Gazeta Si - Sa kushton për të menaxhuar emigrantët e ardhur nga Italia në Shqipëri përmes detit? Ndër arsyet e shumta të konfliktit mes kryeministres Giorgia Meloni dhe lideres së opozitës italiane, Elly Schlein, ajo që po zë vend, ka të bëjë me çështjen e emigrantëve dhe në veçanti me menaxhimin e dy pikave të nxehta që Italia po përgatit të hapë në Shqipëri.
Konflikti fokusohet mbi të gjitha në kostot dhe "qëndrueshmërinë" ligjore të operacionit. Por çfarë thonë numrat për këtë? Këtu janë disa elemente vlerësimi, të raportuara nga gazeta "Corriere della Sera".
LEXO EDHE:
- Deputeti i opozitës italiane përplaset me Melonin në Shëngjin: Turp, imagjinoni ç'mund t’i ndodhë një emigranti! (Video)
- Pas akuzave të Rai 3, Meloni mbron Ramën në Shëngjin: Dy qendrat për emigrantët do të jenë operative nga 1 gushti
- Si po fryhen shumat me miliona euro! Marrëveshja për emigrantët Itali-Shqipëri është plot me kosto 'të fshehura'
Çfarë thuhet në njoftimin e ministrisë
Për dy qendrat e pritjes (Shëngjin e Gjadër), tenderi përcakton një shpenzim prej 653 milionë eurosh të “shpërndarë” në 5 vite për një kapacitet plotësisht funksional prej 3.000 vendesh (fillimisht 1.000 sipas asaj që deklaroi kryeministrja Meloni një ditë më parë në Shëngjin).
Maksimumi një vit, në dy pikat e nxehta do të kalojnë 36 mijë të huaj, për një periudhë jo më shumë se 28 ditë. Pas këtij afati, emigranti duhet të kthehet në Itali.
Kostot
Faqja e internetit “Openpolis”, duke analizuar njoftimin e ministrisë, ka përllogaritur me vlerën e përafërt të një sasie, kostot për çdo aktivitet individual.
Ndërtimi i strukturave kushton rreth 30 milionë, po aq do të duhet edhe për menaxhim. Por ato nuk janë lëvizjet kontabël më të rëndësishmet. Barra më e madhe ka të bëjë me shpenzimet e udhëtimit të personelit të ministrive, konkretisht të Brendshme, të Drejtësisë dhe të Shëndetësisë (252.5 milionë, baraz me 180 mijë euro në ditë) dhe ajo për dhënien me qira të anijeve (95 milionë).
Por këtu tashmë kanë lindur dyshime, sepse janë parashikuar mbi 13 milionë euro shpenzime vetëm për marrjen me qira të një anijeje për tre muaj.
Udhëtimi dhe marrja me qira e anijeve, janë shpenzime që nuk do të ishin kryer nëse qendrat e pritjes do të ishin ndërtuar në Itali.
Sa shpenzon Italia për emigrantët?
Shpenzimet e përgjithshme të buxhetuara për pritje në vitin 2024, ishin 1.4 miliardë lekë. Është llogaritur, se në një qendër pritjeje italiane, një emigrant kushton 945 euro në ditë.
Sa do të ndryshojë kjo shifër për të mbështetur një emigrant përtej Adriatikut duke qenë se “kostot fikse” janë më të larta?
Është e vështirë të përcaktohet kjo, apriori për dy arsye: numri i zbarkimeve luhatet shumë (ato u rritën me 60% në vitin 2023 dhe tani po zvogëlohen me një ritëm pothuajse të ngjashëm) dhe brenda këtij grupi nuk është e lehtë të përcaktohet se sa prej tyre kanë kërkesat për t'u "devijuar" në Shqipëri.
Në fakt, vetëm meshkuj, të rritur, në kushte jo të cenueshme dhe që vijnë nga të ashtuquajturat "vende të sigurta", pra ato që lejojnë riatdhesimin e shpejtë të atyre që nuk kanë të drejtë mbrojtjeje ligjore, do të mund të zbarkojnë në Shqipëri.
Por a mund të bëhet?
Sikur të mos mjaftonin dyshimet ekonomike, janë edhe ato ligjore. Në hipotezën e protokollit, dy pikat e nxehta në Shqipëri gëzojnë ekstraterritorialitet: domethënë konsiderohen si territor italian brenda një shteti të huaj.
Si një ambasadë apo konsullatë. Seancat dëgjimore që shqyrtojnë kërkesat e emigrantëve do të zhvillohen nga distanca.
Disa juristë kanë ngritur dyshime për rregullsinë e kësaj procedure dhe nëse të drejtat e azilkërkuesve mund të garantohen.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.