Ne rrjet

Protestat anti-ruse në Gjeorgji, çfarë po ndodh dhe pse ngjasojnë me ato në Ukrainë në 2014-ën

Në Tbilisi, me mijëra njerëz po demonstrojnë prej javësh kundër "ligjit për agjentët e huaj", i cili është i ngjashëm me një ligj që Kremlini përdor për të shtypur disidencën

Gazeta Si- Pesëdhjetë mijë njerëz në rrugë të dielën në kryeqytetin Tbilisi, flamuj gjeorgjian dhe europianë, brohoritje kundër Kremlinit.  

Gjeorgjia ka protestuar për javë të tëra kundër një ligji që kryeministri, afër Moskës, premton ta miratojë deri në maj.

Përplasjet e së dielës vazhduan gjatë natës deri në mëngjesin e kësaj të hëne përpara parlamentit që do të votojë ligjin më 14 maj.

Dhe parlamentarët që hynë në ndërtesë të hënën në mëngjes, të rrethuar nga kordonë policie dhe topa uji gati për të qëlluar, u përshëndetën nga thirrjet që i quanin ata “skllevër të Moskës”.

“Ligji për transparencën e ndikimeve të huaja” do të ngjante me masën e njohur të marrë nga Kremlini në vitin 2012, pasi do të impononte një kontroll të ashpër mbi financimin e fushatave mediatike dhe politike, duke sanksionuar ata që marrin fonde nga jashtë. Ligji i ngjashëm në Rusi është mjeti kryesor për të heshtur çdo formë mospajtimi politik.

Nëse do të miratohej në Gjeorgji, e cila ka statusin e një vendi kandidat për t’u anëtarësuar në BE që nga viti i kaluar, do të eliminonte shanset e vendit kaukzian për hyrjen në bllok.

Në fillim të majit, vetë Ursula von der Leyen tha se po ndiqte ngjarjet politike gjeorgjiane “me shqetësim të madh” dhe dje, këshilltari amerikan i sigurisë, Jake Sullivan postoi “shqetësimin” për “rrëshqitjen mbrapa” të demokracisë së Tbilisit.

Të dielën, kryeministri Irakli Kobakhidze, i Partisë Konservatore Ëndrra Gjeorgjiane, e cila ka shumicën në Parlament, njoftoi se protestuesit do të gjykohen për sjellje të dhunshme dhe u zotua të miratojë ligjin me çdo kusht.

Tashmë në vitin 2023 ishte propozuar një ligj i ngjashëm dhe më pas ishte zmbrapsur për shkak të protestave të forta të ngjashme me ato të ditëve të fundit.

Partia Ëndrra Gjeorgjiane u themelua nga miliarderi Bizina Ivanishvili, pasuria personale e të cilit arrin në rreth një të tretën e PBB-së; e lindur si një parti pro-evropiane, më pas mori një sërë vendimesh haptazi pro-ruse, duke përfshirë moszbatimin e sanksioneve të parashikuara ndaj Moskës pas sulmit në Ukrainë.

Protestat kanë vazhduar për më shumë se një muaj dhe shumë vëzhguesve u kujtojnë ato në sheshin” Euromaidan”: protestat pro-evropiane që në vitin 2013 i vunë flakën sheshit më të famshëm në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

“Euromaidan” shpërtheu si pasojë e vendimit të qeverisë pro-ruse të Kievit për të pezulluar negociatat për përfundimin e një marrëveshjeje asocimi midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian që synon të shndërrohet në një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Gjatë protestave, të përqendruara në Kiev, më 30 nëntor 2013 pati një rritje dhune kundër demonstruesve.

Protestat u shndërruan në revolucionin ukrainas të vitit 2014 dhe, në fund, kulmuan në arratisjen dhe padinë ndaj presidentit ukrainas, Viktor Janukoviç.

Pjesa tjetër, për fat të keq, është histori. Dhe mes analistëve, ka nga ata që shkojnë aq larg, sa të hipotezojnë se skenari gjeorgjian i ngjan atij ukrainas në shumë mënyra.

Edhe në Gjeorgji, për shembull, ka rajone të nxehta me frymëzim separatist si Donbasi në Ukrainë: Abkhazia dhe Osetia e Jugut, një republikë e vetëshpallur e pavarur që vetëm Rusia e njeh.

Moska ka konsoliduar një prani ushtarake gjithnjë e më të fortë që nga viti 2008, duke arritur që në dhjetor 2023 të vendosë për ndërtimin e një baze detare në Detin e Zi.

Ka nga ata që shohin një Krime të re në ktë rast dhe mes protestuesve në Tbilisi ka shumë që mendojnë kështu.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë