Politike

Mandati i Xhaçkës, Kushtetuesja nuk komenton, por Rithemelimi ia ‘çon’ sërish në derë   

Vendimi i Parlamentit të enjten për të mos çuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte surprizë. Të paktën për ata që e ndjekin politikën nga afër. Prej më shumë se një viti, maxhoranca nuk e përfshiu në programin e punës zbatimin e vendimit të  Gjykatës Kushtetuese për mandatin e zonjës Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik nga qeveria, ku Olta Xhaçka ishte Ministre e Jashtme, si dhe përfitoi shfrytëzimin e brigjeve të detit. Ky vendim detyronte Kuvendin që të çonte për interpretim në Kushtetuese mandatin e deputetit, si i vetmi organ, që mund të vendosë nëse mandati pajtohet ose jo me Kushtetuten. Mesazhi i zvarritjes së zbatimit të këtij vendimi ishte se po bëhej rezistencë ndaj vendimit.

Nga këndvështrimi i i Gjykatës Kushtetuese ajo që ndodhi në Parlament të enjten do të përshkruhej si e paimagjinueshme. Të paktën me këto fjalë e përshkroi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj vonesën e Parlamentit për të zbatuar vendimin e Gjykatës. “Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor,”- tha zonja Zaçaj në shkurt të këtij viti. Por tani që e paimagjinueshmja ndodhi, Gjykata Kushtetuese nuk doli me ndonjë qendrim publik për këtë precedent të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë. Gazeta Si i drejtoi disa pyetje Kryetares së Gjykatës Kushtetuese jo vetëm për qendrimin, por edhe për ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit dhe mesazhin që Gjykata merr nga maxhoranca në këtë rast. Përgjigja ishte një mbyllje hermetike e Gjykatës Kushtetuese, shumë larg standardit që vetë kryetarja e Gjykatës krijoi në shkurt.  “Gjykata nuk komenton për çështje, për të cilat është shprehur me vendim, por as për çështje të cilat mund të jenë objekt shqyrtimi.” Me këtë përgjigje, Gjykata Kushtetuese e shmang përfshirjen në debatin politik, ku nuk i takon të ndërhyjë, por lë pa mbrojtje vendimet që ka marrë dhe që, në teori, kanë fuqinë e vetë neneve të Kushtetutës.

Në Janar 2023, pas kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi i PD, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si antikushtues vendimet e marra nga maxhoranca e PS për të mos e çuar për interpretim në Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Për të zbërthyer qendrimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për të mos komentuar  për çështje që ka vendosur më herët, referenca e vetme për të kuptuar mes rreshtave është vendimi i Janarit 2023 i Gjykatës Kushtetuese.

Në pikën 50 të vendimit thuhet se “vlerësimi, nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur parashikimin kushtetues, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës. Kjo Gjykatë ka theksuar edhe më parë se është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë, nëse veprimet konkrete të një anëtari të Kuvendit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën”. Edhe pikat e tjera të vendimit flasin po kaq qartë se kush ka të drejtën të vendosë për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Në pikën 54 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Kuvendi nuk mund të vlerësojë në themel, nëse deputetja në fjalë, përmes bashkëshortit të saj, ka kryer veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe nëse ka fituar pasuri të këtyre, si dhe nëse veprimet/mosveprimet e deputetes, përmes bashkëshortit të saj, përbëjnë shkelje të Kushtetutës. Çështja e vlerësimit të papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes, nuk i takon vlerësimit të Kuvendit, por vlerësimit të kësaj Gjykate, pasi faktet kërkojnë shqyrtimin në themel, në mënyrë që të mund të përcaktohet nëse duhet të klasifikohen në parashikimet kushtetuese të papajtueshmërisë së mandatit”. Të enjten e 11 Prillit, PS vendosi të mos i bindet këtij vendimi dhe me 73 vota ndërpreu procedurën e kërkuar nga opozita për t’ia çuar Gjykatës Kushtetuese çështjen për shqyrtim. Në këndvështrimin e opozitës, vendimi i PS është minim i shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi, duke emëruar Edi Ramën kryeministër dhe Kryegjykatës të vendit. Por a ka ndonjë mekanizëm për të vazhduar betejën për këtë çështje? “Mekanizmi më i mirë është largimi i Edi Ramës nga pushteti. Me etjen e pafundme për pushtet, ai po zvarrit vendin drejt autoritarizmit, duke zhbërë të drejtat  dhe liritë kushtetuese”- tha për Gazeta Si Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Bashkë me disa ekspertë të tjerë të opozitës, ai po sheh edhe mundësinë për ta ankimiar vendimin e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse politikisht e ka të qartë se ky mund të jetë një rreth vicioz, ku Gjykata vendos, por qeveria nuk zbaton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë