urdhrin antikushtetues duke u mbështetur në një tjetër argument që kishte dhënë Kushtetuesja në vendimin e fundit se, “Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës”.
Vendimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën e 10 korrikut (2024) të detyrojë Kuvendin që të dërgojë për shqyrtim pranë kësaj gjykate mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës.
A u vu ne lëvizje menjëherë PS-ja? Jo. Njëherë me pretendimin se duhej zbardhur vendimi në Fletoren Zyrtare dhe më pas qëndrimin tjetër (përmes ish-kryetarit të grupit Bledi Çuçi) se duhej marrë me patjetër një Opinion i Venecias.
Spiropali në përgjigjen e saj për Gazment Bardhin nuk e përmendi Venecian. Nderkohe afatet për të çuar mandatin e Olta Xhackës në Kushtetuese po afrohen
Afatet
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin në bazë të Kodit Zgjedhor të përditësuar zhvillohen një herë në katër vjet brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor. Zgjedhjet e fundit u mbajtën me 25 prill që do të thotë se koha e përshtatshme ligjore për zgjedhjet e 2025 do të jetë Prilli.
Kur mbaron mandati i deputetit? Në bazë të Kushtetutës një nga katër rastet kur deputetit i mbaron mandati është edhe kur përfundon mandati i Kuvendit.
Po sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë.
Në çdo rast, Kuvendi qëndron në DETYRE deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur. Me këtë status edhe deputetët. Kuvendi para 4 vitesh u konstituua me 10 shtator.
Në bazë të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetueses, kërkesa për papajtueshmëri e funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 MUAJ para përfundimit të mandatit.
Gjithashtu po sipas ligjit, kërkesa duhet çuar jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë!!.
Jo më kot, pala mbrojtëse e Olta Xhaçkës e shfrytëzoi këtë parashikim ligjor në janar të një viti më parë në gjykatën Kushtetuese kur argumentonte se, ”shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese ishte në tejkalim të afateve kohore të parashikuara në ligj dhe kësisoj nuk përbënte subjekt kushtetues”.
Kërkesa për konstatimin e papajtueshmërisë ka nisur që në vitin 2022 dhe jo tre muajt e fundit.
Edhe nëse i referohemi afatit të parë, 6 muaj para mbarimit të mandatit, afati për PD është në numërim, nëse Kuvendi nuk merr dot një vendim pro kerkeses se saj ne shtator. Ndryshe do kishim debate dhe beteja ligjore “merr e jep” deri ne afatin maksimal qe njeh Kushtetuta, marsi i vitit tjeter.
A është e mundur që kjo të ndodhe? Nisur nga eksperienca e deritashme parlamentare për rastin në fjalë, po.
Elisa Spiropali (tanimë si kryetare e Kuvendit) siguroi Bardhin në përgjigjen e saj se afatet do respektohen sa kohë veçoi se nuk ka cënim te ligjit të Kushtetueses me shqyrtimin në shtator Por nuk paralajmeroi se cfare vendimi do te merret dhe kur. Dime vetem nje deklarate paraprake te ish-kryetarit te grupit te PS se, deputeti ishte i pavarur dhe nuk mund te imponohet ne vendimet e tij nga askush
Por çfarë është bërë deri tani?
Odiseja ‘Xhaçka’ nga 2022
Shqyrtimi për herë të parë i mocionit të PD-së për mandatin e Olta Xhaçkës në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit nisi në qershor të 2022. Ajo u shty në disa seanca me kërkesë të socialistëve, që kërkonin kohë për mbrojtje.
Vonesat çuan në një vendimmarrje vetëm sesionin tjetër parlamentar, ku sërish nuk u fut në rend dite deri nëntor 2022, kur mazhoranca votoi kundër dërgimit të kërkesës në Gjykatë Kushtetuese.
Në muajin janar 2023 Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim dy padi të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes, Olta Xhaçka.
Në maj të po atij viti, Kushtetuesja vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, ndërsa pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit.
Procedura filloi sërish nga fillimi, zvarritje mbledhjesh, me pas dalje me dy raporte nga Këshilli i Legjislacionit, votimi i vetëm i raportit te PS-se, padia më pas në Kushtetuese, e deri tek vendimi në fund te muajit korrik të këtij viti nga kjo gjykatë.
Kushtetuesja pretendoi se shumica parlamentare ka përvetësuar rolin e saj duke marrë përsipër analizimin e çështjes në themel, kur (PS) vendosi se Xhaçka nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete në shkelje të Kushtetutës.
Por në mendim pakice gjyqtarja Sonila Bejtja, arsyetoi se vete Gjykata Kushtetuese duhej të merrte direkt në shqyrtim çështjen në themel, pa pritur votimin e parlamentit por duke u nisur nga padia e opozitës.
Mbrojtja
Olta Xhaçka akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi.
Qysh prej asaj kohe Xhaçka ka këmbëngulur se nuk është në konflikt interesi, nuk kishte përfituar asnjë centimetër tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.