Politike

Skema abuzive me shoqatat e mikrokreditit, opozita ngre zërin: Banka e Shqipërisë përgjegjëse për mosreagim në kohë

Nga Gazeta Si - Banka e Shqipërisë u përpoq të hiqte nga vetja çdo përgjegjësi për skandalin e disa shoqërive të mikrokreditit për abuzimin financiar me mijëra kreditorë, por në këndvështrimin e opozitës Banka Qendrore nuk mund ta shmangë përgjegjësinë e saj. Nënkryetarja demokrate e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Sorina Koti, tha në një intervistë për Gazeta Si se interesi publik ishte rrezikuar për shkak të mosndërhyrjes në kohë të Bankës dhe disa institucioneve të tjera. “Komunikimi dhe bashkëveprimi i institucioneve të mbikqyrjes financiare, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, duhet të ishte më i hershëm dhe rezultativ. Ato duhet të kishin ndërhyrë në kohën e shfaqjes së problemit dhe, veçanërisht, pas sinjalizimeve të para zyrtare. “- tha zonja Koti në lidhje me skandalin, ku prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e 10 milionë eurove në llogari të dy shoqërive të mikrokreditit, që janë në hetim.  Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë shfaqi gatishmërinë e opozitës për t’u bërë pjesë në ndryshimet e domosdoshme ligjore për të shmangur përsëritjen e fenomenit në të ardhmen.

Në intervistën për Gazeta Si, Sorina Koti u shpreh se paketa e re ligjore duhet tu japë fund skemave të tilla financiare që, pasi blejnë kreditë e këqija nga bankat, zhysin me mijëra qytetarë në një spirale të re borxhesh me përqindje shumë të larta, me dyshimin se në emër të këtyre borxheve kanë tjetërsuar padrejtësisht edhe pasuritë e paluajtshme të kreditorëve.

Gazeta Si: Arrestimet e fundit të Prokurorisë dhe sekuestrimi i pasurive konfirmuan skemën abuzive me kreditë e këqija nga një shoqëri mikrokrediti. Pse ju si opozitë këmbëngulni se kjo ishte një skemë mashtrimi për qytetarët?

Sorina Koti: Mënyra abuzive sesi funksiononin disa shoqëri të mikrokredisë, evidentuar kjo nga dëshmitë e klientëve të dëmtuar, por edhe nga emisione të gazetarisë investigative, të çojnë në dyshimin e përligjur se interesi publik ishte i rrezikuar, ndërsa mijëra familje ndiheshin të mashtruar. Ky fenomen ishte i shoqëruar me thellimin e problemeve sociale, veçanërisht për një segment tregu të margjinalizuar dhe me të ardhura të vogla. Rifinancimi i familjeve nga shoqëritë e mikrokredisë, nëpërmjet blerjes së borxhit të tyre nga institucione "banka" dhe çeljes së kredisë të re, ndërkohë që, po këto familje kishin pamundësi për të paguar këstin, konfirmuar kjo për një kohë të gjatë, nuk është vetëm një produkt me risk të lartë, por i çon këto familje drejt rrënimit financiar. Penalitetet e larta për ditëvonesat, si dhe interesat e larta të financimit të ri, të dyja të palimituara dhe pa një tavan maksimal, shoqëruar kjo edhe me shpenzimet e larta përmbarimore dhe legale, i çuan kredimarrësit drejt një kaosi familjar dhe shoqërinë shqiptare drejt një problemi të ri të mprehtë të një përballkeje sociale.

Gazeta Si: Në një dëgjesë të thirrur prej jush në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk mori asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar me këto shoqëri të licensuara prej bankës për këtë aktivitet. Si e vlerësoni reagimin e Bankës Qendrore apo kanë përgjegjësi institucione të tjera?

Sorina Koti: Komunikimi dhe bashkëveprimi i institucioneve të mbikqyrjes financiare, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, duhet të ishte më i hershëm dhe rezultativ. Ato duhet të kishin ndërhyrë në kohën e shfaqjes së problemit dhe, veçanërisht, pas sinjalizimeve të para zyrtare. Banka e Shqipërisë ka autoritetin e ruajtjes së stabilitetit ekonomik të vendit, në stabilitetin e çmimeve dhe kontrollit të inflacionit, por edhe të gjithë përgjegjësinë e mbikqyrjes periodike dhe marrjen e masave disiplinore për çdo institucion financiar të licensuar. Shoqeritë e mikrokredisë zënë një peshë në rritje në tregun financiar të vendit, kryesisht dominuar nga bankat. Ato veprojnë për një grup klientësh, të cilët nuk financohen dot nga bankat për shumë arsye, si formalizimi i të ardhurave, shpejtësia e vendimmarrjes etj, por nga ana tjetër këto shoqëri kërkojnë mbikqyrje më të thellë, pasi jo vetëm klientet e tyre kanë potencial më të lartë risku, por edhe vetë burimet njerëzore dhe profesionale të këtyre shoqërive janë të limituara në raport me bankat.

Gazeta Si: Ish Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka bërë një kallëzim në prokurori 4 vjet më parë për një rrjet kompanish dhe individësh të përfshirë në skemën e zhvatjes së qytetarëve me kredi të këqija dhe sekuestrimit apo nxjerrjes në ankand të shtëpive të tyre. Pse u zgjat kaq shumë kjo histori për t’u hetuar dhe prokuroria ndërhyri vetëm tani?

Sorina Koti: Pikërisht për këtë argument cituar nga ju. Shpresoj dhe kërkoj që hetimi nga Prokuroria dhe Gjykata të jetë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Koordinimi midis institucioneve duket i munguar dhe reagimet e tyre kanë ardhur vetëm pasi problemet u bënë publike. Sinjalet nga Ministria e Drejtësisë apo nga Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë duhej të lexoheshin seriozisht dhe me përgjegjshmëri nga institucionet vendimmarrëse. Ata nuk duhet të kishin ngelur vetëm në konstatim të problemit, por shoqëruar me mbikqyrje dhe analiza të thelluara për të mbrojtur interesin publik dhe kredimmarrësit nga çdo forma e mundshme abuziviteti.

Gazeta Si: Pse opozita reagoi kaq vonë për ketë problem? Media të specializuara për ekonominë e kanë ngritur këtë shqetësim të paktën 6 muaj më parë duke sjellë histori familjarëve të marrjes së shtëpive nga shoqëria MCA për 1 milionë lekë të vjetra borxh të papaguar në kohë?

Sorina Koti: Evidentimi i njëpasnjëshëm i rasteve nga kredimarrësit e dëmtuar dhe bërja publik e një shqetësimi të tillë social në rritje, është një presion reagues jo vetëm për opozitën, por për të gjitha institucionet ligjzbatuese në mbrojtje të qytetarëve nga abuziviteti dhe imponimi financiar dhe pseudokreditues. Opozita mbështet një transparencë të plotë për të gjithe procesin në vazhdim duke insistuar në analizimin e të gjitha fakteve dhe problemeve legale dhe kredituese të evidentuara, gjetjen e mundësive lehtësuese për kredimmarrësit e abuzuar, si dhe përmirësimin e hallkave të sistemit, në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në vazhdim. Besoj se është koha e duhur për të riparë me përgjegjshmëri produktin e shoqërive të mikrokreditit në tregun financiar dhe ekonominë shqiptare, por edhe ndikimin apo pasojat e tyre në shoqërinë dhe familjen shqiptare. Paralelisht me to, duhet të rikonsiderohen të drejtat e licensimit, mbikqyrjes, apo rregullimeve të nevojshme ligjore mbi shoqatat e mikrokredisë, veçanërisht për ato që burimet e financimit të tyre vijnë nga jashtë shoqërisë. Në një treg financiar, ku ai i bankave të nivelit të dytë është dominant, i formalizuar dhe i plotësuar me paketën e shërbimeve dhe financimit për të gjitha segmentet e interesuar kredimarrëse të shoqërisë në fshat apo qytet, roli i shoqërive të mikrokreditit duhet riparë dhe ridimensionuar.

Gazeta Si: Guvernatori Sejko rekomandoi bërjen e disa ligjeve të reja që mbrojnë konsumatorët me kredi të këqija nga zhvatja e kompanive si MCA apo FINAL. A janë të vonuara këto masa dhe a e zgjidhin problemin?

Sorina Koti: Patjetër që ngjarjet e ndodhura me disa shoqëri të mikrokreditit, do të kërkonin një rishikim, përmirësim dhe saktësim të kompetencave të shoqërive të mikrokredisë, por edhe të shoqërive përmbarimore, në ndalim të abuzivitetit nga ana e tyre, por, njëkohësisht, edhe ligje me të drejta ku të mbrohet kredimarrësi dhe interesi makroekonomik i vendit. Në këtë kuadër, çdo përmirësim apo paketë e re, propozuar nga Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave, Shoqata e Mikrokredive, Dhoma e Përmbarueseve Gjyqësorë Privatë, Ministria e Financës, Ministria e Drejtësisë dhe AMF do të ishin të mirëpritura dhe do të shërbenin në plotësimin e nevojshëm për një sistem më të konsoliduar financiar të vendit me synim interesin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë