Treg

Vlonjatët po ulin çmimet e hoteleve

Nga Gisela Troplini – Në Vlorë kanë filluar të shfaqen online rënia e çmimve në hotele

Në një monitorim të Gazetasi.al në platformën e Booking.al shumica e hoteleve janë të shënuara me “të kuqe”, që do të thotë se në shërbimet e tyre ka pasur një skontim të çmimit. Në 24 orë, hotelet e Vlorës kanë reduktuar tarifat e tyre me 20-30%.

Skontimi ka prekur në seri hotelet dhe apartamentet për turistë shumë pranë vijës bregdetare të Vlorës. P.sh për një natë që pak ditë më parë duhet të paguaje 22.000 lekë, me “ofertën” e re paguan vetëm 17.800. Për një natë 90 euro, çmimi është ulur në 30 euro.

Në takim me drejtuesit e bashkive pak ditë më parë, kreu i qeverisë tha se ata duhet t’i kërkojnë hoteleve të ulin çmimet, pasi po kryejnë “vetëvrasje”. Kryeministri u ndal në veçanti te ajo që po ndodh me çmimet në Vlorë.

Por bizneset vlonjate nuk mendojnë se do të bien “në gropën e gjoksit të tyre”, por e vlerësojnë kritikën e kryeministrit.

“Pjesën më të madhe të bizneseve e ka ulur me këmbë në tokë, pasi dhe ne kemi nevojë për ndonjë frenë apo ndonjë tërheqje mbrapa. Është shumë mirë që na e thonë dhe të tjerë. Nuk do të ketë ndikim negativ, u tha në momentin e duhur dhe në kohën e duhur. Shumë subjekte kanë ulur çmimet, nga 200 në 150.  Në vazhdimësi ne do të jemi mirë. Ne duhet të japim aq sa japim”, shprehet për Gazeta Si, Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë të Vlorës, duke theksuar se rritja e çmimeve ndodhi nga zhvlerësimi i euros dhe jo nga “dëshira” e bizneseve.

Lidhur me atë që kryeministri e quan “sulm të organizuar” ndaj turizmit shqiptar, Bedinaj thotë se bizneset nuk duhet të bien pre e lajmeve negative, pasi sezoni po ecën pozitivisht dhe ka vend e fitim për të gjithë.

Për mungesën e turistëve, kreu i operatorëve, shprehet se nuk ka rënie, por ka një shpërndarje, si pasojë e hapjes gjeografike dhe mundësive më të shumta për lëvizje.

“Me tunelin, një rrugë që më herët bëhej për 1 orë e 45 minuta, tani bëhet për 25 minuta. Turistët akomodohen në Vlorë dhe mund të lëvizin për plazh në Palasë, Dhërmi etj. thjesht Vlora është hapur gjeografikisht”, shpjegon Bedinaj duke theksuar se për gushtin dhe shtatorin, kapacitetet janë tërësisht të mbushura.

Çmimet e hoteleve në bregdet kanë qenë gjithmonë dhimbje koke për qeverinë. Në vitin 2017, qeveria Rama 1 uli në 6% nga 20% normën e TVSH-së për hotelet, me arsyetimin se tatimi i lartë i shtyn ato drejt evazionit dhe informalitetit.

Lëvizja përveç se dëmtoi buxhetin e shtetit, nuk mposhti dot informalitetin në këtë sektor. Në një anketë të fundit të këshillit të Investimeve, 38% e bizneseve në vend shprehen se ulja e TVSH-së 6% nuk ka sjellë ulje të informalitetit në turizëm.

Studimi i vitit 2022 nga organizata Co-Plan tregonte se 27 bashki nuk regjistronin fare të ardhura nga taksa e shërbimit hotelier dhe 21 të tjera regjistronin vetëm 1% të asaj çfarë gjenerojnë në të vërtetë, përfshirë bashkitë e mëdha, që presin miliona turistë.  

Në vjeshtë të 2023-shit, kryeministri Rama doli përballë bizneseve turistike dhe i “kërcënoi” ata me vendosje të çmimit referencë për hotelet, për shkak të mosdeklarimit.

“Si ta shpjegojmë kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat e deklaruara nga hotelet, të cilat nuk korrespondojnë njëlloj? Jo, ne nuk e pranojmë që t’ju marrim juve TVSH 6% për këtë shifër që na jepni ju, por do ju marrim shifrën 6% për shifrën që na thotë tregu dhe ju do na e jepni, se nuk e marrim ta çojmë në shtëpi, por për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë hallka që turizmi ka nevojë t’i përmirësojë shteti”, i tha Rama hoteleve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë