Nga Gazeta 'SI' - Në tre muajt e parë të 2024-s, Banka e Shqipërisë ka blerë një vlerë minimale të valutës në treg, më pak se 33 mln euro. Gjatë të gjithë vitit, BSH parashikon të blejë deri në 330 mln euro.
Po ashtu, edhe injektimi i lekëve në treg ka qenë minimal nga ana e BSH-së. Injektimi mesatar ditor ra në mesatarisht 22.70 mld lekë, kundrejt përkatësisht 47.70 miliardë lekë dhe 54.20 miliardë lekë në tremujorët e mëparshëm. Gjatë kësaj periudha kursi mesatar euro-lek ishte 102.
Banka e arsyeton rënien e injektimeve me rënien e “urisë” së tregut, pasi në fund të vitit 2023, qeveria shtoi shpenzimet kapitalet duke hedhur kështu natyralisht para në qarkullim. Mungesa e likuiditetit ra gradualisht nga 65.60 miliardë lekë në fillim të muajit shtator, në 41.10 mld lekë në fillim të vitit 2024 dhe 10.80 mld lekë në fund të muajit janar.
Gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka vijuar të tentojë rritjen e portofolit nëpërmjet ankandeve të blerjes së letrave me vlerë. Vlera e portofolit të bonove të thesarit të Bankës së Shqipërisë është 70.00 miliardë lekë, pranë niveleve maksimale të vërejtura.
Kursi i këmbimit vijon të jetë në rënie të lirë, por në pritje të sezonit veror, kursi euro-lek ka patur një “ngrirje” dhe nuk e ka thyer kufirin e 100 lekëve. Të dhënat e mëvonshme do të tregojnë nëse ka patur një “dorë të padukshme” nga ana e BSH-së. Siç tregoi vetë Guvernatori i Bankës, BSH ka ndërhyrë për stabilizimin e kursit, por nuk mund ta shprehë këtë për shkak të efektit psikologjik që ka në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.