Politike

Mesazhet e forta të kryeministrit Edi Rama në Athinë: Shqiptarët, jo më ‘shërbëtorë’ por të zotët e kësaj shtëpie. Shqipëria, në BE. (I çon të fala Mitsotakis)

Kryeministri Edi Rama e mbylli fjalimin e tij të gjatë (mbi një orë) në stadiumin në sallën “Christmas Theater” në stadiumin 'Galatsi' në Athinë para mijëra emigrantëve shqiptarë me një mesazh për kryeministriun e Greqise, Kyriakos Mitsotakis.

“Në emrin tuaj dua t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Mitsotakis. I dashur Kyriakos në vitin 1886 poeti ynë Naim Farshëri shkruajti në greqisht vjershën e tij, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë, rroftë Shqipëria, rroftë Europa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi europaian dhe paqeje me prosperitet mes Greqisë dhe Shqipërisë”.

Në një fjalim me shpotitje por edhe keqardhje qe kishte pasur pengesa artificiale per tu realizuar si takim, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje edhe dy ceshtje ende të pazgjidhura mes dy vendesh. “Pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, megjithëse në vitin 1998 të dyja shtete kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që mes dy shtetesh që janë bashkë në NATO prej 15 vitesh të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte 80 vite më parë. Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e vendeve tona siç jemi përpjekur t’i adresojmë sa më drejtë me dialog. E vërteta është se tek kryeministri aktual i Greqisë unë kam gjetur bashkëbiseduesin më të mirë të këtyre viteve" tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe marrëveshjen për pensionet për të cilen tha se ka përparim.

“Më në fund me qeverinë aktuale se me ato më përpara as nuk bëhej fjalë, kemi arritur të çelim negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Po ashtu, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim dhe ka goxha progres dhe jam besimplotë që shumë shpejt do merrni lajme shumë të mira”.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për projektet e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Greqisë në të cilat po punohet.

“Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve europiane të dy shteteve në tregun e integruar europiane të energjisë.

Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, për ta integruar duke bërë një integrim ndërkufitar për Parkun Kombëtar të Vjosës që vitet e ardhshme do jetë motor i industrisë së turizmit por duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufij po triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë, do jetë shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku me njëra-tjetrën për njëra-tjetrën, qoftë për turistët nga e gjithë bota. Shqipëria 2023 do ketë fituar pavarësinë e vetë të plotë energjetike. Asnjë qindarkë më nga taksat e shqiptarëve nuk do shpenzohet për të blerë energjinë jashtë”.

Ai sqaroi edhe pozicionin e Shqipërisë kundrejt Greqisë. “Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barazvlefshëm të Greqisë demokratike dhe në Europën demokratike. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, vec respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombasit që jetojnë në të dy shtetet tona marrëdhënieve reciproke të miqësisë e fqinjësisë së mirë', tha Rama.

Duke vecuar edhe një mesazh në kohë zgjedhjesh për strukturat europiane. "Kam besim se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha para, këtë besim e kam të armatosur me gatishmërinë që ne t’i zgjidhim të gjitha çështjet si europianë largpamës të shekullit të ri. Jo të vazhdojmë ti zvarrisim si ballkanas sy lesh të shekullit të vjetër, për ti kthyer pastaj në mollë sherri sa herë hapen tezgat e pazareve elektorale"

“Kemi 30 vjet ku duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjellë, korrur në këto 30 vite shumë më tepër fryte sukses të përbashkët, si fqinj, miq, si aleatë, duke përdorur mundësitë, pasuritë energjitë tona, për të rritur mirëqenien e dy popujve tanë, në vend se të hyjmë nga një cikël stinor në një tjetër, nga ngërçi në ngërç, ku pas vjeshtës vjen dimri dhe pasi vjen pranvera që zgjat shumë pak, nuk vjen vera asnjëherë”, tha Rama.

Nga Athina, Rama tha se Shqipëria është miqësore dhe nuk u krijon asnjë telash grekëve, madje presin edhe politikanë që protestojnë në vendin tonë dhe më pas vijnë në Greqi e humbin zgjedhjet.

“Shqiptarët janë të dashuruar me brigjet e Greqisë, por gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë ku ndihen si në shtëpinë e tyre. Grekët kanë qenë janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, investime, por edhe për të përfituar nga një regjim taksash shumë të ulët se në Greqi. Shqipëria është miqësore, sa nuk u krijon asnjë telash, u krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë pol që vjen proteston atje dhe pastaj vjen humb zgjedhjet këtu, bujrëm si në shtëpinë tuaj”, tha Rama.

Nuk la pa përmendur dhe gjatë madje vuajtjet e shqiptarëve ndër vite në Greqi. Duke bërë një paralelizëm me dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë, ai tha:

"U përballët me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Bëtë nga dy tre punë në ditën që nuk mbaronte, duke zbutur urinë me një pjatë në ditë për të vënë mënjanë lekët e dy vaketeve të pangrëna. Përjetuar poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX, kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t'ju depërtuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë…

Shumë prej jush ndërruat emrat që u kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentet e punës dhe regjistruat fëmijët në shkollë, ju shqiptarët e Greqisë patë fëmijët të mbyten në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk u dha e drejta e ceremonisë së flamurit, faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dy krenare. Por, ja ku jeni, ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat. Sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi në këtë qiell, por asnjë fuqi dhe padrejtësi nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu. Hap pas hapi ju dolët nga errësira e mbijetesës si rezidentë të damkosur të këtij vendi në dritën e jetës si qytetarë të barabartë të këtij shteti. Me vlerat tuaja të fjalës së dhënë, të punës së mbaruar ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend.

Ju i bëtë vetes vendin tuaj në shoqërinë greke, duke fituar respektin e punëdhënësit, besimin e fqinjit dhe dinjitetin e njeriut. Ju erdhët luftuat dhe fituat. Mos e harroni kurrë me ligj dhe me zakon Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë. Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja dyqanet, bizneset, fëmijë të mirëshkolluar në sistemin arsimor të Greqisë, keni rrethin tuaj miqësor, ku greku e shqiptari nuk dallohen më. Kontributi juaj në ekonominë greke me punën e ndershme dhe taksat që paguani, e ndërkohë ju ktheheni gjithnjë e më shpesh në shtëpitë tuaj në Shqipëri, ku keni mbajtur gjithë këto vite prindërit e moshuar”

Me këtë frymë, Rama e nisi qysh prej fillimit fjalimin.

“Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës”, e nisi fjalën e tij kryeministri Edi Rama përballë rreth 6000 emigrantëve shqiptarë në Greqi. Rama tha se shqiptarët nuk janë më “shërbëtorët” në Greqi, por të “zotët e barabartë të kësaj shtëpie”.

 “Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës. Disa këtu në Greqi u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjarë ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur që të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur që të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, tha Rama.

Ai vuri theksin se imazhi i shqiptarëve në shtetin helen kanë ndryshuar shumë, e për këtë shtoi se është shumë krenar.

“Shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur nga malet, por përfaqësues krenarë të një vendi që është Shqipëria jonë. Shqipëria e ka ngritur më në fund kokën e ulur nga dhuna dhe i sheh të gjithë sot drejt e në sy me respekt të gjithë. Ju jeni një vlerë e shtuar e punës, e ekonomisë, dijes, kulturës së këtij vendi. Përgjatë kësaj historie, fatet tona, shtigjet e jetës, luftërat, këngët, përrallat, kanë qenë shumë më të lidhura sesa janë dukur”, tha Rama.

Ai iu përgjigj indirekt edhe kritikave nga Athina për titujt e pronësisë për minoritetin grek në Shqipëri.

“Ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë, nuk mund të thotë se është problem vetëm për grekët e Shqipërisë. Të kërkosh raste të tilla duhet të gërmosh në qerthujt më të errët të kulturës nacionaliste, ku nuk ka asnjë kufi mes historisë dhe miteve, fakteve dhe paragjykimeve, dokumenteve zyrtarë dhe artikujve të porositur. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit”.

Takimi nisi me koncert, fillimisht me kengetaren Era Rusi me pas me Noizyn.

Ajo që ra në sy që në fillim të takimit ishte se stadiumi dominohej nga flamuj shqiptare dhe europiane, asnjë flamur grek në takim edhe pse banderolat më herët i perfshinin të dyja edhe ate grek.

Edhe Elisa Spiropali, Majlinda Dhuka dhe Romina Kuko nuk i përjashtuan diferencat dhe keqkuptimet por gjithashtu në një zë përcollën mesazhin se Shqipëria e ka vendin në BE një mesazh ky indirekt edhe për Greqinë që së fundmi është bërë pengesë për anetarësimiun e Shqipërisë në BE duke e kushtëzuar procesin me cështjen e Fredi Belerit.

Me heret Avioni i kryeministrit zbriti në aeroportin e Athinës rreth orës 10:30 ( me orën shqiptare). Në facebook Rama publikoi video nga atmosfera elektrizuese shoqëruar dhe me mesazhin: Po vij!    

Kryeministri u prit në aeroport nga ambasadorja shqiptare, Luela Hajdaraga. Rama shoqërohet edhe nga bashkëshortja Linda Rama, rreth 100 bashkëpunëtorë të tij ministra e deputetë. 50 gazetarë shqiptarë do të ndjekin vizitën e tij.

Në takim nuk do të mungojë as kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pavarësisht përballjes së tij me drejtësinë në javët e fundit.

“Përveçse organizatorëve që e kanë bërë për dy javë rresht çdo ditë Athinën për të pasur sigurinë që do të zhvillohej ky takim, gjatë fluturimit tonë sot në Athinë kemi parë eksponentë të PS që kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit. Jo vetëm deputetë të PS, por kryebashkiakë nga veriu në jug. Madje ata që ishin në orët e para të mëngjesit në fluturimin tonë, i kemi parë në Athinë duke dalë shëtitje me të afërmit e tyre, para se të bëhen gati për aktivitetin e nesërm. Sot pritet të mbërrijë edhe kryebashkiaku i Tiranës, zoti Erion Veliaj që ka qenë edhe një nga personat që ka bërë më shumë thirrje për praninë e sa më shumë shqiptarëve ditën e nesërme. Do të jenë ministrat dhe të gjithë sekretarët e PS. Salla që PS ka zgjedhur për të zhvilluar këtë aktivitet ka kapacitet për deri në 6 mijë persona, por sipas organizatorëve nëse do të ketë një interes të lartë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi do të shtohet numri duke qëndruar edhe në këmbë, përtej kapaciteteve që mund të akomodohen ulur.”

Ministrja Elisa Spiropali dhe sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi do të mbajnë fjalime që do të pasohen nga fjala e kryeministrit Rama. Pas takimit, kryesocialisti do të ketë një takim me strukturat e degës së PS në Athinë ku do të shpërndaje dhe kartat për anëtarët më të rinj të kësaj force në emigracion.

Qeveria greke pavarësisht rezervave për mbajtjen e këtij takimi përpara zgjedhjeve europiane të 9 qershorit, ka marre masa për mbarëvajtjen e tij.

Më shumë se 1000 punonjës policie janë në këmbë (MAT, EKAM, OPKE, DIAS, Siguri, Qarkullim), ndërsa itinerari që do të ndjekë, nga aeroporti Eleftherios Venizelos deri në palestrën e mbyllur të Galatsit do të jetë “sterile”. Në të njëjtën kohë janë mobilizuar edhe helikopterët e EL.AS. si dhe dronët, të cilët do të japin një imazh të drejtpërdrejtë në qendrën operative, ndërkohë që është aktivizuar edhe rrjeti i informacionit i Policisë Helene.

Pas Athinës Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë