Mjedis

KLSH: Bashkitë rrisin kostot për mbetjet por dështojnë në menaxhimin e tyre, Durrësi dhe Vlora më problematike

Nga Gazeta Si- Bashkitë vazhdojnë të kenë probleme me menaxhimin e mbetjeve. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Respektimi i standardeve në menaxhimin e mbetjeve urbane, sfidë e qëndrueshme në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullsisë” thuhet se bashkitë nuk kanë arritur të përmirësojnë situatën pavarësisht se kostot e tyre janë rritur në këtë drejtim.

Katër janë bashkitë që janë marrë në analizë: Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça ku më problematike situata shfaqet në dy të parat.

Sipas raportit, bashkitë nuk kanë siguruar menaxhim të integruar të mbetjeve urbane të prodhuara në territorin e tyre. Pra, në skemë e menaxhimit aktual të mbetjeve urbane që ato arrijnë të sigurojnë nuk realizohen proceset thelbësore si parandalimi, ripërdorimi, reduktimi e riciklimi i tyre. Gjithashtu, menaxhimi aktual i mbetjeve urbane nuk ka nxitur minimizimin e kostove të menaxhimit të mbetjeve për të përfituar edhe të ardhura nëpërmjet metodologjisë së trajtimit të tyre.

Më konkretisht, Bashkia Durrës gjatë menaxhimit të mbetjeve urbane nuk garanton qëndrueshmëri financiare të këtij procesi, pasi të ardhurat e krijuara për këtë qëllim nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e faktit se, Bashkia Durrës nuk ka arritur të mbledhë të gjitha të ardhurat e planifikuara nga tarifa e pastrimit. Megjithatë edhe nëse do të arrihej mbledhja e tyre në nivelin 100 %, përsëri nuk do të mund të mbuloheshin shpenzimet totale për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë bashki.

Arsyeja kryesore e mos mbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i venddepozitimit të tyre në landifillin e Sharrës. Kjo gjë ka rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë. Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %.

Në Vlorë, problematikat janë edhe më të rënda

Ndërkohë, menaxhimi i mbetjeve urbane në Bashkinë Vlorë paraqet problematika të tjera edhe më të rënda.

“Në këtë bashki mbetjet urbane depozitohen në një fushë të depozitimi e cila nuk respekton asnjë kriter mjedisor. Mbetjet urbane digjen në mjedis të hapur duke shkaktuar problematika të rëndësishme në shëndet dhe mjedis që vijnë nga çlirimi i dioksinave dhe furaneve në mjedis, Ekspozimi ndaj dioksinave, furaneve etj., shkakton lloje të ndryshme të kancerit, probleme të mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese si dhe efekte negative në zhvillimin e sistemit nervor”, shkruhet në raportin e KLSH.

Kjo situatë ka sjellë edhe pasoja ekonomike, sipas KLSH-së, duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave në afërsi të fushës së vend depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës.

Një tjetër çështje e trajtuar është edhe mënyra e përllogaritjes së tarifës së pastrimit për të cilën bashkitë nuk marrin në konsideratë madhësinë e familjes dhe sipërfaqen në të cilën familja jeton. Gjithashtu edhe për tarifat e vendosura për biznesin, ato nuk marrin në konsideratë sipërfaqen në të cilin biznesi ushtron aktivitetin e tij. Marrja në konsideratë e madhësisë së familjes si dhe sipërfaqes së banimit dhe ushtrimit të aktivitetit (në rastin e bizneseve) do ta bënte më të drejtë tarifën që çdo abonent do të duhet të paguajë.

Sa i përket zbatimit të politikave dhe kuadrit ligjor në fuqi, bashkitë Durrës, Shkodër, Vlorë e Korçë nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore lidhur me procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor. Gjithashtu, ato nuk kanë raportuar periodikisht në Këshillat e Qarqeve mbi zbatimin e planeve vendore, nuk kanë arritur objektivat mbi grumbullimin e diferencuar të mbetjeve bio për qëllime kompostimi si dhe riciklimin e letrës, kartonit, qelqit dhe plastikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë