Nga Gazeta ‘Si’- Nga lutjet për Serbinë dhe Republikën Sërpska, përmes deklaratës, te folklori.
Kështu është konceptuar “Kuvendi gjithëserb” me emërtimin “Një komb, një kuvend – Serbia dhe Sërpska”.
Me idenë e vërtetimit të unitetit serb, kjo ngjarje e shpallur edhe si “festë e madhe”, po mbahet të shtunën në Beograd.
Në një takim të përbashkët të Qeverive të Serbisë dhe Republikës Sërpska, është miratuar edhe Deklarata për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se dokumenti i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, dhe nuk përmendet përçarja në Bosnje-Hercegovinë.
Ky dokument, që nuk është bërë ende publik, duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.
Si u zhvilluan punimet?
Vuçiç ka thënë në takimin e përbashkët mes dy qeverive se, ruajtja e paqes përbën interesin më të madh të serbëve.
Ai ka thënë se këto fjalë janë zgjedhur me kujdes në deklaratë.
“Ju merrni vendimet tuaja, unë vetëm ju kërkoj që të mendoni një milion herë se sa shumë na duhet paqja”, ka thënë ai, duke iu drejtuar zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilëve u ka thënë se “Serbia nuk do ta lë kurrë në baltë Republikën Sërpska”.
“Mirëpo, kërkesa ime është që të tentoni t’i zgjidhni problemet në paqe dhe me negociata, dhe në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarata e miratuar të shtunën bën fjalë për perspektivën evropiane, por edhe për ruajtjen e miqësive tradicionale.
Ai ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Dodik ka thënë se 15 shkurti, që shënon Ditën e Shtetësisë së Serbisë, do të shënohet si ditë e veçantë edhe në Republikën Sërpska.
Ai ka shtuar se “ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj faktit që Republika Sërpska është krijuar më 9 janar, dhe ne ashtu do ta festojnë krijimin e saj”.
“Republika Sërpka është e kënaqur me autonominë që ka pranuar përmes Marrëveshjes së Dejtonit, mirëpo kjo është vënë në pikëpyetje. Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë të shkelë Dejtonin, është më mirë të jetojmë si fqinj të mirë, sesa përherë të jemi duke u grindur”, ka thënë Dodik.
Ai ka thënë se populli serb dëshiron paqe.
Dodik e ka përshkruar deklaratën e së shtunës si dokument historik për interesat kombëtare të serbëve.
“Kjo deklaratë jep përgjigje për shumë sfida, rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kuvendi po mbahet në kohën e forcimit të retorikës së autoriteteve në pushtet për “rrezikimin e popullit serb”, për shkak të miratimit në Kombet e Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u kundërshtua nga Beogradi dhe Banjalluka.
Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe përdor cilësimin “krim i tmerrshëm”
Nisja e Kuvendit
Kuvendi ka nisur me lutje të Kishën e Shën Savës, më të madhen kishë ortodokse në Serbi, nën drejtimin e patriarkut Porfirije.
“Jemi mbledhur për t’iu lutur Zotit për unitet dhe unitet të njerëzve tanë, si dhe për paqe mes të gjithë njerëzve dhe të gjitha kombeve”, ka thënë Porfirije.
“Nuk jemi kundër askujt, mirëpo jemi këtu për të mirën tonë, dhe për të mirën e të gjithë atyre që jetojnë me ne dhe rreth nesh”.
Ai ka bërë thirrje për unitet dhe harmoni, por edhe për ndërtim të paqes me të gjithë.
Prej aty, pjesëmarrësit kanë shkuar në Pallatin e Serbisë, ku mbahen takimet mes Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska.
Vuçiç ka thënë përmes një postimi në Instagram se vëmendje e posaçme do t’i dedikohet edhe përparimit ekonomik, projekteve të interesit të përbashkët dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Ne do të vazhdojmë të avokojmë për ruajtje të paqes, stabilitetit dhe identitet kombëtar, kulturor dhe fetar”, ka thënë ai.
Shënimi qendror i manifestimit do të jetë në Sheshin qendror të Republikës, me 48 ansamble folklorike dhe 2.500 valltarë.
Ngjarja përfundon në mbrëmje, me fishekzjarrë nga Parku i Republikës Sërpska.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.