Sipas një studimi të ri, ndikimet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu janë aq dërrmuese saqë në fakt po ‘ngatërrojnë’ kohën.
Shkrirja e akullit polar, e shkaktuar nga ngrohja globale po ndryshon shpejtësinë e rrotullimit të Tokës dhe po rrit gjatësinë e çdo dite, në një prirje që do të përshpejtohet gjatë këtij shekulli pasi njerëzit vazhdojnë ndotjen që ndikon në ngrohjen e planetit, sipas studimit të publikuar të hënën në Punimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave.
Ndryshimet janë të vogla, një çështje e milisekondave në ditë, por në botën tonë të teknologjisë së lartë kanë një ndikim të rëndësishëm në sistemet kompjuterike ku ne jemi mbështetur, duke përfshirë GPS.
Është një tjetër shenjë e ndikimit të madh që njerëzit kanë në planet.
“Kjo është një dëshmi e gravitetit të ndryshimeve të vazhdueshme klimatike,” tha Surendra Adhikari, gjeofizikant në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s dhe autor i raportit.
Numri i orëve, minutave dhe sekondave që përbëjnë çdo ditë në Tokë diktohet nga shpejtësia e rrotullimit të Tokës, e cila ndikohet nga një nyje komplekse faktorësh. Këto përfshijnë proceset në bërthamën fluide të planetit, ndikimin e vazhdueshëm të shkrirjes së akullnajave të mëdha pas epokës së fundit të akullit, si dhe shkrirjen e akullit polar për shkak të ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, për mijëvjeçarë, ndikimi i hënës ka dominuar, duke rritur gjatësinë e një dite me disa milisekonda në shekull. Hëna ushtron një tërheqje në Tokë duke bërë që oqeanet të fryhen drejt saj, duke ngadalësuar gradualisht rrotullimin e Tokës.
Shkencëtarët kanë bërë më parë lidhje midis shkrirjes së akullit dhe ditëve më të gjata, por studimi i ri sugjeron se ngrohja globale ka një ndikim më të madh në kohë sesa kanë treguar studimet e fundit.
Në të kaluarën, ndikimi i ndryshimit të klimës në kohë “nuk ka qenë aq dramatik”, tha Benedikt Soja, autor studimi dhe asistent profesor në universitetin zviceran ETH Cyrih.
Por kjo mund të ndryshojë. Nëse bota vazhdon të ndikojë tek ngrohja e planetit, “ndryshimi i klimës mund të bëhet faktori i ri dominues”, duke ia kaluar rolit të hënës, tha ai për CNN.
Ekipi i shkencëtarëve ndërkombëtarë shikoi një periudhë 200-vjeçare, midis viteve 1900 dhe 2100, duke përdorur të dhëna vëzhguese dhe modele klimatike për të kuptuar se si ndryshimi i klimës ka ndikuar në kohëzgjatjen e ditës në të kaluarën dhe për të projektuar rolin e tij në të ardhmen.
Ata zbuluan se ndikimi i ndryshimit të klimës në kohëzgjatjen e ditës është rritur ndjeshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.