Kosova

Nuk i shkuan Haradinaj dhe Abdixhiku, Kurti bisedon për zgjedhjet e reja… me ministren e tij

Nga Gazeta ‘Si’- Në vazhdën e bisedimeve për zgjedhjet e parakohshme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pasi u refuzua nga një pjesë e opozitës (AAK dhe LDK) ka mbajtur një takim me udhëheqësit e partive Guxo dhe Alternativa.

Në takimin e mbajtur mbrëmjen e 14 majiit, Donika Gërvalla, ministrja e tij e jashtme kësaj here shkoi në rolin e udhëheqëses së partisë Guxo, së bashku me bashkëdrejtuesin tjetër Faton Pecin.

Nga Alternativa e ftuar ishte Mimoza Kusari-Lila. Të dyja këto parti, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 garuan në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtejeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës, si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare pej kohësh po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeveris me vendin.

Për këtë çështje, më 13 maj, Kurti bisedoi edhe me Memli Krasniqin, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Pas takimit, Kurti tha se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti. Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK e refuzuan takimin.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë