Shendet

Dezinsektimi, procesi nuk u krye në vitet 2021-2022 në zonat turistike që janë problem me qarkullimin e mushkonjave

Nga Gazeta Si –Institucionet e shëndetit publik në Shqipëri nuk i janë përgjigjur alarmit për shtim të qarkullimit të mushkonjave të rrezikshme si mushkonja lloji Culex pipiens dhe mushkonja tigër Aedes albopictus, që shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse sic është virusi i Nilit.

Një nga masat kryesore është dezinsektimi, por për dy vite me radhë, ky proces nuk u krye. Bëhet fjalë për vitet 2021-2022, proces që duhet të niste në fillim të muajit maj deri në tetor.

Por, sipas ekspertëve, rezultati më i mirë për luftën ndaj mushkonjave është kryerja e dezinsektimit që në mars.

Mungesa për 2 vite me radhë e procesit të dezinsektimit ka çuar në përhapjen masive të llojeve të mushkonjave, duke rriskuar shëndetin në popullatë.

Foto arkivi nga procesi i dezinsektimit në vitin 2020

Megjithëse procesi nisi zyrtarisht në vitin 2014, me dezinsektimin kryesisht në zonat bregdetare, programi Kombëtar i Dezinsektimit nuk ka funksionuar të zbatohet rregullisht.

Në mungesë të një dezinsektimi të hershëm, rrezik përbën dhe përhapja e malaries.

Për shkak të fokusit kryesisht në zonat bregdetare, pushteti vendor duket se ka lënë pas dore zona endemike që njihen për praninë në të shkuarën të kënetave e moçaleve siç janë Fieri e Lushnja.

Rastet e konfirmuara në Shqipëri me virusin e Nilit Perëndimor, sipas ISHP, nuk i përkasin zonave të desinsektuara, por janë zona me një distancë prej 2-3 km larg qytetit.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se 80 % e rasteve me ‘Ethet e Nilit Perëndimor’ kalojnë me  mënyrë asimptomatike, pas një pickimi nga mushkonja, dhe në mënyrë të qetë por ka dhe forma neuroinvazive me prekjen e sistemit nervor qendror, ku më të rriskuar janë pacientët mbi 65 vjeç me imunitet të dobët dhe sëmundje bashkëshoqëruese.

Format minore kalojnë me dhimbje koke, muskulore, abdominale, dobësi trupore dhimbje barku që nuk specifikojnë virusin.

Por ndërkohë kur kemi prekje të sistemit nervor, prekja trunore sjell konfuzionin mendor, humbjen e koshiencës, kalimin në gjendje kome dhe kërkon trajtim të specializuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë