Para

Lufta në Gaza dhe sulmet kibernetike rrisin rrezikun sistemik për bankat në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - Rreziku sistemik i bankave tregtare në Shqipëri është rritur në fund të 2023-shit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, bankat perceptojnë një rrezik më të lartë se në fillim të vitit të shkuar, për shkak të luftrave dhe sulmeve kibernetike.

“Përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike në mjedisin e jashtëm (si konflikti në Rripin e Gazës, vazhdimi i luftës në Ukrainë), presionet ende të larta inflacioniste në nivel global, shtrëngimi i kushteve të financimit në reflektim të politikave të bankave të mëdha qendrore etj., duket se kanë rritur shqetësimin e bankave në vend mbi rrezikun e transferimit të goditjeve negative nga jashtë, që shfaqet si rreziku sistemik më i rëndësishëm për këtë periudhë sipas perceptimit të bankave”, thuhet në raportin e BSH-së.

Rreziku nga sulmet kibernetike ka vijuar të mbetet në listën e rreziqeve më të rëndësishëm, ndonëse perceptimi mbi të është zbutur disi. Shtimi i episodeve të sulmeve kibernetike gjatë vitit të kaluar, ka rritur tashmë vetëdijen e bankave mbi këtë rrezik.

Perceptimi mbi rrezikun e inflacionit në vend ka rënë ndjeshëm, ndikuar nga rënia e qëndrueshme e vlerave të tij gjatë periudhës. Rënia e intensitetit të normalizimit të politikës monetare brenda dhe jashtë vendit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2023, krahasuar me gjysmën e parë të tij, si rezultat i rënies së ndjeshme të vlerave të inflacionit, duket se ka ndikuar në zbutjen e perceptimit të bankave në vend lidhur me rrezikun e luhatjes së normave të interesit, dhe vlerësimi për këtë rrezik ka shënuar rënie.

Rreziku i përkeqësimit të ekonomisë së brendshme si rezultat i përcjelljes së efektit të politikave shtrënguese të brendshme dhe të jashtme, apo materializimit të goditjeve të ndryshme, vijon të mbetet i pranishëm, por perceptimi i sektorit bankar për të ka qenë në rënie gjatë gjithë vitit të kaluar.

Në terma të përgjithshëm, bankat perceptojnë që mundësia e materializimit të një (ose disa) prej rreziqeve të lartpërmendura në të ardhmen afatshkurtër (deri në një vit), është e ulët dhe në rënie, por rritet kur vlerësimi bëhet për një horizont më të gjatë kohor (1-3 vjet), ndikuar nga pasiguria që rrethon zhvillimet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë