Politike

Pakti i dytë Rama-Berisha që forcon pushtetin e tyre. Kandidatët në dy lista në 2025-ën, sa cakton Kryetari dhe risku për ata që zgjidhen nga populli (llogaritë për çdo qark)

Nga Gazeta Si - Edi Rama dhe Sali Berisha (në distancë) arritën (përmes miratimit nga grupet parlamentare respektive) dakordësi për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 2025-ës. Ky është pakti i dytë më tyre pas marrëveshjes së 2008.

Socialistët dhe demokratët i ofruan në tavolinë të ‘vegjëlve’ vetëm gjysëm ore para se të mblidhej Komisioni i ligjeve ndryshimin thelbësor, atë të shkuarjes në zgjedhje me dy palë lista. Lista e sigurte qe zgjidhet nga partia, ne kete rast nga kryetari dhe lista e dyte qe do zgjidhet me vote nga zgjedhesi.

Disa kandidatë do të jenë në listën e deputetëve të sigurt, lista e fiksuar, pra rreth 30% e listës është e sigurtë pavarësisht numrit të votave personale që kanë, nëse subjekti apo koalicioni që i kandidon marrin mandatet për deputetë, ata hyjnë të Kuvend.

Ndërkohë që disa të tjerë do të jenë në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohet procesit të parapëlqimit, që do të thotë që vendimtare do të jetë vota e qytetarëve për emrat preferencialë

Partia politike ose koalicioni zgjedhor, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Sipas draftit të dakordesuar, numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjesëtuar për tre. Në rast se nga ky pjesëtim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës. 

Psh, në Shkodër, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021 në 5 mandate PD, 2 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë parapëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. Pjesëtimi i 11 mandateve totale me tre jep shifrën 3.66 dhe referuar draftit kur presja është më e madhe se 0.5 mandati i shkon kandidatit të caktuara nga partia, që në këtë rast i bie 4 deputetë të PD. Vetëm një deputete do të zgjidhet nga vota parapëlqyese.

Propabiliteti më i madh i deputetëve të zgjedhur nga zgjedhësit është vetëm në Qarkun e Tiranës ku janë 36 mandate deputetësh. Referuar përllogaritjes, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor janë emra të fiksuar, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në Kuvend 12 deputetë.

Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votim “parapëlqyes”, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.

Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

Ajo që bie në sy është fakti se nuk është caktuar herësi apo  sa vota do të duhet të marrë kandidati nga vota parapëlqyese. Në draft thuhet se do të përcaktohet me vendim?!. Oerd Bylykbashi tha përmes një konference për shtyp se deputete nga populli do të bëhet ai që merr më shumë vota nga lista.

Që do të thotë se me këtë logjikë do të ketë luftë të brendshme mes kandidatëve qoftë edhe për një votë të vetme.

Referuar draftit të dakordësuar, pragu elektoral për subjektet ose koalicionet në nivel kombëtar do të jetë 1 % e votave kombëtare. Kush nuk e kalon këtë prag nuk futet.

Llogaritë e ndarjes së mandateve me dy lista sipas ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor  

Qarku Tiranë - 36 mandate

PS 12 të caktuar (nga kryetari)

6 me parapëlqim (nga populli)

PD 12 të caktuar

3 me parapëlqim

LSI 2 të caktuar

PSD 1 i caktuar

Qarku Vlorë -12 mandate

PS  4 të përcaktuar

4 me parapëlqim

PD 4 të përcaktuar s’ka garë

Qarku Shkodër -11 mandate

PS 3 të përcaktuar s’ka garë

PD 4 të përcaktuar 1 parapëlqim

PL 1 i caktuar

PSD 2 të caktuar

Qarku Lezhë - 7 mandate

PS 2 të caktuar

1 me parapëlqim

PD 2 të caktuar

2 me parapëlqim

Qarku Kukës - 3 mandate

PS 1 të caktuar

PD 1 të caktuar dhe 1 me parapëlqim

Qarku Korcë - 11 mandate

PS 4 të përcaktuar

2 me parapëlqim

PD 4 të përcaktuar

1 me parapëlqim

Qarku Gjirokastër - 4 mandate

PS 1 i përcaktuar

2 me parapëlqim

PD 1 i caktuar s’ka garë

Qarku  Fier - 16 mandate

PS 5 të caktuar

4 me parapëlqim

PD 5 të caktuar

1 parapëlqim

PL 1 i caktuar

Qarku Elbasan - 14 mandate

PS 5 të caktuar

3 me parapëlqim

PD 5 të caktuar

1 me parapëlqim

Qarku Durrës - 14 mandate

PS 5 të caktuar

3 me parapëlqim

PD 5 të caktuar

1 me parapëlqim

Qarku Dibër - 5 mandate

PS 2 të caktuar s’ka garë

PD 2 të caktuar

1 me parapëlqim

Qarku Berat - 7 mandate

PS 2 të caktuar

3 me parapëlqim

PD 2 të caktuar s’ka garë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë