Gazeta Si – “Rroftë pranvera, rroftë Irani!”. Me këto fjalë, para rreth pesëdhjetë gazetarëve, Mahmud Ahmadinexhad u kthye në skenë, duke premtuar se do të kërkonte “angazhim konstruktiv” me botën dhe do të përmirësonte marrëdhëniet ekonomike me të gjitha kombet.
Ish-presidenti ultra-konservator iranian, paraqiti kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të 28 qershorit në Teheran të dielën, i rrethuar nga një turmë mbështetësish.
Gishtat në formë V-je, në shenjë fitoreje, valëvitja e flamujve iranianë rreth tij, bëri që gjaku të ngrijë në venat e atyre që kujtojnë kur në vitin 2005, deklaroi se Izraeli ishte i destinuar të “fshihej nga harta gjeografike” dhe se Holokausti ishte thjesht një “mit”.
Si kryebashkiak i Teheranit, midis viteve 2003-2005, ai mbylli të gjitha restorantet e ushqimit të shpejtë dhe detyroi punonjësit e bashkisë të mbanin mjekra të gjata.
Pasi u zgjodh president, ai rifilloi programin e kërkimit bërthamor, i pezulluar dy vjet e gjysmë më parë nga Khatami.
Dhe performanca e tij para studentëve të habitur të Universitetit të Columbia-s kur pretendonte se “nuk ka homoseksualë në Iran”, mbetet e ngulitur në vitin 2007.
President nga viti 2005 deri në vitin 2013, Ahmadinexhad arriti të antagonizojë praktikisht çdo sektor të shoqërisë iraniane, nga ai ultra-konservator, të cilit i përket, deri tek ai reformator.
Udhëheqësi suprem, Ali Khamenei e konsideroi atë “si një djalë”, por ai përfundimisht u kthye kundër tij, duke e vënë veten në kundërshtim me fuqinë e Pasdaran-it (Garda Revolucionare).
Pas zgjedhjeve të vitit 2009, ai shtypi me gjak revoltën e atyre që e akuzuan se kishte mundur kundërshtarët e tij, Hossein Mousavi dhe Mehdi Karroubi me mashtrim.
Të gjithë në botë e kujtojnë Valën e Gjelbër, një nga lëvizjet protestuese më mbresëlënëse në historinë iraniane, 4000 ose më shumë arrestime, vdekje, të paktën njëqind, përfshirë Neda Agha-Soltan, studenten iraniane të vrarë në rrugë dhe që u bë shpejt simbol i lëvizjes.
Nën hetim nga Parlamenti për menaxhimin e tij të çështjeve të qeverisë, i pari që pësoi një akuza të tillë në historinë e vendit, ai u largua nga skena në vitin 2013 me zgjedhjen e Hassan Rouhanit.
Pastaj rikthimi, konfliktet gjithnjë e më të dukshme me udhëheqjen, duke përfshirë kandidaturën në 2017 të kundërshtuar nga vetë Khamenei, u përsëritën pa sukses katër vjet më vonë.
Së fundmi, vitin e kaluar, në kulmin e protestave për vdekjen e Mahsa, Aminit, sfidoi regjimin, duke shpjeguar në një video se “paratë e shpenzuara për të shtypur njerëzit duhet të shpenzohen për të zgjidhur problemet e vendit”.
Tani duhet të shihet nëse më 11 qershor, Këshilli i Gardës, organi i fuqishëm mbikëqyrës që ka për detyrë të përzgjedhë kandidatët përfundimtarë, do ta lejojë ish-presidentin të kandidojë në zgjedhjet e shpallura pas vdekjes së Ebrahim Raisit në një aksident me helikopteri në 19 maj.
Raisi, 63 vjeç, kishte qenë president i Iranit për tre vjet, në një kontekst tensionesh të forta ndërkombëtare dhe demonstratash dhe represionesh të përhapura të brendshme, me shpërthimin e Lëvizjes për Lirinë e Jetës së Grave.
Mbi 34 kandidatë janë paraqitur për të marrë detyrën nga presidenti Ebrahim Raisi.
Mes tyre, janë Ali Larijani, ish-kryetar i Kuvendit, i moderuari, ultra-konservatori Saeed Jalili, Zohreh Elahian, ish-deputetja që Kanadaja e sanksionoi për mbështetjen e dënimit me vdekje për protestuesit e lëvizjes së Mahsa Aminit.
Është edhe ministri i Kulturës dhe Orientimit Islam, Mohammadmehdi Esmaili, i njëjti që njoftoi se aktorët që dolën në publik duke hequr hixhabin, nuk mund të punojnë më.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




