Politike

Bardhi çon konkluzionet në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës: Rama po e trajton gjykatën si aneks të ekzekutivit    

Gazment Bardhi depozitoi konkluzionet të martën në Gjykatën Kushtetuese që lidhen me padinë e depozituar më herët (dhe e shqyrtuar të premten) për të cilësuar antikushtetues vendimin e Kuvendit që ndalonte në thelb çuarjen e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.    

“Që në qershor të vitit 2022 ashtu si jurisprudenca e ka përcaktuar Olta Xhaçka do duhet të kishte humbur mandatin e deputetit.

Me një vendim politik mazhoranca ka vendosur t’i japë Xhaçkës përveç statusin e investitorit strategjik edhe statusin e të paprekshmit.

Ne vijmë për herë të dytë për këtë çështje në Kushtetuese. Kemi fituar  herën e parë. Kuvendi me një akt të paprecedentë ka vendosur që për interes personal të Xhaçkës dhe Ramës të injoroi zbatimin e këtij vendimi.

Edhe qëndrimi i sotëm i Kuvendit ishte ekzaktësisht ky që meqë Ramës nuk i pëlqen vendimi, do duhet të ndryshohet vendimi.

Ky qëndrim tregon në fakt mënyrën se si Edi Rama qeveris vendin, tenton ta trajtojë Kushtetuesen si një aneks të ekzekutivit.

Kjo është më së shumti një çështje e vetë trupës së kësaj gjykate. Ata janë sfiduar nga politika dhe Edi Rama”, tha Bardhi.

Ai nenvizoi se secili ka të drejtë të komentojë vendimin e kësaj gjykate, por nuk mund të vejë në pikëpyetje për ta zbatuar atë.

Parlamenti votoi me 11 prill kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, siç kjo e fundit ka urdhëruar në vendimin e janarit 2023.

Në thelb, deputetët firmëtarë të opozitës përfaqësuar nga Gazment Bardhi kundërshtuan vendimin sa me siper te Kuvendit “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe deklarimin e këtij vendimi si të papajtueshëm me Kushtetutën. 

Mocioni i grupit të PD-së lidhej me ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka.  

Bardhi kërkoi ne thelb në seancën e te premtes (21 qershor) zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe subjektit kushtetues në konflikt, (jo më pak se 1/10 e deputetëve), sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (në këtë rast e një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i tyre nga Kuvendi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë