Mjedis

Shqipëria vendi i specieve detare të rralla dhe në rrezik/ Mes tyre edhe peshkaqenët e raxhat

Nga Orges Permargjeta - “Peshkaqenët luajnë një rol vendimtar në ruajtjen e ekuilibrit të ekosistemeve detare dhe reduktimet në popullsinë e tyre ndikojnë negativisht si në peshkim ashtu edhe në industrinë e turizmit”. Kështu shprehet për Gazetën Si Emina Karalic, menaxherja dhe koordinatorja e laboratorit Sharklab ADRIA në Shqipëri.

Ajo, së bashku me Andrej Gajic, i cili është CEO dhe drejtori i përgjithshëm i kërkimeve, dhe disa shkencëtarë të tjerë nga vendet e rajonit po kryejnë studime sistematike në Detin Adriatik dhe Jon për peshkaqenët dhe rraxhat.

Qëllimi i tyre është të shpëtojnë këto krijesa të detit nga rreziku i zhdukjes dhe të ruajnë ekuilibrat natyrorë.

Studimet e këtij laboratori kanë marrë disa çmime ndërkombëtare dhe mbështeten drejtpërdrejt nga National Geographic, Discovery. Në gjashtë vitet e fundit kemi pasur 21 projekte shkencore rajonale dhe kemi më shumë se 120 ditë në terren çdo vit.

Studime aspak të sakta

Arsyeja përse ky ekip shkencëtarësh ka mbi 2 vite që është stacionuar në Shqipëri është sepse njohuritë e mëparshme mbi peshkaqenët në ujërat shqiptare nuk ishin “aspak të sakta”.

“Shumëllojshmëria e jashtëzakonshme e gjallesave dhe habitatet e mrekulluara të gjendura përballë mungesës totale të të dhënave të besueshme për elazmobrankët, e bëjnë Shqipërinë të përsosur për kërkimin tonë”, thotë Karalic.

Sipas saj, Sharklab ka të vetmin ekip kërkimor që kryen kërkime aktuale dhe sistematike në rajon; ekip që do të ndihmojë edhe në ndërtimin e kapaciteteve lokale para se speciet në rrezik zhdukje... të zhduken.

Shqipëria është shtëpia e disa prej specieve më të rrezikuara që ende jetojnë dhe riprodhohen në vend, dhe megjithatë nuk janë regjistruar në rajon për disa dekada.

“Është e rëndësishme që Shqipëria t'i kushtojë më shumë vëmendje ruajtjes së bukurisë së saj natyrore endemike”, thotë Karalic.

Çfarë kanë zbuluar në Shqipëri?

“Pavarësisht se po punojmë në të gjithë globin, Shqipëria është një nga pikat e nxehta më të rëndësishme në Detin Mesdhe”, shprehet ekspertja.

Më 12 maj maj të 2022-shit ekipi ka regjistruar për herë të parë në këtë shekull rraxhën flutur me gjemba, në Detin Adriatik.

Individi femër u kap në 200 metra, pranë Vlorës në Detin Adriatik.

Dhe, në vetëm 2 vite ekipi i Sharklab ka arritur të regjistrojë më shumë se gjysmën e biodiversitetit të Adriatikut në peshkaqenë dhe rraxha.

“Ne kemi regjistruar 32 lloje peshkaqenësh dhe rraxhash, nga të cilat një e treta janë të konsideruara si në rrezik zhdukjeje”, thotë Karalic.

Vlen të theksohet se disa prej këtyre specieve, si rraxha gjigante flutur me gjemba ( Gymnura altavela ) nuk është parë në Adritik në këtë shekull – megjithatë, ekipi Sharklab ka gjetur një popullatë ekzistuese në Shqipëri.

Aktualisht Sharklab po bashkëpunon me Discovery Channel, për zbulimin e specieve të rralla dhe të pakapshme në thellësitë e detit, duke siguruar të dhëna shumë të rëndësishme për biologjinë, popullsinë dhe mbijetesën e tyre.

Rraxhe torpedo e zbuluar në Zvernec

“Këto lloje përfshijnë një numër të madh peshkaqenësh në rrezik kritik zhdukjeje si Peshkaqeni Dhelpër (Alopias vulpine), peshkaqeni tonil (Isurus oxyrinchus Rafinesque) dhe të tjerë. Gjithashtu, ne jemi duke punuar për të evidentuar peshkaqenin Haptranchias prelo. Kjo specie nuk është parë në Adritik për rreth 70 vjet”, shprehet ekspertja.

Ajo thekson gjithashtu edhe shumëllojshmërinë e gjallesave që jetojnë në pjesën e grykëderdhjes të lumit Vjosa dhe ishullit të Sazanit si habitate të rëndësishme dhe gjithashtu një rrugë migrimi për shumë kafshë të tjera detare, duke përfshirë breshkat e detit, fokat murgesha dhe shumë të tjera të listuara në Listën e Kuqe të IUCN (listë në të cilën bëjnë pjesë gjallesat në rrezik zhdukje)”.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat haset ekipi i saj në Shqipëri?

Për Karaliç, problem mbetet mungesa e ekspertizës në këtë fushë, mungesa e vëmendjes nga qeveria apo institucionet lokale dhe mungesa e ndërgjegjësimit të peshkatarëve.

“Duhet të kuptojmë se deti është habitati natyror i të peshkaqenëve dhe rrezeve, dhe u përket atyre. Ashtu si ne kemi shëndetin tonë, edhe ekosistemet kanë shëndetin e tyre. Peshkaqenët janë përgjegjës për ruajtjen e shëndetit të ekosistemeve detare".

"Ne shpesh organizojmë seminare për peshkatarët, duke u mësuar atyre trajtimin e duhur dhe protokollet e lëshimit për të maksimizuar mbijetesën e peshkaqenëve pas kapjes së tyre, thotë ajo.

Edhe për Prof. Asoc. Dr. Rigers Bakiu i cili është pedagog pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, mbipeshkimi duket të jetë sfida më e rëndësishme e ktyre gjallesave.

Italia është një nga tregjet më të mëdha të konsumit në botë të mishit të peshkaqenëve dhe renditet si importuesi i tretë më i madh në botë për nga vëllimi dhe peshkatarët shqiptarë mund të kontribuojnë në shitjen e produkteve të tyre në shtetin fqinj.

Përsa i përket bashkëpunimit me institucionet shtetërore, Karalic thotë se qeveria shqiptare, edhe pse është “plotësisht e vetëdijshme në punën tonë, nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete”.

"Studimet tona kanë si qëllim kontributin në përmirësimin e mjedisit dhe të mirëqenies së banorve, kështu “ne jemi shumë të hapur për të mbështetur qeverinë shqiptare me gjetjet tona për të përmirësuar menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve detare”, thotë Karalic.

Për ekipin e Sharklab, sfidë është edhe prania e mbeturinave, ku sipas studiueses duhet vënë dorë nga autoritetet lokale sepse po rrezikohen ekosistemet.

Sa e rrezikshme është të punosh me peshkaqenët?

Ekziston një frikë thuajse e lindur për këto krijesa ujore, frikë që për Karalic buron nga filma të ndryshëm horror ku “peshkaqenët portretizohen si krijesa që hanë njerëz”.

“Për të ndriçuar lexuesit tanë, ne gjithmonë përmendim se në botë ekzistojnë rreth 550 lloje peshkaqenësh, shumica e të cilëve janë më të vegjël se një metër, dhe më pak se njëzet janë në të vërtetë të rrezikshëm për njerëzit”, thotë ajo

Rëndësia e peshkaqenëve në ekosistem, përmbyll ekspertja, është aq e rëndësishme sa zhdukja e tyre do të çonte në çekuilibër të konsiderueshëm dhe fluksin e specieve pushtuese, duke ndikuar fort edhe në jetën e njeriut me dëmtimin e peshkimit dhe turizmit.

"Pra, mund të themi pa frikë - thotë ekspertja - se duhet të kemi më shumë frikë nga deti pa peshkaqenë, jo nga ai me peshkaqenë!"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë