Ne rrjet

Një ‘mur dronësh’ kundër provokimeve ruse, propozimi i vendeve baltike dhe nordike

"Pengesa" do të kalonte përgjatë kufirit nga Norvegjia në Poloni. Blloku Verilindor po përgatitet të përballet me një përshkallëzim të mëtejshëm me Moskën

Gazeta Si – “Muri i dronëve” është një hap tjetër drejt një NATO-je me “dy ndjeshmëri”. Të premten më 24 maj, ministrja e Brendshme e Lituanisë, Agne Bilotaite, njoftoi një plan për të forcuar mbikëqyrjen ajrore në krahun lindor të Aleancës Atlantike. Iniciativa promovohet nga gjashtë vende: Finlanda, Norvegjia, Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Ideja është të vendoset një forcë e përbashkët ndalimi dhe vëzhgimi, e përbërë nga dronë dhe instrumente të teknologjisë së lartë, me qëllim që të monitorohen kufijtë dhe t’i mbrojnë ata, përsëri sipas fjalëve të Bilotaite, nga “provokimet jo miqësore”, si dhe nga “trafikimi i paligjshëm”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore do të vendosen gjithashtu për të kapur çdo inkursion të kryer nga forcat ajrore ruse.

Ministrja lituaneze shtoi se “mund të përdoren edhe fondet e Bashkimit Europian”, natyrisht për shtetet që janë pjesë e tij, pra të gjitha përveç Norvegjisë.

Përfaqësuesit e gjashtë vendeve shqyrtuan gjithashtu skenarë të mundshëm për evakuimin e popullsisë në rast konflikti.

Për momentin nuk ka detaje të tjera, për shembull për kohën e zbatimit. Ministrja finlandeze, Mari Rantanen, saktësoi se “do të bëhet shpejt, sapo të gjithë të jenë gati”.

Në çdo rast, sinjali është i qartë. Blloku Verilindor po përgatitet të përballet me një përshkallëzim të mëtejshëm me Moskën, pa pritur për pjesën tjetër të aleatëve. Brenda NATO-s po zhvillohet një diskutim intensiv mbi perspektivat e luftës në Ukrainë.

Jo nga sot, në fakt. Por dalja e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka nxjerrë në pah se sa shumë ndryshojnë pozicionet, ose siç thonë diplomatët, “ndjeshmëritë” e kultivuara nga të dyja palët.

Në një intervistë me “Economist”, Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë duhet të autorizojnë ukrainasit të godasin objektivat ushtarakë në territorin rus me armët që u furnizohen.

Kundër kësaj mundësie u deklaruan menjëherë kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe liderë të tjerë. Amerikanët po vlerësojnë rreziqet, duke filluar nga reagimi rus në fushën e betejës.

Qeveritë e Polonisë, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, megjithatë, mbështesin sugjerimin e Stoltenberg. Sektorët lindorë dhe veriorë janë gjithnjë e më të bindur se NATO po bën shumë pak si për të mbështetur rezistencën e Ukrainës, ashtu edhe për të siguruar kufijtë e vendeve anëtare.

Ankesa i drejtohet kryesisht Joe Biden-it, por prek edhe Scholz-in, Meloni-n dhe të tjerët, të cilët konsiderohen shumë të kujdesshëm përballë agresivitetit të Vladimir Putinit.

Diskutimi midis Lindjes dhe Perëndimit ishte shfaqur qartë tashmë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel më 24 mars 2022.

Me atë rast, Polonia, vendet baltike dhe Norvegjia bënë presion për t’i dërguar një mesazh të paqartë Putinit: NATO “nuk duhej të përjashtojë” ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në Ukrainë.

Përfundimisht linja e moderuar e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Italisë kaloi: asnjë ushtar perëndimorë në front. Që atëherë, kontrasti midis dy qasjeve është përsëritur rregullisht në çdo samit, në çdo nivel.

Ndërkohë, mbështetësit e linjës më ekstremiste kanë zbatuar projekte të menaxhuara në mënyrë të pavarur.

Më 16 mars 2023, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka nënshkruan një “deklaratë synimi” për të krijuar një “forcë të përbashkët të mbrojtjes ajrore”.

Në terma konkretë, kjo nënkupton koordinimin e operacioneve të rreth 250 avionëve super-efikasë, si, ndër të tjera, F-35 dhe F-16, shkëmbimin e të dhënave të radarëve dhe informacionit të inteligjencës.

“Muri i dronëve” është në fakt, vazhdimi koherent i kësaj taktike ushtarake të paprecedentë: asnjë shkelje e direktivave të dakorduara brenda NATO-s, por bashkëpunimi i forcuar midis anëtarëve të klubit që ndihen më të ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme ruse.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë