Politike

S’ka pakt për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, Gjiknuri: Kjo çështje është mbyllur, në diskutim vota e diasporës dhe herësi

Të premten në mesditë është mbledhur grupi i dialogut ku fokus ishte reforma zgjedhore.

Gjatë mbledhjes, Partia Demokratike kërkoi rikthim tek marrëveshja e 5 qershorit, por për Partinë Socialiste kjo është çështje e mbyllur.

Për opozitën rikthimi tek ajo marrëveshje do të thotë rikthim i koalicioneve parazgjedhore.

Por për Damian Gjiknurin  kjo çështje është e ezauruar edhe me çertifikimin e Venecias.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, Gjiknuri tha se ka mosdakordësi edhe për votën e diasporës dhe çështjen e herësit.

”“Nuk kemi një konkluzion për shumë çështje që duhet të ishin adresuar si rekomandimet e ODIHR pasi opozita kërkon rikthimin e marrëveshjes së 5 qershorit që është vetëm datë historike dhe nuk kanë asnjë vlerë juridike sepse ndryshimet e Kodit iu nënshtruan certifikimit të Venecias.

Duhet të adresojmë dy çështje që janë Kushtetuese. E para ka të bëjë me votën e diasporës dhe kemi marrë dhe propozimin e disa kolegëve të opozitës që vota e diasporës të llogaritet atje ku votuesi ka pasur vendbanimin e fundit, lehtësia e regjistrimit mes KQZ e më pas në Gjendjen Civile. Kjo do të jetë baza e projektligjit.

Çështja e dytë është formula e herësit për shpërndarjen e mandateve brenda forcave politike. Ne jemi të hapur për konsensus, do dalim me propozimet tona dhe nëse do të ketë dakordësi do vijojmë me ndryshime. Dhashë garancinë që ne jemi gati të financojmë votimin dhe numërimin elektronik te votave në 4 qarqet e mëdha. Nuk e di, PD duket sikur ka hequr dorë dhe nga ky propozim, duket sikur nuk ka besim”, tha Gjiknuri.

Bashkëkryetari tjetër i Grupit të Dialogut, Oerd Bylykbashki, e ka vënë theksin tek koalicionet parazgjedhore në Kodin e ri Zgjedhor.

“Një nga çështjet që kemi shtruar nga platforma është rikthimi të marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, nënshkruar me konsensus nga dy PS dhe PD dhe mbështetur nga nivelet më të larta të diplomacisë.

Për rrjedhojë është një marrëveshje që qëndron sot e kësaj ditëm pavarësisht se qëndron e shkelur.

Refuzimi i mazhorancës për të pranuar që t’i rikthehemi një dakordësie të përbashkët bëhet vetëm me pretendimin se ne tashmë e kemi bërë dhe nuk i kthehemi pas.

Shkelja e marrëveshjeve është një nga elementët kryesore që çojnë në mosbesim.

Ne po kërkojmë respektimin e firmës që PS kanë vënë kur është pranuar në atë kohë që sistemi zgjedhor nuk ka dakordësi për të ndryshuar.

Jo që nuk e respektuan këtë, por e gjymtuan në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor duke  hequr mundësinë e koalicioneve siç kanë qenë.

E ripërsëris, me shifra në dorë një parti politike, LSI mori në vitin 2021, mori 110 mijë vota dhe mori 4 mandate, ndërkohë që me 30 mijë vota partia Social Demokrate mori 3 mandate.

Kjo tregon qartë që ndryshimi i njëanshëm për të gjymtuar sistemin zgjedhor nuk përbën gjë tjetër, vetëm se deformon votën.

Ky deformim do të transferohet në të njëjtën masë madje duke e përkeqësuar edhe votën e emigrantëve.

Po kërkojmë që zgjedhësit shqiptarë të kenë të drejtën e listës së hapur të partive demokratike.

Ajo që po kërkojmë është diçka e dakordësuar që nga viti 2003, është e mbështetur nga 2 reforma.

Kjo tregon vetëm një gjë, keqbesimin e Edi Ramës dhe vullnetin e tij për të fituar në tryezë zgjedhjet.

Çështjet tjera që ne presim të adresojmë është goditja e shit-blerjes së votës.

Të gjitha këto janë të refuzuara deri me tani. Ne kërkojmë që kjo Reformë te jetë e plotë dhe e drejtë”, tha ndër radhë Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë